PRINC WIED-IN TA LUTËSH…

redaktor

Flitet këto ditë për një guvernator të huaj për Bankën e Shqipërisë, a thua se është fjala për një lojtar të huaj që do ta shpëtojë skuadrën tonë lokale nga rënia në kategorinë e tretë.

Normale do të ishte, në fakt, të flitej për një guvernator të mirë: të përgatitur, të aftë, të virtytshëm, me profilin e nevojshëm brenda dhe jashtë vendit. Nëse këto kritere i plotëson maksimalisht një qytetar i Burkina Faso-s, pse jo? (Edhe pse ligji i tanishëm duhet ndryshuar, por nuk do të ishte hera e parë, as e fundit, që ligjet ndryshohen ad hoc).

Çështja nuk është tek të qenit i huaj apo jo i guvernatorit të mundshëm, por te fakti që të qenit i huaj po sillet në vështrim si kriter i favorshëm për përzgjedhjen.

Një gazetë, para pak ditësh, fliste për “një princ Wied për financat shqiptare” – pa çka se krahasimi është kaq i palumtur, po të kujtojmë fundin e princ Wied-it të mjerë!

Dhe, për më tepër, ata që e duan ose e përsiatin këtë guvernator mercenar, e bëjnë jo ngaqë kanë ndonjë gjigand në mendje, por ngaqë nisen nga premisa se shoqëria shqiptare e ka praktikisht të pamundur që t’i përzgjedhë elitat nga vetja me paanësi.

Vetëm një outsider, por me autoritetin e nevojshëm, do të mund të garantonte, sipas këtij këndvështrimi, lirinë relative nga vetot e kryqëzuara dhe varësinë ndaj partive politike, grupeve parakriminale dhe grupeve të tjera të interesit.

Pa çka se kjo do të thotë se shoqëria shqiptare nuk arrin dot të nxjerrë ndonjë përfitim çfarëdo nga sovraniteti.

Dikur, në vitet e largëta të autarkisë totalitare, flitej sotto voce për virtytet e “privatit”; sot flitet për virtytet e tjetrit, ose të atij që vjen nga jashtë, për të rregulluar punët e brendshme.

Ka edhe një analogji tjetër me totalitarizmin, që duhet bërë: në atë kohë, nëse duhej të lëvizte diçka, duhej ndërhyrja e “të madhit” – në kuptimin që sistemi nuk arrinte dot të reagonte ndaj sfidave të reja dhe të papritura, pa komandën e kujt qëndronte jashtë sistemit vetë: Enver Hoxhës.

Rolin e liderit suprem sot e ka marrë i huaji – jo si i tillë, ose si bartës i një kulture politike dhe teknike të caktuar, por si i jashtëm ndaj sistemit; dhe që mund të jetë individ, si në rastin e guvernatorit; por mund të jetë edhe kompani (si në rastin e doganave), institucion (gjykata ndërkombëtare e Hagës), shtet mik (“Amerika”) ose organizatë ndërkombëtare (NATO, BE-ja).

Gjymti i rëndë i shtetit shqiptar sot është se nuk arrin të përftojë autoritet.

Mediat përcollën, para pak ditësh, lajmin se edhe personi i implikuar me skandalin e pedofilisë në Sarandë, që tani gjendet në burg, kish vendosur që t’i drejtohej Hagës – meqë nuk kish besim se gjyqësori shqiptar do të mund ta gjykonte paanësisht.

Ne nuk i respektojmë institucionet që nxjerrim vetë, sikurse nuk respektojmë politikanët që i votojmë vetë; por ëndërrojmë të qeverisemi, qoftë edhe përdhunshëm, nga një forcë e largët dhe e padukshme.

Modeli ynë i kujdesit institucional është sqetulla.

Gjetiu e kam quajtur këtë mani tonën për t’i marrë urdhrat nga larg si sindromë të “perandorisë zero”; në kuptimin që elitat tona refuzojnë ta shohin veten si të zgjedhura prej qytetarëve; duke parapëlqyer të jenë të zgjedhura prej të fortëve të botës – Amerikës, NATO-s, BE-së.

Efekti i kësaj sindrome ndaj shëndetit social nuk mund të jetë veçse shkatërrues: qytetari shtetin e vet kërkon ta ketë sovran. Në fakt, akti i fundit i rëndësishëm që jo vetëm shprehu sovranitetin e republikës, por edhe dëshmoi se çfarë efekti gjallërues ka ky sovranitet në vetëdijen qytetare, ishte refuzimi i armëve kimike të Sirisë nga kryeministri Rama. Janë akte të tilla që e mbajnë gjallë shpirtin qytetar – jo gatishmëria për t’u rreshtuar, për të thënë “edhe ne”, për të ulëritur pionierçe si qëmoti: “gjithmonë gati!”.

Jetojmë në një botë të rrjetëzuar si kurrë më parë; kufiri që na ndan nga Tjetri ripërkufizohet çdo ditë. Por ky fiksim absurd me të huajin, që do të vijë të na ndreqë punët, nuk është veçse ana e përkundërt e autarkisë së djeshme, kur kërkonim të ndërtonim gjithçka “me forcat e veta.”

Përndryshe, kjo humbje e përgjithshme besimi në elitat dhe në institucionet e drejtuara prej tyre logjikisht do të çonte – herët a vonë – në propozimin a në dëshirën e heshtur që edhe krejt vendi t’i lihej në dorë një administratori të huaj; një komisioneri a komisari, një teknokrati të BE-së ose i OKB-së – që të ndërmjetësojë, nga njëra anë, midis elitave dhe komunitetit ndërkombëtar, dhe nga ana tjetër, midis po këtyre elitave dhe qytetarëve.

Pas një shekulli të tërë, rrezikojmë kështu të kthehemi mbrapsht në fazën e gjakimit për Princ Wied-in (madje edhe Haxhi Qamilët i kemi gati).

Deri më sot, të huajve u është besuar jo vetëm futbolli, por edhe sektorë të tjerë me impakt të madh në imazhin e institucioneve dhe të shtetit – që nga administrimi i aeroportit kombëtar e deri te konkurset që organizohen, me studio të arkitekturës nga gjithë bota, për deri edhe një nevojtore publike a një shatërvan.

Të huajt ndërtuan rrugën “e kombit”; tani do të ndërtojnë rrugën “e Arbrit”; të huajt na kontrollojnë detyrat e shtëpisë çdo javë; të huajt do të rregullojnë hidrocentralet dhe termocentralet; të huajt do të sjellin tramin dhe teleferikun; të huajt do të ndërtojnë stadiumin dhe ujësjellësin; të huajt do të sjellin makinën e syneteve; të huajt do të heqin plehrat e plazhit dhe do të mbledhin qentë e rrugëve dhe do të zbardhin ujërat e zeza; të huajt do të disiplinojnë doganat dhe do të moderojnë komentet; të huajt do të ndalojnë duhanin në mejhanet; të huajt do të hetojnë krimet e mëdha të shekullit…

(Po ne? Ne do të rrimë!)

Pa folur për hapësirën ndonjëherë revoltuese që u jepet ambasadorëve gjithfarësh, në komunikimin publik dhe në marrëdhëniet mes forcave rivale, në kokë të shtetit.

Pa folur edhe për makinën fotokopjuese, të shndërruar në autoritetin ligjvënës de facto më të lexuar e më të respektuar.

Roli që duket sikur i kanë gjetur vetes elitat, në këtë sistem të mbrapshtë, është ai i mëkëmbësit a i qehajait.

Çështja që mund të debatohet, në këtë mes, është nëse institucionet e tanishme, ashtu siç i kemi kërkuar dhe siç na i kanë sugjeruar të tjerët, mund të prodhojnë sovranitet; dhe vetëm më tej, nëse ky sovranitet është diçka e dëshirueshme apo diçka e rrezikshme, për një shtet të papjekur, si Shqipëria.

Në praktikë, përndryshe, çështja shtrohet ndryshe: dhe pikërisht, se kush do t’i marrë vendimet. Dhe nëse vërtet do të ngulim këmbë, me këtë dëshirë që vendimet më të rëndësishme të merren në tryezat “asnjanëse” dhe të përtejme, të organizmave që nuk përgjigjen para qytetarit shqiptar, atëherë sovranitetin e kemi humbur, dhe bashkë me të, edhe marrëdhënien organike të mirëbesimit midis qytetarëve dhe institucioneve.

*Marrë nga Peizazhe të Fjalës”

Share This Article
2 Comments
  • Z.vehbiu shqiptaret nuk mundet te qeverisen dot te pavarur, ku ka shum arsye..? Arsyet jan sepse ne 550 vjet kan qen gjithnje nen zgjedhjen osmane dhe menyra se si jan ideologjizuar ben qe te mos kuptohen mes vetes! Shihi shqiptaret neper bote, si i zbatojn ligjet e shtetve ku jetojn, mbase jan bere minj nen ligjshmerine e verdiktin e nje populli tjeter!
    pra esht e pa mundur qe shqiptaret te udhehiqen nga vet shqiptaret, kte po e tregon koha, perjashto kohen e mesjetes, qe esht besuar gjergj kastrioti si prijs e udheheqes i ktij vendi!
    populli kur humbet besimin tek shteti atehere shteti i tyre ngelet si nje format gjografik ne harte, por jo funksionet e nje shteti te mirfillte!

  • Ju kujtohen fjalimet e shokut Enver kur fliste per Qeverite kukulla ne Bote???
    Shyqyr Zotit ja arritem edhe ne kesaj dite,ne saje te Demokracise… 🙂

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *