Në muajt e fundit të shtatzënisë, ajo e ekspozoi me kënaqësi trupin e saj. Fotot e bëra gjatë pritjes së ëmbël janë më të dashurat në albumin fotografik të Rezarta Shkurtës. Sot, këngëtarja ka themeluar një kompani, e cila ofron shërbime fotografike familjare. Një trend që ka arritur kulmin, janë pikërisht fotot që bëjnë vajzat shtatzëna. Në fakt, aparati vetë është një dashuri e hershme e Shkurtës, jo vetëm si pasojë e pasionit për modelingun në të kaluarën e saj, por edhe si fotografe profesioniste.
Ndërsa vite më parë ishte tabu të ekspozoje barkun në momentin që ishe duke pritur një fëmijë, sot është kthyer në një nga momentet kur ti mund të “luash” me trupin tënd e të realizosh fotot që do t’i kesh kujtim gjithë jetën.
Vajza të njohura dhe të panjohura, të cilat janë duke pritur një fëmijë, këto kohë janë vendosur përballë aparatit për ta fiksuar në celuloid këtë moment të jetës së tyre. Rezarta Shkurta është një ndër fotografet që ua ka bërë më të bukur shtatzëninë shumë femrave. Po ashtu, mjaft fotografë të tjerë po krijojnë dhe u japin ide nënave të reja për të bërë albumet e tyre në prag të lindjes.
Ne e kemi ftuar Shkurtën sot në Dita për të na treguar më shumë për këtë moment fotografimi dhe trendin e ri të nënave shtatzëna.
Rezarta, dikur keni qenë vetë përballë aparatit, sot vendosni të tjerët…
Pritja e ëmbël është një ndër momentet më magjike për një femër në jetën e saj. Unë personalisht doja pafund të ruaja në kujtimet e mia sa më shumë çaste. E kush më shumë se fotografia mund ta bëjë të pavdekshëm atë sekondë të jetës tënde. Unë pata fatin t’i realizoja, pse mos të ndodhte kjo edhe me nënat e tjera? Kështu lindi “Hera Company”, nga një dëshirë dhe dashuri shumë e madhe për fotografinë.
Nuk e di nëse është një perceptim i gabuar, por më parë, më duket sikur gratë e kishin të vështirë të dilnin në fotografi gjatë shtatzënisë, ishte si një lloj tabuje të ekspozoje barkun. Mendoni dhe ju kështu?
Nuk e di! Mendoj se kjo është ndjenjë personale. Edhe sot mund të ketë njerëz që e kanë akoma tabu. Gjithsecili e përjeton në mënyrën e tij, nuk dua t’i paragjykoj as ata të cilët e mendojnë ndryshe.
Po tani, çfarë ndodh? Kanë dëshirë nënat e reja të bëjnë foto gjatë muajve të pritjes së tyre të ëmbël?
Është më e madhe se një dëshirë. Besoj se nuk ka nëna që nuk duan të fotografohen gjatë kësaj periudhe edhe pse jo të gjitha me foto profesionale.
Sa konsultoheni ju me personazhin përpara se të bëni fotot. A vijnë ato me ide të qarta apo kërkojnë sugjerime nga ju?
Ndodhin të dyja rastet. Ose më saktë i ndërthurim mendimet. Edhe pse Hera Company (flas në emër të kompanisë pasi nuk jam vetëm unë, por ka dhe një staf përkatës duke filluar nga skenografi që kujdeset për sfondin, stilistja e veshjeve dhe punimeve me dorë etj.) ka gjithçka çfarë duhet për të realizuar një foto të kompletuar duke filluar nga veshjet, kordelet etj.
Cila është fotoja më e bukur që i keni bërë një gruaje shtatzënë?
Për mua janë të gjitha shumë të bukura, gjithsecila ka pak nga ‘unë’ aty kështu që nuk mundem të veçoj.
Sa kohë harxhoni me një personazh?
Përgjithësisht personazhit i jepet 3 orë në dispozicion.
Në fakt, Rezarta, ju vetë keni bërë foto gjatë shtatzënisë. Si ndjehet një grua përballë aparatit gjatë kësaj periudhe?
Më bukur se kurrë, por ka dhe një avantazh: Nuk do të duhej të thithësh barkun për të dalë bukur (qesh).
A janë ato fotot më të bukura të jetës suaj?
Janë të vetmet foto që sa herë i shoh, edhe sot, emocionohem.
Jo vetëm vajza shtatzënë, por edhe fëmijët dalin shumë bukur përpara jush. Jeni përqendruar vetëm tek kjo kategori për momentin?
Jam përqendruar tek fotot familjare ato që vërtet të japin motiv lumturie qoftë pritja e ëmbël, fëmijët, apo dhe dasma aty ku nis jeta e vërtet.
Mëmësia
Hera i ngjan mamit të Ermalit
Mund të themi me plot gojën që Rezarta Shkurta është një nënë e përkushtuar. Që nga momenti kur ka ardhur në jetë vajza e saj, Hera, këto dhjetë muaj i përshkruan si më të bukurit e jetës e thotë se i kanë fluturuar aq shpejt sa nuk e ndjen as lodhjen e netëve pa gjumë e as lodhjen dhe frikën kur e ushqen, kur e ndërron, kur i bën banjë, kur e çon në konsultat me pediatrin…
“Shpesh kisha dëgjuar mikeshat e mia për lodhjen, për nevojën e një dadoje dhe më trembte pak pasi kam qenë gjithmonë kundër dadove. Nuk do doja që një e huaj të merrej me engjëllin tim, mirëpo nuk flisja pasi nuk e dija sa do ia dilja për t’ia dalë. Tani e them me plot bindjen se nuk është aspak e lodhshme, nëse e bën me dashuri dhe sigurisht bisedon me veten që kjo punë është e jotja dhe e askujt tjetër. Pagjumësia, apo çdo punë që ka emrin Hera për mua nuk është lodhje por kënaqësi”, vijon ajo. Tani ditët e saj mbajnë kryefjalën Hera, e cila e ka shkëputur nga angazhimet profesionale krejtësisht. Tani evenimentet ku merrte pjesë dikur si festivalet e këngës, i ndjek nga shtëpia, teksa përkund vajzën dhe kjo i fal lumturi. Duket se e bija ia ka mbushur aq shumë ditët sa nuk i mungon karriera, megjithatë Rezarta na thotë se është duke u përgatitur dhe së shpejti do të shfaqet me një projekt muzikor. “Kam aq lumturi brenda zemrës sime sa ndonjëherë më duket sikur kam flutura që më lëvizin tërë kohës në kraharor”.
Feston çdo muaj datën e saj të lindjes, shënon në kalendar vizitat te pediatri dhe ndjen krenari kur e komplimentojnë për bukurinë e vogëlushes së saj, e ka shënuar për të mos e harruar kur e takoi të bijën për herë të parë të sapolindur, kur i shoqi e mori në krahë, sesa u lumturuan gjyshërit kur e panë, mrekullohet kur sheh habinë në gojën e vockël dhe sytë kureshtar….Është Hera Hoxha, vajza e Rezartës dhe Ermalit.
Për të dalë pak nga fotografia. Si po e përjetoni mëmësinë këto kohë?
Një ëndërr. Nuk do mundja dot kurrë ta falënderoja mjaftueshëm Zotin për lumturinë e pakufishme që më ka dhuruar.
Ju ka penguar përkushtimi që keni pasur ndaj vajzës për t’u marrë me veten?
Po, më ka penguar dhe e them me kënaqësinë më të madhe. Vetja ime është familja ime dhe kur janë ata të lumtur unë jam dyfish me ta.
Ndoshta është pak herët, mendoni ta bëni Herën me një vëlla?
Hera e ka një vëlla. Dhe ka vëllain më të përkushtuar e të dashur në botë, Rei.
Kujt i ngjan ajo, ju apo Ermalit?
Hera më shumë i ngjan mamasë së Ermalit.
A është ai një baba i përkushtuar?
Nuk besoj se ka në botë baba më të dashur e të përkushtuar. Dhe ajo ja ka shpërblyer duke thënë fjalën e parë Baba.
Ka qenë e vështirë për ju për të ardhur në formën e mëparshme trupore?
Akoma nuk kam ardhur në linjat e mia. Kjo tregon se është e vështirë.
Kur do të shohim në skenë? Keni ndonjë plan, projekt, këngë të re?
Po punoj për një projekt dhe shpresoj që do jem së shpejti gati.
Në trend viteve të fundit ka hyrë shumë edhe pozimi nudo i yjeve të televizionit kur janë shtatzënë
Shtatzënë dhe nudo… trendi i yjeve
Ajo që e nisi këtë trend ishte Demi Moore e cila e para pozoi e zhveshur dhe me barkun e madh në vitin 1991, kur ishte duke pritur fëmijën e saj të dytë, Scout. Që nga ajo kohë shumë femra të bukura të show biznesit kanë pozuar në mënyrë të ngjashme. Ky trend ka prekur edhe trevat shqiptare. Shumë personazhe të njohur “gjuhen” nga revistat për të pozuar shtatzënë dhe zhveshur në kopertinat e tyre. Tani që e mendojmë, dy emrat televizivë që janë shtatzënë janë Xhemi Shehu dhe Arbana Osmani, i presim dhe ato në kopertina…
