Raporti, Komisioni Junker fitore për Britaninë

redaktor

Përbërja e Komisionit të ri Europian është konsideruar një fitore për Britaninë e Madhe. Të paktën kështu e konsideron raporti analitik britanik, i grupit të refleksionit eurokritik “Open Europe”. Tejet pozitiv konsiderohet jo vetëm emërimi i komisionerit britanik në një nga postet më të rëndësishme, që mbulon shërbimet financiare, por edhe emërimet e tjera që prekin edhe vendet, që nuk janë pjesë e Eurozonës, si Suedia apo Polonia. Britania e Madhe me ardhjen në pushtet të drejtuesit konservator Cameron i ka premtuar qytetarëve britanikë, se nëse interesat e Britanisë në BE nuk rishikohen, atëherë qytetarët e saj do të kenë mundësi zgjedhje nëpërmjet një referendumi, për qëndrim apo dalje nga BE.

Raporti analitik i “Open Europe”, argumenton se rëndësia e këtij portofoli dhe kompetencat që ai mbart, prekin sferën shqetësuese të qytetarëve dhe politikës britanike. Në thelb ato kanë të bëjnë me mundësinë për krijimin e një lloj balancimi mes pushtetit në fuqizim të vazhdueshëm të grupit të Eurozonës dhe vendeve, që nuk përfshihen në këtë grupim, si Britania.

Raporti specifikon tre pika, në të cilat bazohet rëndësia e këtij portofoli për interesat britanike:

Së pari, pasja nën kompetenca e mbikëqyrjes së krijimit të sistemit bankar, një politikë thelbësore për Eurozonën, por që kërcënon për ndarje mes vendeve, që janë në Eurozonë dhe vendeve të tjera jashtë saj. Sipas Raportit, Lordi Hill, do të mundësojë që ky fenomen të mos ndodhë.

Së dyti, posti përmban pushtet mbi rishikimin e rolit të Autoriteteve Mbikëqyrëse Europiane, institucione, që kanë qenë të diskutueshme në Britani, që prej krijimit të tyre.

Se treti, posti përmban kompetenca ndaj tregut të kapitaleve të Unionit. Sipas Raportit, meqenëse Londra është tashmë qendra e tregjeve kapitale evropiane, Lordi Hill mund ta bazojë Unionin më tepër rreth Tregut të Përbashkët, se sa rreth Eurozonës.

Një tjetër element interesant, që vërehet në raportin analitik britanik, është se edhe emërime të tjera që vijnë nga kreu i KE-së Junker, shikohen si tejet pozitive për t’i mundësuar kryeministrit britanik Cameron reformat e dëshiruara. Këto kandidatura shikohen gjithashtu edhe si të pozicionuara nga interesa, që kanë ngjashmëri me rastin britanik, kryesisht duke iu referuar logjikës së pozicionimit jashtë grupit të Eurozonës.

Emërimi i holandezit Timmermans,  zv. President i Parë i Junker, i konsideruar ndryshe krahu i djathtë i tij, është opsioni i duhur për mundësinë e reformimit të BE-së, sipas raportit. Ish Ministri i Jashtëm, Timmermans vlerësohet për influencën në krijimin e maksimës së qeverisë holandeze për reforma në BE, “Kombëtare ku është e mundur, Europë kur është e nevojshme”. Qeveria holandeze ka identifikuar tashmë 54 masa specifike, në të cilat dëshiron të shohë legjislacionin e BE-së, të pësojë tërheqje ose të ngrijë dhe emërimi i Timmermans mund të jetë një shenjë, se Komisioni Junker do të bëjë një përpjekje serioze për të fokusuar veprimin e BE-së, mbi detyra thelbësore.

Si një element pozitiv për interesat britanike, vlerësohet edhe emërimi i Komisoneres polake Elzbieta Bienkowska mbi Tregun e Brendshëm. Caktimi i këtij posti një vendi që nuk është pjesë e Eurozonës, konsiderohet i vlefshëm në vijimësi të logjikës, se tregu i përbashkët ngel bërthama e principit bashkues, ndërmjet vendeve anëtare të BE-së. Një vend jo anëtar i eurozonës, mund të jetë më i vetëdijshëm për shqetësimet e Britanisë mbi abuzimet e eurozonës në lidhje me rregullat e tregut të përbashkët për të çuar më tej axhendën e Eurozonës. Edhe caktimi i portofolit të tregtisë një vendi jo anëtar i Eurozonës, siç është Suedia, gjykohet gjithashtu pozitiv për interesat kombëtare britanike.

I vetmi këndvështrim shqetësues, që vjen nga raporti analitik, duket të jetë ndarja jo e qartë e kompetencave mbi përgjegjësitë e portofolit të Komisionerit britanik me Komisionerin francez Moscovic të Çështjeve Ekonomike dhe Financiare. Shqetësimi bazohet në pikëpamjet tejet të ndryshme, që ekzistojnë mes Moscovic dhe Hill.

Raporti ekspozon si problematike edhe miratimin e Komisionerit nga Parlamenti Europian, duke marrë parasysh këndvështrimin armiqësor ndaj shërbimeve financiare dhe pikëpamjen e tyre të përgjithshme negative ndaj financave anglosaksone. Por, raporti edhe pse e shikon të vështirë seancën e pyetjeve në PE, konfirmon gjithashtu se PE, nuk ka pasur mundësi të ndikojë edhe më përpara në caktimin e portofoleve të KE-së.

Duke marrë parasysh një sërë faktorësh, si roli në zbehje i diplomacisë britanike përballë fuqizimit të bërthamës politike-ekonomike të eurozonës; kërcënimet e vazhdueshme britanike për referendum që mundëson daljen nga BE; luftën e hapur që kryeministri britanik Cameron shpalli ndaj emërimit të kreut të KE-së Junker ; kërcënimet për cenim të sistemit aktual social dhe të drejtave të emigrantëve, që vinin nga vendet e BE-së, emërimi i Lordit Hill në një post kaq të rëndësishëm, sigurisht që konsiderohet një fitore, e cila nuk është thjesht politike.

Raporti analitik në përgjithësi mbart një frymë refleksioni tejet pozitiv, mbi përfitimet e interesave britanikë nga hapësirat, që krijohen nga marrja e këtij portofoli, nga emërimet e tjera brenda ekipit Junker, por edhe nga mundësitë reale, që po i afrohen politikisht kryeministrit britanik Cameron, për negocim të interesave britanikë në BE, pas një sërë dështimesh si brenda politikës kombëtare, por edhe përballë asaj evropiane. Sigurisht që, portofoli mbart dhe ndërthur një sërë kompetencash dhe interesash si evropianë, por edhe kombëtarë. Gjithsesi, faktorë të tjerë si mundësia reale për vazhdim të mëtejshëm të plotësimit të kërkesave dhe interesave britanike në BE, duke marrë parasysh reagimin e fortë kundërshtues që erdhi nga Berlini, mbi dhënien e këtij portofoli Britanisë, por edhe simbolikën që përcjell  “përplasja”  e mundshme që parashikon raporti me komisionerin francez mbi ekonominë, nuk ekspozohen si tejet optimiste. Ky optimizëm mund të krijojë zbehje edhe më tej, nëse vlerësojmë dhe konsiderimin mbi pozicionimin pro konservator dhe pro qeveritar të grupit analitik “Open Europe”./im.ta/

 

 

 

Share This Article