Komisioni Kundër Dhunës në Sport kërkon ndryshimin e ligjit

redaktor

Komisioni Kombëtar i Dhunës në Sport është mbledhur këtë të hënë lidhur me shfaqjet e dhunës të evidentuara në ambientet sportive, dhe veçanërisht pas ngjarjeve që ndodhën mesjavën e kaluar në takimin Vllaznia–Tirana.

Siç bëhet e ditur nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në mbledhje ka qenë prezent dhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi.

Komisioni ka dalë me një sërë propozimesh për t’iu përgjigjur fenomenit. Një ndër to është ndërhyrja në kuadrin ligjor për ashpërsimin e masave ndaj shkaktarëve të dhunës, por dhe ndaj organizatorëve për mosveprim, me masat konkrete për personat që prishin rendin dhe qetësinë në ambientet sportive, me gjobë deri në 500 mijë Lekë dhe në raste të rënda edhe me ndjekje penale si dhe ndalimin e hyrjes në të gjitha mjediset sportive jo më pak se një vit.

Është vendosur gjithashtu dhe forcimi i bashkëpunimit midis Policisë së Shtetit, Federatave Sportive, klubeve dhe pushtetit vendor, forcimi i masave të sigurisë në ambientet sportive dhe përforcimi i infrastrukturës dhe personelit të sigurisë, por dhe krijimi i një zyre që të monitorojë tifozët, e marrëdhëniet mes tyre, të skedojë elementët e dhunshëm në stadium si dhe më pas në bashkëpunim me Policinë e Shtetit të veprojë për parandalimin e tyre.

Janë këto propozimet e dala nga mbledhja e Komisionit Kombëtar kundër Dhunës në Sport. Dhe tani mbetet për t’u parë se cilat do të jenë hapat për konkretizimin e tyre, hap i cili ka dhe një kosto financiare.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *