Sezoni i Partizanit ndryshoi në ekstrem në vetëm 4 ditë

redaktor

Suksesi minimal i Partizanit në transfertë me Kukësin ishte pa dyshim rezultati më surprizë i javës së katërt të kategorisë superiore. Një rezultat disi i papritur për vetë faktin se nënkampionët e Shqipërisë, ndër pretendentët kryesorë për titull edhe këtë sezon, kishin thuajse një vit pa u thyer në “Zeqir Ymeri”.

Sigurisht që edhe starti i kampionatit nuk ishte shumë premtues për të kuqtë, që ndryshuan fytyrë pikërisht në momentin e duhur, në përballjet direkte me dy skuadrat më të forta të kategorisë superiore. Por çfarë ndodhi me formacionin e shpëtim Duros, që brenda 4 ditësh kaloi nga ferri në parajsë? Kalendari u kishte rezervuar 15 herë kampionëve të Shqipërisë që në start dy transferta, e para në Laç me kurbinasit dhe e dyta në Fier me Apoloninë.

Dy takime ku Partizani arriti të grumbullonte vetëm 1 pikë, duke zhgënjyer shumë në “Loni Papuçiu”, ku pasi humbi një 11-metërsh me Nexhipin, meritonte një disfatë edhe më të thellë. Në të dy rastet të kuqtë nga avantazhi psikologjik apo i mundësisë për të kaluar në epërsi, lëshuan më pas shumë terren, deri në shthurje taktike, sikurse ndodhi më Apoloninë.

Ndërprerja e shkurtër e kampionatit për shkak të impenjimit të kombëtares në eliminatoret e Euro 2016 erdhi në momentin e duhur, pasi Duro pati mundësinë të korrigjonte dicka në sjelljen e skuadrës në fushë. Afrimi i Endri Vrapit në orët e fundit të merkatos ishte një tjetër aspekt pozitiv, pasi reparti i mbrojtjes kishte nevojë për një lojtar me eksperiencë. Efekti ishte i menjëhershëm.

Ne “Qemal Stafa” ndaj Skënderbeut, Partizani u shfaq mjaft agresiv në fushë dhe i kujdesshëm në fazën mbrojtëse, duke pritur momentin e duhur për t’i dhënë goditjen kundërshtarit. Goli i fitores u shënua në minutën e 90, me Skënderbeun që kishte shumë pak kohë për të reaguar. Thuajse e njëjta situatë u përsërit edhe në transfertë me Kukësin.

Deri në minutën e 88-të rastet më të pastra i kishte skuadra vendase, por pikërisht atëherë kur duhej Partizani gjeti golin e fitores. Duro e ka të qartë që në një kampionat me kaq shumë rivalitet suksesi mund të arrihet vetëm me një skuadër të fortë fizikisht dhe të disiplinuar taktikisht.

Katër javët e para të superiores i kanë dhënë shumë përgjigje trajnerit të të kuqve, që tashmë duhet të ruajë vazhdimësinë e lojërave dhe të rezultateve për ta mbajtur të ndezur ëndrrën e tifozëve për titullin kampion.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *