Filmi “Last Stand” ka rikthyer në ekranin e kinemasë aktorin Arnold Shvarceneger. Ky është filmi i tij i parë ku ai ka rol kryesor që nga viti 2003. Në premierën e filmit në Los Anxhelos, Shvarcenegeri tha për gazetarët se ndihej shumë mirë që i rikthehet kinemasë në këtë moshë e me një film të tillë.
Pjesëmarrja e Shvarcenegerit në filmin “Last Stand” është e para si aktor kryesor në një film, që pas filmit “Terminator 3”, si dhe pas lënies së detyrës si guvernator i Kalifornisë.
“Është premiera ime e parë si aktor kryesor. Kam qenë pjesëmarrës në premierën e fimit”The Expendables” por ai nuk ishte krejtësisht filmi im. “
Filmi “Last Stand” i regjisorit koreano-jugor Kim Ji-uon tregon historinë e një polici nga Los Anxhelosi që është është në ndjekje të një baroni droge në një qytet të vogël.
“Ka shumë skena ku jemi në ndjekje, duket pak a shumë si filmi “Shpejtësi dhe marrëzi” (The Fast & Furious). Është një film me veprim, një film që ka brenda edhe dramë. Xhoni Noksvill i jep elementin komik këtij filmi”.
Noksvill thotë: “Ky është filmi i parë për Arnoldin që nga viti 2003 dhe mendoj se është e rëndësishme të punosh me të mbas një rikthimi të tillë”.
Ndërsa aktori tjetër Rodrigo Santoro thotë:
“Jam rritur duke parë filmat e tij, ai ishte heroi im. Për mua ka qenë e paimagjinushme që një ditë do të isha në të njëjtin sheshxhirimi me të. Ndjehem shumë i lumtur e me fat që jam këtu sonte”.
Filmi “Last Stand” ka nisur të shfaqet nëpër kinematë amerikane nga data 14 janar.
(Zëri i Amerikës)
