E mbani mend datën 16 qershor 2014, datë në të cilën bota e futbollit ndalej për të ndjekur emocionet e Botërorit të Brazilit? Shumëkush sjell në mendje këtë datë për fitoren e Gjermanisë ndaj Portugalisë, apo atë të SHBA ndaj Ganës. Por më 16 qershor është hedhur shorti i Kategorisë Superiore për sezonin 2014-2015, dhe që nga ai moment ka nisur ngacmimi i tifozëve të Tiranës dhe Partizanit për derbin e programuar në javën e 6-të që korrespondon me fundjavën e 27-28 Shtatorit. Por gjithë ajo pritshmëri për derbin e kryeqytetit tashmë është sfumuar dhe java në prag të kryendeshjes së kampionatit nis në një atmosferë aspak ideale.
Një 90-minutësh që do të luhet me dyer të mbyllura, pa praninë e tifozëve dhe sigurisht që bukuria e kësaj sfide tashmë mund të quhet e venitur, të paktën për spektaklin që dhurohet në tribuna. Një ngjarje e shëmtuar nga një pakicë tifozësh të Tiranës në transfertën ndaj Vllaznisë dënon kryeqytetin të përjetojë me madhështinë e zakonshme derbin e shumëpritur dhe tashmë duket e vështirë për futbollistët dhe stafin të japin maksimumin në një ndeshje të tillë. Kemi thënë që ky kampionat është plot risi, me futbollistë të Kombëtares që kthehen të luajnë në Superiore, që disa skuadra janë në garë për titull, por tashmë mund të rendisim midis risive dhe derbin e shumëpritur pa tifozë.
Diçka e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë në 136 takime të zhvilluara dhe risia përtej çdo rezultati është edhe ky, përjetimi i një 90-minutëshi të mbushur me histori, pasion dhe urrejtje në një stadium të akullt. Bëhuni gati, derbi po vjen edhe pse me ftohtësinë e pamenduar ndonjëherë.
