Partizani i bëhet makth Kukësit, vendos Raçiç

redaktor

Stefan Raçiç është basti i fituar i Shpëtim Duros. Sulmuesi serb ishte heroi i Partizanit në sfidën e luajtur në “Zeqir Ymeri” të Kukësit, pasi shënoi golin e vetëm të takimit ndaj nënkampionëve të Shqipërisë, duke i dhënë tri pikë të arta skuadrës së tij, që pas një starti të dobët arrin të marrë pikë të plota ndaj rivalëve më të fortë për titull. Një sukses i merituar ky i 15-herë kampionëve të Shqipërisë, që edhe në një fushë të vështirë dhanë maksimumin për ta ndezur ëndrrën e tifozëve të kuq për titullin kampion. Partizani e nis më shumë agresivitet sfidën, i afrohet ndjeshëm portës së Kukësit, por nuk ka rrezikshmëri në përmbylljen e aksioneve. Formacioni i Artim Shaqirit e merr dalëngadalë veten derisa në minutën e 19-të, pas një aksioni model, Kushtrim Lushtaku godet traversën. Me shumë fat në këtë rast portieri Alban Hoxha, i cili arriti ta devijojë topin sa për të mos e lejuar që të përfundonte në në rrjetë. Pas këtij momenti vendasit marrin zemër, janë më të saktë në veprimet sulmuese dhe i afrohen sërish golit me Hysën, por Hoxha nuk ka ndërmend të lejojë prekjen e rrjetës. Në pjesën e parë Duro detyrohet të bëjë një zëvendësim, duke larguar të dëmtuarin Shabani, në vend të të cilit hedh në fushë Fazliun. Pjesa e dytë nis me ndryshim për Kukësin në fazën sulmuese, me Pero Pejiç që mbetet në dhomat e zhveshjes. Rasti i parë i rrezikshëm në këtë fraksion është ai i minutës së 57, kur një silur i Hallaçit për pak përfundon në kuadrat. Partizani i afrohet rrezikshëm portës së Halilajt në të 70-ën, por finalizimi i Emiliano Vilës lë për të dëshiruar. Në minutat e fundit, të kuqtë besojnë se mund të fitojnë ndeshjen ndaj sulmojnë me më shumë forca. Në zhvillimet e një goditjeje dënimi Batha për pak e befason portierin Halilaj, ndërsa 2 minuta nga fundi vjen edhe goli që do të vendoste sfidën. Partizani fiton një goditje të lirë thuajse në vijën e 16 metrave, ekzekutim që e merr përsipër Racic. Sulmuesi serb godet me zgjuarsi me të brendshmen, duke e dërguar topin në rrjetë. Kuksianët e kuptojnë që ka shumë pak kohë për të reaguar, ndërsa Shaqiri bën një ndryshim taktik duke hedhur në fushë shtatlartin Gvozdenovic në vend të Hallacit, zëvendësim që nuk pritet mirë nga kapiteni. Në minutën e fundit shtesë një rreshtim i gabuar i mbrojtjes mund t’i kishte kushtuar rëndë Partizanit, por Mallota me instiktet e mbrojtësit nuk arrin të gjejë kuadratin e portës. Vërshëllima e fundit e Jeminit bën që të shpërthejë festa në kampin e Partizanit, që në katër përballje me nënkampionët e Shqipërisë në Superiore nuk ka pësuar ende asnjë gol, duke fituar tre dhe barazuar vetëm një sfidë.

Share This Article
1 Comment
  • Skuadra me kete rezultat na ka lumturuar shume. Bravo çuna. Vazhdoni keshtu. Kini marre 6 pike kampioneve e nenkampioneve. Kjo nuk eshte pak.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *