Nga Alqi Koçiko
Imagjinoni pamjet e herëpashershme që shohim në ekranet e huaja, për sherret spektakolare mes deputetëve në parlamente të ndryshme. Kapje zvarrë, grushtime, karrige që fluturojnë, jaka e xhaketa të shqyera. Nuk janë parlamente vendesh të zhvilluara perëndimore e me demokraci të qëndrueshme e jetëgjatë, kuptohet, megjithëse edhe në to nuk kanë munguar episode të ngjashme. Por edhe në këto raste ekstreme nuk ka patur bojkotime të seancave parlamentare nga pala që është ndjerë më e dhunuar.
Kazusi më i freskët shqiptar afërmendsh nuk ka asnjë lidhje me ekstremitetet e mësipërme të dhunës fizike. Sherri që shërbeu si arsye e fortë për bojkotin e Kuvendit nga PD në qershorin e kaluar, bojkot që po vazhdon ende, është një përplasje mes pak individësh, një incident që gjithë të tjerët vrapojnë për ta shuar. E tregojnë këtë “përballje gjimnazistësh” edhe pamjet video nga kamerat e sigurisë së Kuvendit, që më në fund dolën në dritë. Si erdhi kaq befasisht momenti që të hyjë në lojë Prokuroria e Përgjithshme? Dje organi i akuzës krijoi disa minuta suspansë duke paralajmëruar një konferencë urgjente shtypi, e pastaj njoftoi hapjen e hetimeve penale për deputetët socialistë Arben Ndoka e Pjerin Ndreu, me akuzën e “goditjes për shkak të detyrës”. Prokuroria paketoi me këtë rast, edhe akuzën ndaj deputetit të PD-së Astrit Veliaj, biznesmen, se kishte ndërtuar pa leje në Fier një godinë universitare. Pikërisht kjo përpjekje e dobët për të treguar paanshmëri politike dhe “barazlargim”, tradhtojnë të kundërtën: Lëvizje e fundit e Prokurorisë së Përgjithshme me marrjen si të pandehur të tre deputetëve, është padyshim politike. Dhe e nxitur.
Por çfarë ndodhi dje? Publikimi i videos së sherrit ishte atraksioni i ditës dhe këtu kurioziteti mbaron e fillojnë pikëpyetjet. Si ka mundësi që njëherësh me njoftimin dramatik të konferencës për shtyp, dalin dhe pamjet e sherrit ku sigurisht grushti është grusht dhe dacka-dackë? Pikërisht pse është fjala për filmime nga kamerat e sigurisë së Kuvendit, atë video mund ta kishte në zotërim vetëm Kuvendi dhe Prokuroria, si provë materiale. Ndërkaq mësojmë se administrata e Parlamentit është vënë në lëvizje nga kjo ngjarje. Është skandalizuar nga bërja e saj publike dhe po përgatitet ta denoncojë sot këtë ekspozim provash të një çështjeje në hetim. Atëherë? Mbetet që vetë organi i akuzës e ka orkestruar këtë “rrjedhje”. E përforcon këtë arsyetim, fakti që videon e kishin disa televizione (dhe jo vetëm TCH), që e transmetuan secila në edicionin më të afërt të lajmeve.
Sfondi politik i këtij ekspozimi nuk është dhe aq i palexueshëm: Pamjet e një sherri vendçe, që kryeprokurori Llalla u kujdes t’i shohin sa më shumë njerëz, çojnë ujë në mullirin e PD-së dhe të bërtiturave disa mujore se “po na rrahin djemtë”. “E shikoni që ne nuk ngrijmë sallatë kot?”, do të jetë qëndrimi i paskëtajmë i selisë blu, “këta janë të dhunshëm”. E thënë kjo nga Berisha, fjala vjen, është ironike, por ja që kështu do të ndodhë. Por ekziston edhe një pamje tjetër e këtij shërbimi infantil të Llallës për urdhëruesit e tij.
Ngritja e akuzës për dy deputetë gjaknxehtë të mazhorancës, fakti që “më në fund drejtësia po vepron”, i hap rrugën ndërprerjes së bojkotit dhe rikthimit të PD-së në parlament, me sa më pak kosto për qëndrestarët e bojkotit, Berisha-Basha. Për ta thënë më saktë, edhe Basha e ka pasur të qartë kusurin e madh politik që po merrte duke iu bindur Berishës, por nuk mund të bënte ndryshe. Se ai nuk mund të bëjë ndryshe.
Ishte një vendim që në sekondë pësoi efektin bumerang. Deputetë, zyrtarë të njohur të selisë blu, aleatë politikë, si rrallëherë u shprehën hapur kundër këtij qëndrimi të sforcuar dhe joproduktiv të artikuluar nga Lulzim Basha, por të vendosur nga Sali Berisha. Dhanë argumentet e tyre edhe në media, disa emra të zëshëm të opozitës, përfshirë Dashamir Shehin në intervistën e tij për DITA. Dhuna ndaj deputetit Strazimiri që në fillim mori ndëshkim procedural të fajtorëve Ndoka e Ndreu, dhe ekzagjerimi trashanik për këtë “mbyllje goje” që mazhoranca po i bënte opozitës në Tiranë nuk bind askënd. As vetë demokratët.
Ndaj dhe Basha u detyrua të sajojë komitete e komisione paralele që bëjnë për të qeshur e për të qarë dhe ata që janë brenda tyre. Por nga ana tjetër, puna është se kjo ulje e butë në oborrin e Kuvendit me ndihmën e prokurorisë, qoftë dhe me një rrotë të thyer, është e panevojshme si manovër. Shumë më tepër pikë do kishte fituar selia blu, nëse fare thjesht do kishte deklaruar ndërprerjen e vetëpërjashtimit nga jeta parlamentare, për interesat madhore të vendit, duke shprehur njëherësh shpresën që mazhoranca t’i përmbajë trazovaçët e vet.
Parë në këtë prizëm, ndokush mund ta përshëndesë rolin që pranoi të luajë Adriatik Llalla, si “kontribuues në normalizimin e jetës politike”. Problemi është se kjo nuk është fare punë e tij! Përkundrazi, është e kundërta e misionit kushtetues që ka organi i akuzës. Nëse veprimtaria dhe profesionalizmi i prokurorisë ndodh që të shkaktojë zjarre edhe në politikë, atëherë ashtu qoftë. Por që zjarrthet dhe “qitjet me video” të Llallës të shkaktohen pikërisht pse urdhërohen nga segmente të politikës, është një shpërdorim e keqpërdorim ashiqare institucionesh, nga ato që e kanë çuar vendin në këtë derexhe prej nga nuk po dalim dot.
Mirë, njerëzit e këtij vendi, sytë e të cilëve e dinë se ç’dhunë kanë parë e provuar këto 23 vjet, edhe mund të “traumatizohen” nga dy grushta në një video. Por a do të hyjë PD në Kuvend paskëtaj? Shpresojmë që po. Mbase nuk u ndërrohet mendja për inat, pasi të lexojnë rradhë si këto.

E mer Çuna, me te vertete besoni se llalla (jo lala) po tregohet asnjanes dhe po e kryen detyre ma se miri? Po ashte LOJE te cilen e ka kurdise Salihilia. E keni vu re se keto dite po e sulmon llallen (jo hirren) per me tregue se ai nuk ashte i PD. I cuet per bese. Po a thue i hane kush ato koqe ullini? Keni per ta pa. Nuk do vonoje shume
Kryeprokurori Llalla eshte burre me personalitet,por shikoni Liken e Monikes se ai me duket kalerohet mbi dy kuaj.
Ory ky Llalla ala nuk eshte bere hirre …?
Saliu ka hall mos haje dajak per vete.Ai Strazimiri i kishte hak ca flakerima,qe te mesoje te flase me edukate.Rrugac!
Pd do rrije jasht se po i iken Cefa
Bravo, Prokurori i Pergjithshem, po e ben forra ! Nje te djathte , nje te majte ( Florenci dhe Zyhdiu ) ! Tashme dy te majte , nje i djathte ! Me mire ta kete ne rregull me te dy palet : Doren edhe ne revani , edhe ne bakllava, ose me mire nje ne kos e tjetren ne dhalle !