Mbetet në qeli 26-vjeçari që vrau me thikë në zemër adoleshentin që u fut për të shuar një sherr të shokëve të tij, ndërsa u arrestua pas vetëdorëzimit i kërkuari që i preu fytin klientit në lokal pas një sherri banal në pije dhe sipër. Alban Molla shpreu pendesën dje në Gjykatën e Lezhës dhe pranoi vrasjen e Ardit Kokës, kurse Besnik Zela pranoi negociatat e familjarëve për t’u dorëzuar, katër ditë pasi theri për vdekje në Kolosjan të Kukësit Rakip Bilalin. Ndaj dy të dyshuarve rëndojnë akuzat e “vrasjes” dhe “mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”.
Lezhë
Gjykata e Lezhës ka dhënë dje masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat, për 26-vjeçarin Alban Molla, i cili kuzohet për vrasjen e 18-vjeçarit Ardit Koka, katër ditë më parë në Rrëshen. Gjatë seancës së masës së sigurimit personal, i dyshuari u shpreh i penduar duke thënë se nuk ka dashur ta vriste adoleshentin, por ky i fundit e kishte sulmuar u pari. I arrestuari Alban Molla, së bashku me shokët e tij, janë konfliktuar fillimisht me fjalë dhe më pas me grushte, me një grup tjetër të rinjsh, të cilët ishin ulur në një tavolinë të lokalit “Everest”. Më tej sherri ka vijuar jashtë ambienteve, kur viktima Koka po kalonte rastësisht dhe ka ndërhyrë për të shuar sherrin. Por sipas dëshmisë së Mollës, 18-vjeçari e ka qëlluar me grusht dhe më tej ka hyrë në lokal. Kur ka dalë më vonë nga lokali, jashtë e kanë pritur Molla dhe shokët e tij. Në trotuar e ka goditur me thikë në zemër dhe është larguar. I riu ka humbur jetën në vend si pasojë e plagës së rëndë, kurse i dyshuari u kap pas disa orësh ndjekjeje nga policia vendore.
Kukës
Policia e qytetit verior njotoi dje se arrestoi 54-vjeçarin Besnik Zela, autorin e dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit Rakip Bilali, mbrëmjen e 11 shtatorit në Kolosjan të Kukësit. Burime zyrtare shpjeguan se mëngjesin e djeshëm, është arritur që oficerët dhe familjarët të bindnin të dyshuarin që të dorëzohej. Pas negociatave për të marrë parasysh rrethanat e ngjarjes, Zela është izoluar në qelinë e paraburgimit. Grindja mes viktimës dhe autorit të krimit nisi më 11 shtator, pas një sherri verbal në ambientet e një lokali, ku 54-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur dhe ka prerë me thikë në fyt Bilalin. Viktima nga fshati Bicaj ndërroi jetë në spitalin e Kukësit rreth një orë pasi u fut në sallën e operacionit. Policia shpalli në kërkim Zelën dhe ndaloi të parin pronarin e lokalit, Kapllan Rada, 45 vjeç, i cili fshiu gjurmët në vendngjarje.
