Xhibilet milet… ky italiani?! Jo, ky shqiptari!

redaktor

Cili është ai fill i veçantë moral që shoqëron qenien shqiptare?! Folklorikisht është thënë se është ‘besa’ dhe ‘mikpritja’. Por nga pikëpamja sociologjike, sot është e vështirë të përcaktohet se ç`ë. Madje, skeptikët thonë se ndër shqiptarë është përhapur shumë miti në adhurim i njeriut pa skrupuj që bën gjithçka, por më kryesorja bën para, me të cilat më pas blen ç`të dojë, edhe skrupujt e munguar.

Tek një pjesë e shoqërisë shqiptare dominon mendimi se rrënimi moral, është pasojë e komunizmit, i cili ”njeriun e ri” që produktoi, e zhveshi nga çdo virtyt. Një pjesë tjetër thonë se ishte ndryshimi i beftë i raporteve sociale, që goditi rëndë boshtin moral, duke e kufizuar shkak-pasojën vetëm në vitet e tranzicionit.

Por le të mbetemi tek kategoria e parë, tek ata që e qajnë tek komunizmi flamën e sotme. ‘Besën’ e ’mikëpritjen’ e potencoi fort si set moralesh të larta edhe ai regjim, në frymën e njohur të nacional-komunizmit, duke shtuar dhe heroizmin ndër luftra, ama pa u merakosur shumë për morale të një niveli më utilitar, për një individ që sa ç`tutej ndaj ligjit, tutet po aq ndaj erzit.

Dhe sa për ilustrim, ja sesi promovohej modeli i ndershmërisë nëpërmjet artit kinematografik: Tek filmi ‘Tinguj Lufte’, aty ku dy ideologji ndeshen në katër tela violine nëpërmet personazheve të Fatbardh Qemal Nurit dhe Leonard Galip Shkëmbit, Lulja, ajo vajza qukse, pyet me naivitet moshe mësues Eqeremin nëse dhe ai është nga ata?! – “Nga cilët ata?”, pyet mësues Eqeremi.

“Nga ata që vrasin armiq në mes të pazarit dhe djegin depot!”, sqaron vajza. Dhe mësues Eqeremi përgjigjet: “Po të gjithë shqiptarët e ndershëm, të tillë duhet të jenë!” Ndërkohë që në realitet, “armiqtë”, ata që vriteshin në mes të pazarit e u digjeshin depot nga shqiptarët e ndershëm, përpiqeshin gjithsesi të mbanin në këmbë një shtet, të funksiononte një ligj, të kishte një rend publik e të paguheshin taksat dhe tatimet. Xhibilet milet… ky shqiptari!

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *