Derisa vdiq Bin Ladeni, nuk shpëtuam thjesht nga bëmat e tij vrastare, por dhe nga lajme të tipit: është gjallë! Madje, më shumë njoftohej mbi ende frymimin e tij në këtë botë, sesa për detaje të tjera të aktivitetit të tij kriminal e vrastar. “Eshtë gjallë”, ngjante si shpërthimi i rradhës i frymëzuar dhe i autorizuar prej tij, ku “viktimat” ishin ata që hipotetikisht, po flinin mbi dafina duke menduar se ai ka vdekur. Këtë status po gëzon tashmë dhe “Bin Ladeni shqiptar”, Lavdrim Muhaxheri. Dhe status special madje, sepse për të flitet si për një legjendë, si për një mit, që endet në zonën e amullt mes jetës dhe vdekjes, e del që aty herëpashere me pamje shumë tokësore – siç në rastin e fundit duke pirë çaj – si për të na e vrarë shpresën që mos ta kemi në jetët tona, qoftë dhe si lajm. “Eshtë gjallë”, ngjan dhe si një sforco për ta mbajtur sa më shumë “në jetë” imazhin e tij, sikur dikush fërkon duart për këtë fakt; dhe si një goditje ndaj shpresës së shumëkujt, që mjafton një plumb e ai të ikë nga kjo botë si gjithë të tjerët. Çudi, si të tjerë pa bëma si ai kanë ikur aq lehtshëm; e atë nuk e zë se nuk e zë plumbi! Madje pi dhe çaj, duke na qëlluar vazhdimisht prej së largu me plumba mediatike të llojit: “Jam (dhe është) gjallë!”
