Ndryshimet fiskale për vitin 2015 kanë kohë që po diskutohen në Ministrinë e Financave. Burime nga ky dikaster pohojnë që ndryshimet e paketës fiskale të vitit tjetër janë në fazën e konsultimit me grupet e interesit, duke ju marrë mendime dhe sugjerime, në mënyrë që të mos përsëritet paketa “nxitimthi” e vitit në të cilin jemi. Po kështu para se të dilet në një draft përfundimtar, kjo ministri po konsultohet me ekspertët e FMN-së të cilët mësohen se në këtë fazë kanë kërkuar që taksa e akcizës të rritet përsëri në fillim të vitit të ardhshëm. Po të njëjtat burime theksojnë se Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar që qeveria të jetë më e vendosur sa i takon pjesës së taksave. Në konkluzionet e tyre, ekspertë të këtij Fondi shprehen se ecuria e të ardhurave ka qenë e mirë, por jo aty ku pritej. Kështu vetëm për periudhën 7-mujore, të ardhurat nga akciza rezultojnë të jenë me 4 miliardë lekë më pak se planifikimi, çka do të thotë se rritja e kësaj takse në fillim të vitit nuk dha rezultatet e pritshme. Ndërkohë, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, pranoi sëfundmi se në paketën fiskale mund të pritet edhe rritje e disa taksave, por të kosultuara me biznesin.
Si u rrit taksa e akcizës në 2014?
Një ndër taksat më të debatuara për rritjen e saj dhe efektet direkte që jep tek qytetarët ishte ajo e akcizës. Kështu nga 1 Janari, akciza e pijeve alkoolike, birrës, cigareve dhe pijeve energjike, pësoi një rritje të ndjeshme. Akciza e birrës vendëse pati një rritje prej në 360 lekë për gradë alkooli. Nga 1 Janari, rritet me 19% akciza për birrën e importit dhe me rreth 35% për birrën vendese dhe efekti i përllogaritur arrinte në 3.5 milionë USD kosto shtesë për këtë industri. Akciza e duhanit u rrit nga 1 Janari me 20 lekë për paketë cigaresh dhe do të vazhdojë të rritet me nga 10 lekë për tre vitet në vazhdim, që do të pasqyrohet direkt në çmimet në treg. Qeveria parashikoi të mbledhë rreth 33 milionë USD më shumë nga akciza e duhanit, kosto që paguhet nga rreth 1 milion duhanpirës shqiptarë. Rritje kanë akcizat e të gjitha pijeve alkoolike, me një efekt deri në 30%. Risi ishte vendosja e një akcize prej 50 lekësh për litër për pijet energjike. E gjithë efekti financiar që do të kishte paketa fiskale në buxhetin e shtetit për këtë vit u parashikua të jetë në rreth 20 miliardë lekë, efekte që mund të jepen të detajuara në fillim të vitit tjetër.
