Marrëdhënia mes Dritan Priftit dhe Ilir Metës tashmë është normalizuar. Pohimi vjen nga goja e një prej vetë protagonistëve. Dritan Prifti në një intervistë për gazetaren Ilva Tare ka konfirmuar se është takuar me kreun e LSI-së së paku dy herë kohët e fundit. Prifti ka folur dhe për të ardhmen politike. Ai është shprehur se është në proces për të hyrë në Grupin Parlamentar të PS-së. Në zgjedhjet e ardhshme Prifti është shprehur se do të jetë kundër Berishës dhe do të investojë për rotacion politikë. Ish-ministri i Ekonomisë i ka cilësuar si emocionale akuzat ndaj liderit të opozitës dhe theksoi se zgjedhjet e ardhshme do të jenë në favor të opozitës.
Zoti Prifti, një pjesë e opinionit iu vlerësojnë për denoncimin e korrupsionit dhe një pjesë tjetër ju shohin si politikan që jeni parë ne video duke bërë korrupsion. Ju kë opinion do të vlerësonit?
Sigurisht që nuk mund të vlerësoj një opinion që flet kundra meje pa prova. Ju jeni në dijeni për proceset gjyqësore. Prokuroria nuk ka asnjë provë kundër meje. Nuk provohet asgjë se kush i sjellë paratë, kush i merr, dhe pse janë sjellë. Janë pyetur me dhjetëra dëshmitarë dhe nuk është gjetur asnjë provë e vetme. Një prokuror më tha se qeveria kishte presion të madh për ta çuar në gjykatë këtë video. Nuk ka rëndësi nëse ka apo jo fakte. Gjithsesi, kjo histori mbaroi. Kur kjo histori shkoi në gjykatë dhe pashë trupin gjykues për një moment thashë kaq ishte ky muhabet. Të gjithë ishin të lidhur me PD-në dhe mendova se duhej një kurban. Që kur i pashë me dukej e pamundur që t’i bindja për të vërtetën. Por, në të vërtet ajo trup bëri një punë profesionale dhe ligjore. Rasti im tregoi që politika nuk ndërhyri në vendimin e gjykatës.
Sa i besueshëm jeni ju tashmë që jeni liruar nga akuzat?
Nëse do kishte ndërhyje s’do përfundonte procesi. Ndoshta s’do kishte vendim por do zvarritej deri tej zgjedhjeve parlamentare.
Çfarë ishin ato eurot që pamë në video?
Ishte një çështje krejt private dhe nuk lidhej me detyrën time. Bëhej fjalë për një investim privat.
A mund të merret një ministër me biznese të tjera?
Një ministër me ligj nuk mund të merret në mënyrë të drejtpërdrejtë kur është në detyrë. Sekuencat që janë në këtë video nuk bëjnë fjalë për një biznes që ishim të përfshirë drejtpërdrejt. Por për të mbështetur një biznesmen në fushën e ndërtimit.
Si ministër iu kanë ardhur oferta në para për favore?
Kushdo që është në pushtet ka oferta. Edhe me mua ka ndodhur. Nëse do të kisha vendosur në prioritet ofertat dhe jo ligjin, do isha ende ministër dhe do isha në LSI dhe mik me Ilir Metën. Nuk jam më sepse nuk pranova të korruptohesha. Ditën kur jam larguar unë nga detyra, Berisha ka bërë një rezyme të punës sime duke më vlerësuar si asnjë ministër tjetër.
Keni koment për pafajësinë e Metës?
Ai është i pafajshëm. Kur flet gjykata s’kemi të drejtë të bëjmë komente. Me provat që bëra unë nuk u arrit të gjendej shkelje nga zoti Meta. Unë mora përsipër të bëja një denoncim por s’mund të luftoj me prokurorinë dhe gjykatën.
Ishte një denoncim apo një pazar i prishur?
Nëse bëhet fjalë për pazar do isha ende në qeveri. Unë s’doja të bëhesha pjesë e disa gjërave që nuk bëheshin.
Video ishte e montuar?
Në asnjë rresht nuk thuhet se ka ndërhyrje. As nga prokuroria as nga gjykata dhe as nga ekspertët e huaj.
Ku u prish miqësia juaj me Metën?
Miqësia ime me Metën u prish në atë moment që e morën vesh të gjithë. Unë thjesht jam vetëmbrojtur. Por kjo ndodh mes politikanëve. Ka ulje ngritje në marrëdhëniet mes figurave politike. Me Metën kam qenë më shumë se 10 vjet duke u takuar përditë me të. Në këto momente kam marrëdhënie normale me Ilir Metën. Jam takuar me Metën pas gjithë këtyre, dhe është forcë karakteri që të kaloj gjithë kjo. U takuam për të kaluar gjithë inatin me insistimin e një mikut tonë të fuqishëm. Unë s’kam plan për t’u rikthyer me Metën. Unë i kam dhënë fund historisë time me LSI-në.
Patët ju rol në koalicionin PD-LSI?
Unë kam pasur rol kryesor. Berisha kërkoi të negocionte me mua për të gjithë marrëveshjen.
Si i keni marrëdhëniet me elektoratin tuaj në Fier?
Kam marrëdhënie shumë të mira dhe shumë të ngrohta. Elektorati im më ka qëndruar afër në çdo kohë. Në zgjedhjet e fundit lokale i kërkova Ramës vendosjen e disa kandidatëve në komuna dhe të gjitha i fituam. Kjo është një provë që kam ndikim në elektorat.
A jeni pjesë e PS? Ku do të jeni në zgjedhjet e 2013-ës?
Unë jam në opozitë tashmë. Nuk jam pjesë zyrtare e PS-së. Dua të bashkohem me grupin e PS-së dhe të kontribuoj. Ky është një proces sepse siç kam dashamirës aty kam dhe kundërshtar. Është një proces që do kohën e vetë.
A ka moral falja që i ju dhe zoti Rama i keni bërë njëri-tjetrit?
Unë s’jam ndier mirë kur jam takuar me zotin Rama. Ishte këmbëngulja e tij që donte të mos e përmendte fare të shkuarën. Jemi një ambient që urrehemi. Sulmet e mia ndaj Ramës kanë qenë emocionale. Jam ndier shumë i keqardhur për këto akuza. PS ka nevojë tashmë për një klimë solidariteti dhe bashkëpunimi. Rama e ka kapur mirë që duhet parë përpara. Duhet mundur Sali Berisha dhe të mos rriten mërzitë.
Pra, ju do të jeni në llogore kundër Berishës?
Në vitin 2013 si brenda PS apo dhe afër do të jemi kundër Sali Berishës. Unë jam i majtë dhe si i tillë do të luftojë këtë qeveri. Nëse do kthehesh pas në vitin 2009 nuk do ti jepja më votën Sali Berishës.
Si do shkoj LSI në zgjedhjet e ardhshme?
Në koalicion me PD partia e Metës zvogëlohet, ndërsa me PS ajo rritet si parti por nuk dimë sa interes ka PS. Mendoj se një koalicion me PDIU do ishte më i vlefshëm për LSI-në./ORA