Nipi nuk pranon pjesëmarrjen në vrasjen makabre në grabitje të dy grave të moshuara, ngjarje e ndodhur mëngjesin e 2 shtatorit në qytetin e Durrësit. Kurse i arrestuari i dytë, pranoi se kishte qenë pjesë e krimit dhe shprehu pendesë para trupit gjykues, duke thënë se qëllimi nuk ishte vrasja e dy kunatave Elsa dhe Gjinovefa Vava.
Dy të arrestuarit Artur Kacanolli dhe Velson Elmazi, 28-vjeçarë, dolën paraditen e djeshme për masë sigurie në Gjykatën e Rrethit, ku u vendos “arrest në burg” për akuzën e “vjedhjes me dhunë, me pasojë vdekjen”, në bashkëpunim. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medias, sepse organi i akuzës kishte deklaruar disa detaje sekrete që nuk duhet të dilnin.
I pari doli para trupit gjykues në masë sigurie i dyshuari Velson Elmazi, i cili ka pranuar se ka kryer krimin. Prokurorja Elena Takëllbashi pohoi se i ndaluari edhe gjatë hetimeve ka qenë bashkëpunues, ndërsa në banesën e krimit ka rrëfyer të gjithë skenën se si ndodhi dhe qëllimin përse kishin hyrë. Elmazi ka thënë se donin të merrnin vetëm paratë dhe të kërkonin për flori.
Prokurorja nuk tha nëse i ndaluari ka dëshmuar se nipi i një prej viktimave u kishte treguar për arin në banesë. Më tej ka dalë për masë edhe Artur Kacanolli, i cili akuzohet për bashkëpunim, por 28-vjeçari nuk ka pranuar të jetë i përfshirë në këtë vrasje. “Nuk kam dorë në vrasje. Dy të tjerët i njoh, por nuk u kam thënë gjë për të kryer krimin. Lajmin e mësova vetëm nga mediat”, tha Kacanolli për gjyqtarin e gatshëm Rexhep Bekteshi.
I dyshuari është djali i vajzës së motrës së Gjinovefa Vavës, një prej viktimave. Ai akuzohet gjithashtu edhe për armëmbajtje pa leje, pasi iu gjet një arsenal municionesh në banesë. Kurse Elmazi ka qenë i dënuar më parë për përdhunim në Elbasan.
Në kërkim policia ka edhe autorin e dytë të vrasjes së grave të moshuara. Indrit Shaqo, 40 vjeç, nga Shijaku, edhe ky me precedentë penale dhe i rrezikshëm, akuzohet si bashkëpunëtor. I shpëtoi operacionit të arrestimit fundjavën e kaluar. Së bashku me Elmazin ai dyshohet se kanë hyrë në orën 02:00 të mëngjesit në shtëpinë e kunatave të moshuara 70 dhe 72 vjeçe, në lagjen nr. 11 të Durrësit, dhe aty i kanë dhunuar, lidhur, mbyllur gojën me lecka, duke u shkaktuar asfiksi vdekjeprurëse.
Janë larguar pasi gjetën 200 mijë lekë të reja dhe pasi dështuan të zbulonin floririn e ruajtur prej dekadash nga të moshuarat. Sipas hetimeve të kryera, prokuroria akuzon se Artur Kacanolli ishte bashkëpunëtor, nipi i Gjenovefës, nga martesa e parë, që u ka treguar dy shokëve të tij se atje kishte flori të fshehur nga koha e luftës. Dy të moshuarat u gjetën të pajeta në banesën e tyre dy katëshe, nga djali i njërës prej viktimave.
