Sherret në shkolla, zgjidhja nuk vjen nga jashtë kangjellave!

redaktor

Në një takim që Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi, ka organizuar në kuadër të rritjes së masave të sigurisë nëpër shkolla, në prag të fillimit të sezonit të ri arsimor, në fjalën e tij, i ka quajtur ‘zënka adoleshentësh’ ato soj sherresh në ambjente shkollore, që ndodh të kenë çuar dhe në humbje jete. ‘Zënkë’, është trajta e zbutur e fjalës sherr, me u kacafyt, me u përla. Ajo i dedikohet pafajshmërisë fëminore; ndërsa në kushte shqiptare, kur vjen puna tek adoleshentët, në rrugë a shkollë qofshin, aty kërcet huri or ti mik. Zënkat janë për çamarrokë që grinden me njëri-tjetrin për hiçmosgjë, e ndodh që të shtyhen a grricen me thonj, por kur shkohet në kufijtë e pubertetit, janë grushtat, levat dhe thikat që ndajnë hesapet. Dhe dramë tek ne, është fakti se mes ‘rrugës’ dhe ‘shkollës’, janë pakësuar diferencat: pak ‘shkollë’ gjen në ‘rrugë’, e shumë ‘rrugë’ në ‘shkollë’. Zgjidhja është kërkuar më së shumti nga organet e rendit, por ata janë rojtarë e jo edukues. Si masë paraprake është përcaktuar ndalimi i tregtimit të pijeve alkolike pranë shkollave, kufizimit i parkimit të automjeteve afër tyre, si dhe vendosja e rojeve, të njohura tashmë. Por zgjidhja nuk vjen nga jashtë, ajo është brenda atyre godinave, e jo në afërsi të kangjellave rrethuese. Nëse një shkollë nuk edukon gjokset dhe mendjet e nxënësve, polici thjesht do vlejë vetëm si një gardian qelish.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *