Të gjitha aktivitetet, të cilat nuk do respektojnë kushtet e sigurisë në punë, do të pezullohen. Kjo është masa drastike që i ka dhënë në dorë ligji Inspektoriatit të Punës, për t’i dhënë fre aksidenteve në punë, që në shumë raste i kanë marrë jetën punonjësve. Dhe në çdo rast që inspektorët në terren do të mbyllin sytë para sinjaleve që rrezikojnë jetën e punonjësve, u paralajmëruan dje nga numri një i institucionit, Dritan Ylli, se do përballen me ligjin. Por rreziku në punë nuk është i vetmi problem. Ylli njoftoi se shumë shpejt të dhënat e punonjësve të qarkut Tiranë, do të publikohen.
