Java është ndër ato revista të përjavshme me përmbajtje politike, sociale e kulturore, që me pak “miell”, arrin të nxjerrë një brum “cilësor”, falë disa profesionistëve të gazetarisë që e gatisin atë për çdo të shtunë. Kësaj here, ndër ato hapësira që ia kushton qëndrimit opozitar, kishte zgjedhur të intervistonte Flamur Nokën. Se ç`përfaqëson Noka si figurë, nuk ka nevojë për shumë koment. Mjaft të thuhet se, nëse nuk do ishte në politikë, emri i tij vështirë të njihej për ndonjë gjë tjetër në këtë botë; siç nuk është njohur para se të shfaqej si banor i “shtëpisë blu”. Noka nuk është fenomen i veçuar, pasi çdo parti ka në gjirin e saj të tillë, por me sinore të përcaktuara protagonizmi. Prononcimi i tij në Java, gjuha, stili i bazuar në shfrime politike të një standardi të ulët me elementë provincialë, ishin në një papajtueshmëri me gjithë lëndën e ofruar nga revista; ishte si të fusësh mes saj, një dyfaqësh të një gazete të rëndomtë opozitare me akronim dyshifror. Në respekt të lexuesit, duhej respektuar një standard lënde në të gjitha zërat. Opozita nuk i ka të paktë zërat, ndoshta të ashpër, por më të fismë apo më të rafinuar nga pikëpamja etike dhe intelektuale. Dhe Noka nuk futet tek ata. Vetëm nëse intervista është zgjedhur pikërisht për të lëshuar këtë mesazh: Që Noka nuk hyn tek të fismit në PD. Ndjesë revistës, nëse është kështu.
