Asfiksi politike që sjell dhe masakër estetike

redaktor

Ditë më parë, lidhur me bojkotin e parlamentit nga ana e PD-së, u shpreh dhe Grida Duma, pjesë e “gjakut të ri” të kësaj partie, e promovuar si e tillë në mandatin e dytë të qeverisjes demokrate, për të qenë më pas në të ardhmen e saj. Dhe më shumë se ajo çfarë tha lidhur me bojkotin, përshtypjen më të madhe e la fotoja që shoqëronte prononcimin e saj: E ndodhur në një zyrë të dominuar nga bluja, por pa qiell e horizonte, në kuptimin më thelbësor të fjalës. Jepi hakun, znj. Duma ka një formim të kënaqshëm, ka energji, nuk është bosh dhe ka një botë për të shpalosur; por në atë sfond, dukej si një dallëndyshe në kafaz, pa asnjë poetizim të rastit, e futur me pahir dhe e dënuar të jetë aty. Pozita e saj, mes një ambjenti ku dukej sikur estetikes në arredim i ishte shpallur luftë, ja kishte rrëmbyer çdo nur. Mbi të gjitha, sfondi pas ku në përmasa tej çdo sensi politik dhe estetik, Berisha i qëndron si skifter kësaj “dallëndysheje”, ishte simbolika më e rëndë. Pa e konfonduar atë lloj fotoje në variantin poster me Gridën si person, të qënit e saj në atë përmasë, përbën dramën e asaj partie. Rast të ngjashëm mund të ketë në botë, por jo në parti që vetëquhen demokratike dhe për më tepër europiane. Në murret e zyrave dhe ambjenteve të një selie partie fare mirë ka foto me aktivitete partiake, ku pa dyshim, kanë dhe liderët në qendër, por jo që veç njërit, njëshit, të vetmit, të mos jetë askush tjetër, aq më tepër kur është ende në jetë. Ajo masakër mbi estetiken në atë zyrë, si rezonim i një linje politike të përçudnshme, për gjynah po asfikson dhe Gridën vetë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *