Ati i Shenjtë deklaron se Shqipëria është një vend europian për kulturën që ka dhe kulturën e bashkëjetesës që ka trashëguar.
I pyetur nga gazetari Sokol Balla për vizitën në një vend me shumicë myslimane, Papa Francesku shprehet: “Ju thatë që ka shumicë myslimane, por nuk është një vend mysliman.Eshtë një vend europian. Për mua kjo ishte surprizë”.
Papa Francesku deklaron se prej 2 muajsh ka studiuar periudhën e komunizmit gjatë së cilës u ndalua feja dhe u vranë edhe 40 martirët, portretet e të cilëve u varën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Prej 2 muajsh studiova atë periudhë të vështirë të Shqipërisë për ta kuptuar më mirë. Studiova pak edhe periudhën më parë. Ju keni rrënjë kulturore të bukura dhe të forta që në fillimet e historisë. Studiova vazhdimin dhe pashë që kjo ishte një periudhë mizore dhe niveli i mizorisë ishte i tmerrshëm”, thekson Papa Francesku.
