Çmimi tragjik i një “haraçi” të papaguar

redaktor

Vetëm 24 orë para publikimit të videos, familjarët e David Cawthorne Haines dërguan një mesazh në përpjekje për të kontaktuar me terroristët.

Përgjigja ka ardhur shpejt: një tjetër video e tmerrshme dhe çnjerëzore, u publikua parmbrëmë në një faqe interneti të monitoruar nga Shteti Islamik. Një klonim i ekzekutimeve të gazetarëve amerikanë James Foley dhe Steven Sotloff, në të cilat i njëjti ekzekutues i maskuar pret kokën e pengut skocez, i veshur si gjithmonë me portokalli. Ndryshon vetëm emri i politikanit që ekzekutuesi sfidon, i cili këtë herë është David Cameron. Raundi makabër do të vazhdojë. Në fund të videos, dy minuta e gjysmë, vrasësi i njohur si John dhe që mund të jetë ish reperi londinez Abdel Majed Abdel-Bary, kërcënon me një theks anglez të shtrembëruar bashkëpunëtorin e David, Alan Henning.

Viktima e re është një punonjës britanik në ndihmat humanitare, i rrëmbyer 39 km nga qyteti sirian i Aleppos. David Cawthorne Haines ishte 44 vjeç dhe kishte dy vajza. Davidi u rrëmbye në Siri në mars të vitit të kaluar, kur kthehej nga kufiri i afërt turk në kampin e refugjatëve Atmeh. Dy automjete e zbuluan dhe rrëmbyen atë dhe gazetarin italian Federico Motka. Gazetari u lirua prillin e kaluar, pasi Qeveria italiane pagoi një shpërblim prej 6 milionë eurosh. Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara janë të vendosur përsa i përket pagesës së “haraçeve”, sepse besojnë se kështu ushqejnë industrinë e terrorit.

Si zakonisht në videot e vrasjeve të Shtetit Islamik, xhirojnë dy kamera. Pengu, padyshim i abuzuar më parë mban një fjalim në të cilën ai fajëson politikanët e vendit të tij për vdekjen: “Emri im është David Haines. Unë deklaroj se ju bëj ju, David Cameron, plotësisht përgjegjës për ekzekutimin tim. Ju keni hyrë vullnetarisht në koalicionin e Shteteve të Bashkuara kundër Shtetit Islamik, ashtu si dhe paraardhësit juaj Tony Blair. Për fat të keq, jemi ne, populli britanik, që paguajmë në fund”, thotë pengu i gjunjëzuar dhe me duart e lidhura pas shpine.

Pastaj, vijnë kërcënimet rituale të xhelatit, që e quan Cameron “qen lëpirës” të Obamës: “Nëse ju, Cameron, vazhdoni të luftoni kundër Shtetit Islamik, atëherë ju ashtu dhe mjeshtëri juaj Obama, do të keni duart e përlyera me gjakun e popullit tuaj. Llogariten rreth 500 të rinj britanikë, brezi i dytë, ose i tretë i emigrantëve myslimanë, që kanë udhëtuar për në Siri dhe Irak për t’u bashkuar me xhihadistët.

Britania e Madhe ka frikë për kthimin e tyre dhe momentalisht është në gjendje gatishmërie. Cameron ka sugjeruar që t’u merret pasaporta të dyshuarve që përpiqen të kthehen. Qeveria britanike është bashkuar me fushatën e bombardimeve dhe Obama ka njoftuar se do të bashkëpunojë me qeverinë e re në Bagdad për të armatosur luftëtarët kurdë, Peshmerga, të cilët deri tani ka qenë basti më i mirë, e pothuajse i vetmi, kundër rritjes së SI.

Bombardimet amerikane të hënën dhe të enjten kanë qenë një ndëshkim i ashpër për SI, të cilët mund të kenë 20 pengje perëndimorë, përfshirë punonjës amerikanë, britanikë, japonezë dhe danezë. Vrasja e David Haines, që vjen 11 ditë pas Sotloff Steven, gazetar hebre amerikan, ishte e pritur. Disa ekspertë të sigurisë spekulonin në atë kohë se Shteti Islamik mund të ketë vrarë tre pengje në një hapësirë ​​të shkurtër kohe, që më pas të shpërndajë videot njëra pas tjetrës me qëllim që të shfrytëzojë frikën e gjeneruar prej tyre dhe propagandën. David Cameron ngushëlloi familjen e britanikut dhe premtoi se Britania e Madhe do të kapë vrasësit: “Zemra ime është me familjen, që ka treguar guxim të jashtëzakonshëm.

Do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të kapur ata vrasës dhe t’i çojmë para drejtësisë”. “Hap pas hapi, ne duhet të luftojmë, ta çmontojmë dhe përfundimisht ta shkatërrojmë SI dhe atë që ai synon. Këtë do ta bëjmë në mënyrë të qetë dhe të qëllimshme, me përkushtim të çeliktë. Këtë nuk do ta bëjmë vetëm, por duke punuar së bashku me aleatët, jo vetëm me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, por po ashtu edhe me ata në rajon Në reagimin e tij të parë në një koment në rrjetin social Twitter, Kryeministri e quajti vrasjen e Haines një “akt diabolik”. Shteti Islamik është konsideruar grupi terrorist më i pasur në histori, për paratë që merr me vjedhjen e gazit dhe naftës, parave për robërit dhe vjedhje e grabitje në territorin që dominon.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *