Për një trajner nuk ka gjë më pozitive, sesa lojtarët e zgjedhur prej tij ja shpërblejnë besimin me rezultate në fushë. Raçiç dhe Fazliu, ishin dy zgjedhje ekskluzive të Shpëtim Duros në këtë merkato vere, dhe sulmuesi serb dhe ai kosovar deri tani kanë qenë pika e fortë e skuadrës së Duros.
Në ndeshjen me Teutën shënuan të dy, për Raçiçin ishte goli i tretë në Superiore, për Fazliun i pari por me paraqitjen e bërë, të dy treguan se mund të bashkëjetojnë së bashku brenda kuadratit të gjelbërt. Në çdo moment shpërthyes, të rrezikshëm dhe me nuhatjen për golin. Fazliu ndoshta më i prirur për t’i shpëtuar mbulimeve të kundërshtarëve, aq sa në më shumë se një rast u lirua në goditje falë aftësive të tij, ndërsa Raçiç një nuhatës më i mirë i portës.
Kthesa e Partizanit brenda një jave, me këtë fitore radhazi është dhe meritë e tyre. Një vit më parë, sulmi ishte reparti që prodhonte më pak te të kuqtë, ndërsa deri tani katër gola nga pesë janë shënuar nga sulmuesit, kurse i pesti nga një mesfushor me tipare sulmuesi si Emiljano Vila. Duro deri tani ka mundur t’i japë Partizanit balancën e nevojshme mes një mbrojtje të sigurt dhe një reparti të avancuar me saktësi kirurgjikale. Sigurisht është ende shpejt për të folur, por me këtë ecuri, ka mundësi që sulmi mund të shndërrohet në repartin që do t’i japë më pak dhimbje koke trajnerit të Demave të Kuq.
