4 deduksione nga intervista me Izet Haxhinë

redaktor

Thuajse të gjithë pushtetarët, në mandatin e tyre bëjnë gabime, ndoshta edhe faje. Berisha ishte i vetmi që bënte çdo ditë. Si asnjëherë tjetër, jeta e njeriut të politikës, Berisha, është e mbushur me ngjarje të një klani, i cili edhe duke qenë tejet mafioz, përsëri nuk është krejtësisht i përballueshëm. Ai del jashtë sinoreve të një përcaktimi të vetëm. Berisha, tip i ligësht dhe ambicioz, i zgjodhi njerëzit rreth vetes jo nga ndershmëria dhe përkushtimi, por nga shkalla me të cilën ai mund të bënte presion ndaj tyre, nga devotshmëria ndaj tij dhe jo ndaj shtetit; nga mundësia për të qenë shërbyes dhe jo qytetarë. Ëndrra e Berishës ishte që të kishte fuqinë e një mbreti, por kurrë nuk e kishte maturinë që duhet të ketë një mbret. Ndaj, i bindur se nuk do të gjykohet kurrë, se qëndron mbi shtetin dhe mbi kohën, ai la pas vetes shenjat e dukshme të një oligarkie krimi. Disa nga fillesat e gjurmëve që la pas solli në vëmendjen e njerëzve një intervistë me njërin nga shoqëruesit e dhunshëm të tij, Izet Haxhia, i cili, edhe pse përgjithësisht i vonuar, gjërat që dëshmoi nuk ishin krejtësisht të paditura. Por, në këtë analizë, mendimi im shkon drejt disa deduksioneve të tjera.

 

Grushti

E para gjë që mendova kur lexova në intervistën e Izet Haxhisë se ata, grupi i gatshëm pranë Berishës dhe njerëzit e SHIK-ut, kishin rrahur politikanë, gazetarë, kundërshtarë të regjimit, por edhe njerëz pranë këtij regjimi që kishin filluar të kishin një çast rebelimi, ishte jo në atë që po dëshmohej, por në një fakt që kishte ndodhur shumë vite më pas. Në 21 Janarin e vitit 2011, kur Tirana u përgjak. Berisha ishte pas xhameve të blinduar dhe ai e di më mirë se të gjithë se kush qëlloi dhe kush e dha urdhrin. Mendimi im shkoi tek syri i nxirë i Ndrea Prendit.

Për herë të parë komandanti i gardës së Republikës u pa nga njerëzit me syrin e nxirë vetëm në bashkësinë e Berishës, kur para gazetarëve po përpiqeshin të mbushnin mendjen se ata kishin qenë viktima e një demonstrate dhe jo vrasësit e saj. Ndrea Prendi me syrin e nxirë, nga një goditje, rrinte pranë ish-shefit të qeverisë dhe, ajo shenjë poshtë qerpikëve të tij po tregohej si shenjë se sa të dhunshëm kishin qenë demonstruesit.

Por çuditërisht asnjë kamera, nga dhjetëra e dhjetëra që ishin aty, nga të gjithë TZV, private dhe sidomos të shtetit, pra të gardës, të Policisë dhe ato të vendosura rreth e rreth selisë qeveritare, nuk e ka dhënë asnjëherë të vetme momentin kur Ndrea Prendi qëllohet me grusht. Sikur atë ta kishte qoftë edhe një regjistrim shtetëror, i policisë, gardës apo i selisë qeveritare, ajo do të ishte dhënë me dhjetëra e me qindra herë. Normalisht, nëse është goditur nga demonstruesit, ajo do të kishte ndodhur jashtë, në bulevard, sepse demonstruesit nuk u futën në brendësinë e oborrit, ku i prisnin për t’i vrarë masivisht. As kamera TV e Artan Hoxhës, që arriti të kapë disa nga vrasjet e ndodhura, nuk e ka këtë moment.

Ku u godit Ndrea Prendi? Edhe në një shkrim tjetër e kam ngritur dyshimin se ish-shefi i gardës ka qenë kundër vrasjes së njerëzve të pafajshëm. Është krejt e mundur ajo që doli disa ditë pas 21 Janarit se, njëri nga shoqëruesit e Berishës, të dhunshëm si zakonisht, të ketë përcjellë urdhrin për të goditur drejt e në turmë; por, kur nuk ka marrë përgjigje, atëherë ka qëlluar shefin e gardës, njëkohësisht ka qëlluar edhe mbi turmë. Fakti që u shpejtua të fshihet gjithçka që ishte regjistruar nga kamerat e sigurisë në Kryeministri të shkon drejt saj, por edhe më tej se kaq. Aty mund të shihej tërbimi i një njeriu që priste të vritej dikush e ende nuk po vritej.

Nëse deri pak më parë, kjo hipotezë që nuk është vetëm e imja, por edhe e njerëzve që ishin në korridoret e selisë qeveritare, tani, pas dëshmisë së një njeriu që dikur ishte gati të jepte jetën për Berishën, kjo është më e besueshme.

Po përse hesht Ndrea Prendi???

 

Heshtja

Ish-shefi i qeverisë ka patur një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me njerëzit e implikuar në krime, që nga më të voglat e deri tek më të mëdhatë. Sidomos në ato krime, të cilat, në një mënyrë ose në një tjetër, e lidhnin me familjen e tij biologjike, me atë vetë ose me njerëzit rreth e rreth tij. Ka qenë një devizë e pashkruar, por tepër e qartë: hesht për atë që di, ne do të heshtim për ty.

Fatmir Mediu, shefi i republikanëve, që kishte si zëvendës një monarkist, është shembulli më i qartë për këtë. Mediu heshti për atë që kishte ndodhur në Gërdec, megjithëse ai e dinte të gjithë strukturën e njëkohësisht procedurën që ishte ndjekur. Ai e dinte se kush qëndronte pas gjithë asaj piramide që ishte ngritur pak kilometra larg Tiranës, ai e dinte se Delijorgji ishte vetëm një perde, që kishte dashur të nxirrte diçka edhe për vete; ndërsa peshkaqenët ishin në zyrat afër tij, që ai vetë ua kishte përgatitur, ashtu si edhe projektet e ligjeve për të bërë të ligjshëm një krim. Mediu heshti, ai nuk foli asgjë, nuk e përmendi asnjëherë djalin kryeministror, as aferat e tij, as nuk tha se kush jepte urdhër në të vërtetë për lëvizjen e një makinerie të tërë vrasëse; ai e dinte se në këtë kohë, shefi i shtabit të përgjithshëm nuk quhej Luan Hoxha, por SHB, dhe përmes këtij të fundit bëhej gjithë rrëmuja, niseshin avionët, shitej baruti.

Marrëveshja ishte e qartë: po heshte, do të jesh përsëri deputet, do të jesh përsëri ministër. Jepi të drejtën, Berisha, njerëzit që i shërbejnë i mban më afër, i ledhaton dhe i “ngroh” më shumë se sa socialistët, të cilët, të parët që harrojnë janë militantët e vet.

Rasti Mediu nuk është i vetmi. As edhe një fjalë nuk u dëgjua nga Basha për zhdukjen e 240 milionë eurove nga Rruga e Kombit; as nuk pipëtiu Imami për shitjet e paligjshme të objekteve; as nuk tha gjë Pollo për aferat e fundregjimit të tyre; askush nuk i hyri në “sokak” Rulit për firmën e hedhur në një firmë komcensionare të minierave të kromit… sepse Berisha kishte parimin e qartë “hesapi i shtëpisë, nuk del në pazar”. Dhe po e nxore në pazar, atëherë përgatitu…

Të gjithë ata që janë dëbuar apo dënuar nga regjimi autokratik i tij janë ata që u rebeluan përkohësisht, që folën, ose që deshën të flasin. Trebicka i gjorë ishte mes dyshimit: të hesht apo të flas, por nuk i dhanë kohë për të dytën.

Përse ndodh e gjithë kjo?

 

Kërcënimi

Kërcënimi është i dyanshëm: njëra palë kërcënon tjetrën se “do e hap gojën”, pala tjetër kërcënon se “do ta mbyll gojën”.

Nuk është kohë e largët kur në Parlamentin e Shqipërisë, një deputet PD-ist i flakët, Azem Hajdari, kur të vetët po e flaknin, sepse nuk kishte heshtur për gjëra që diheshin, ai kishte bërë kërcënimin: “unë kam qenë njëshi dhe njëshi di shumë”, e pas kësaj, gjërat u zbutën, e thirrën përsëri hero i demokracisë, e dërguan përsëri nëpër mitingje, deri sa më në fund e dërguan drejt vdekjes.

E mbani mend atë vogëlanin, Xhelal Mziu, kur në ditët e para të burgimit të tij askush nuk ia vuri re mungesën, u bë një deklaratë e vakët, e tipit “na ishte një herë”, por kur ai kërcënoi se do të flasë, atëherë, të gjithë “burrat” PD-ist, që nga shefi i madh e deri tek shefi i vogël, u turrën, të gjithë në mbrojtje të tij, sikur Mziu kishte qenë burrë i madh shteti, kur në fakt ishte një kulaç i vogël xhepi. U mobilizuan të gjithë ish-ministrat e drejtësisë, nxorën defterët e vjetër të ligjeve, shkuan në burg, dërguan “selame” të forta, dhe Mziu ishte përsëri aty ku kishte qenë. Kishte mjaftuar vetëm një gjysmë thirrje e tij dhe gjërat kishin ndryshuar, ishte një gjysmë kërcënim, pas së cilit fshiheshin gjëra më të rënda se ato të zakonshme.

Shembulli i fundit është Fullani. “Më tradhtuan”, tha ai, ose të tjerë afër tij dhe i gjithë një klan u vunë në lëvizje. Berisha që kishte heshtur deri asaj dite, foli me “Z” të madhe; Basha i shkoi pas, tufa e analistëve “të pavarur”, që nuk ishin dëgjuar, shkoi edhe më tej, u bënë gati protesta, si ajo për drogën e Lazaratit, u përgatitën peticione, u nxorën nga arkivat shembuj të vjetër e të rinj, dhe më në fund, gjërat shkuan përsëri në vendin që ishte përcaktuar. Fullani në shtëpi, komedia do të vazhdojë një shkallë më tej, në një tjetër gjyqësor, tashmë më të lartë, por përfundimi dihet: Fullani do të jetë i lirë, jo vetëm në shtëpinë e tij. Komedia mbaroi, sapo Fullani deshi ta kthejë në tragjedi.

Dhe e fundit:

 

Tritoli

Izet Haxhia dëshmoi se gjëmimet e tritolit pas humbjes së pushtetit në vitin 1997, PD-ja i kishte dirigjuar përmes Azem Hajdarit. Ai shkoi edhe më tej se kaq: ai dëshmoi se shefi i tij i dikurshëm ishte në dijeni dhe se kishte heshtur.

Nuk e di se deri në cilën shkallë mund të jetë i besueshëm ky rrëfim, sepse, në fund të fundit, edhe ai ka qenë palë.

Por, mjafton të shohësh dy herë radhazi, të shohësh me vëmendje, se çfarë ndodh kur PD-ja largohet nga pushteti: edhe kur largohet me pushkë, edhe kur largohet me dhunë.

Ashtu si në vitin 1997 e pak më tej, edhe tani, pas humbjes së zgjedhjeve nga PD-ja nisi seria e tritolit dhe gjithçka ishte si një kronikë e paralajmëruar. Ndoshta ende pa u dëgjuar krisma e tyre dilte një kasnec demokratikas dhe denonconte tritolistët. Ashtu si disa vite më parë, përsëri e përsëri tritoli godiste në pikat e ndjeshme të vendit, ashtu si tek zërat brenda klanit të tyre. Për të kërkuar heshtjen, për të marrë revanshin, por mbi të gjitha për të krijuar ndjenjën e tmerrit.

Ashtu si në vitin famëkeq 1997, intensiteti i tyre po bie. Si duket është e njëjta mendësi: sulm në disa muaj dhe heshtje pastaj, deri sa të vijë seria tjetër.

Njoh shumë njerëz që e duan PD-në, dhe janë në të drejtën e tyre. Shumë nga ata që njoh janë njerëz me integritet dhe seriozë, vizioni i të cilëve është i njëjtë me atë që kishte lëvizja studentore në fillimet e saj, dhe duan t’i mbeten besnik asaj. Përsëri janë në të drejtën e tyre. Jam i bindur se nga kjo shumësi njerëzore, të cilët nuk janë thjeshtë të njohurit e mi, por mijëra e mijëra të tjerë, vendi ka hajër e prosperitet.

Ashtu si jam i bindur se falangat e ringjallura nuk kanë lidhje me perspektivën, fisnikërinë dhe kodin e nderit të njerëzve normalë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *