Asaj i shkon plotësisht shprehja “ç’ta sheh syri, ta bën dora”. Imagjinoni një vajzë, pa mbushur 30 vjeç, që e kalon kohën në një zdrukthëtari. Është Pezana Rexha. Ka përfunduar studimet për arkitekturë dhe shumë shpejt ka rënë në sy për origjinalitetin saj në ide dhe dizajn. Mjaft bare e lokale në Tiranë janë të ideuara dhe arreduara nga duart e saj. Na ndodh shpesh që të takojmë vajza që të na tregojnë modelin e fundit të thonjve dhe rrallë nga ato që i kanë duart me pluhurin e drurit më të cilin punojnë.
Gjithçka nisi rreth një vit më parë kur ajo kërkoi të punonte me “vjetërsira”. Çdo gjë prej druri që nuk përdorej më, ajo do të mund ta risillte në jetë. Këtë qëllim i vuri vetes. Dhe brenda më shumë se një viti, ia ka dalë.
Katër vite më parë, kur Pezana përfundoi studimet në degën e Arkitekturës, nuk e kishte menduar ndonjëherë se do të punonte edhe si marangoze. Ajo e thotë duke qeshur këtë, por e pranon dhe i tregon copëzat e drurit që i kanë mbetur nëpër rroba. Historia e saj e dashurisë me drurin nuk ka lindur spontanisht; babai i saj ka qenë mjeshtër në punimin e tij. Në këtë bisedë me Dita-n, Rexha rrëfen se si arriti të kishte një punishte të sajën dhe se si mundi të specifikohej nga gazetat e huaja si një ndër dizenjatoret më të mira në Ballkan dhe në botë.
Dikur mbronte një kauzë me të cilën u bë e njohur mediatikisht. Mbronte kafshët e braktisura në rrugë. Tani mbron jetimët, pensionistët dhe emigrantët. Në punishten e saj punëtorët e parë ishin dy pensionistë dhe dy jetimë. Sot me të punojnë 12 persona, por mes tyre ka edhe emigrantë që janë kthyer në vendlindje. Ajo çka është më e rëndësishme në gjithë punën e saj është arti që del nga duart fine të një vajze të re dhe elegante. E dimë që në këtë terren e treg të ashpër është e vështirë për t’ia dalë, por me vullnet dhe siguri në vete, mund të bësh diferencën kudo!
Pezana, si dhe kur nisi ideja e të bërit art dhe punë me paleta?
Ka nisur si një projekt për ide të gjelbra. Ishte në muajin prill të vitit të kaluar, atëherë kur projekti që paraqita u shpall fitues. Si projekti fitues i Shqipërisë, konkurruam edhe në shkallë rajonale. Ishin në garë projekte nga Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Kosova dhe Shqipëria. Aty fituam sërish. Ky ishte hapi i parë që më dha forcë, sigurisht edhe mbështetje financiare për të nisur një punë më shumë se me kohë të plotë në vjeshtën e vitit të kaluar. Që atëherë ditët e mia janë në një punishte me paleta druri, me dru të vjetër, me materiale që të tjerët nuk i duan më dhe të cilave unë mundohem t’u jap jetë me anë të një forme tjetër.
Druri i vjetër dhe i konsumuar është lënda juaj e parë. Si e siguroni atë?
Po, ajo është lënda e parë, por unë mirëpres çdo gjë që është e vjetër. Por druri është ai që më ngjall më shumë ngrohtësi dhe qetësi. Përdor çdo gjë që për shumë të tjerë mund të jetë plehra që duhen flakur nga shtëpia. Harrojnë që çdo copëz druri ka histori dhe atë mund ta risjellësh në jetë duke e përpunuar dhe duke i dhënë një formë tjetër. Është si t’i japësh shpresë dhe mundësi një njeriu që është flakur në rrugë dhe që është gati të vdesë. Kështu ndihesh kur merr një copëz dru në punishte dhe përpiqesh që ta bësh atë të ndihet me vlerë. Këtë bëj unë.
Çfarë arrin të bësh me drurin dhe si transformohet ai në duart tuaja?
Thuajse çdo punë është e veçantë. Unë përpiqem që të mos riprodhoj. Më pëlqen që druri të qëndrojë ashtu me ngjyrën e tij, i palyer dhe pa lustër, të jetë origjinal. Kam një tavolinë në shtëpi që është dru origjinal, ashtu i pacenuar. Të gjithë ata që janë ulur në tavolinën time, kur kalojnë dorën mbi të ndjejnë se çlodhen. Ngjyra e çelët të fal ngrohtësi, ndërsa ashpërsia që të fal prekja kur kalon dorën nëpër të, të çliron nga tensioni, të çlodh. Ndërsa në lidhje me format artistike që merr druri, unë mendoj se di të bëj mirë avionë, aeroplanë dhe makina.
Cilat janë produktet tuaja më të veçanta, ato që janë komentuar më së shumti dhe i keni bërë të tjerët t’ua kërkojnë?
Ndër gjërat më të veçanta dhe më të komentuara që mund të kem realizuar, është diçka simbolike që Ambasada Holandeze i ka dhuruar Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Është një punim në dru, ku qëndron simboli i të drejtave të njeriut, një simbol i komentuar si një vepër arti. Po ashtu edhe avionët dhe makinat e të gjitha tipologjive të punuara me dorë janë specialitetet tona. Këto janë elementët më tërheqës në çdo panair dhe stendë ku janë paraqitur.
Profesioni
Ju tregoj se si u bëra marangoze
“Unë jam rritur me punën me dru. Që në moshën 12-vjeçare kam pasur dëshirë të merresha me këtë lëndë, por atëherë bëja ndonjë robot të çuditshëm. Të gjithë robotët që realizoja nuk qëndronin në këmbë dhe sidoqoftë isha e detyruar që të realizoja sërish e sërish të tjera për të perfeksionuar punën time. Më vonë, nisa të bëja avionë, aeroplanë dhe makina, të cilat vazhdo ende t’i realizoj tani që jam rritur. Ato janë kthyer në specialitetin tim. Mbaj mend që babi kishte shumë dëshirë të punonte me drurin, paçka se ishte inxhinier. Jam rritur me mobilie druri, por në demokraci gjithçka ndryshoi.
Ne emigruam, por si shumë shqiptarë e morëm demokracinë ndryshe. Mobilimi i shtëpisë ndryshoi, ashtu si thuajse çdo mobilim shtëpie tjetër. Të gjithë filluan të dashuronin materiale të tjera, vetëm drurin jo, sepse ai ishte një nga gjërat që ne donim ta përzinim së bashku me komunizmin. Dukej sikur demokracia do të na sillte të tjera gjëra moderne, por unë vazhdoja ta doja drurin. Shtëpinë time e kam të mobiluar me dru. Tani edhe prindërit po e rikthejnë shtëpinë me mobilimin me dru. Dhe të rritesha në një ambient të tillë më bëri që të dua të punoj me të. Përpos kësaj dua që shumë gjëra të miat të kenë një pjesë nga personaliteti im. Të tjerë i duan të gatshme. Unë dua t’i bëj vetë gjërat. Nuk e kam pasur shumë të vështirë sepse e dua punën me këtë material, e kam dashur që 12 vjeç. Por, jo të gjitha i bëj vetë, pasi ka punë që kërkojnë më shumë forcë dhe fuqi mashkullore. Kështu nisa të bëhem marangoze dhe nuk e kam fare për turp të pranoj që jam marangoze, madje sot mund të gjeni ndonjë copëz druri në rrobat e mia pasi vij menjëherë nga punishtja. Përpiqem që të jem çdo ditë aty për të ndihmuar djemtë që merren me punimin e drurit”.
Një mundësi për të punësuar njerëz në nevojë
Pezana Rexha, 29 vjeçe, arkitekte e lindur në Tiranë, e cila mund të mobilojë një shtëpi të madhe (krevat, banjo, tavolinë, kanape, drita etj.) me një kosto shumë të ulët me orendi të bëra vetëm nga materiali i ricikluar. E pyesim Pezanën që thuajse të gjithë e njohin me “Design By Pana”, siç është edhe e regjistruar në rrjetet sociale, se sa e vështirë ka qenë të dallohet për këtë që bën dhe ajo na përgjigjet: “Ka qenë e vështirë sepse në fillim isha vetëm unë, që punoja si marangoze (qesh). Më pas, nisën të më bashkoheshin dy pensionistë dhe dy jetimë. I pari ishte im atë, që sapo kishte dalë në pension dhe nuk e mendonte dot veten pa punë. Ai dhe pjesa tjetër e familjes më kanë mbështetur shumë, edhe atëherë kur luftoja për kauza që më nxirrnin idealiste, sepse ata e dinë që unë kështu jam. Kuptova se si im atë ka edhe të tjerë, që duan të punojnë, por nuk i gjejnë mundësitë. Nisi me dy pensionistë, pastaj jeta më solli para syve dy jetimë madhorë, që nuk kishin punuar më parë sepse nuk ua hapte kush derën. Sot, punoj me 12 persona. Përveç pensionistëve dhe jetimëve, në ekip kanë mbërritur edhe emigrantë të kthyer në atdhe, por që nuk e kishin gjetur dot veten. Unë vetë kam ardhur nga emigracioni dhe e di sa e vështirë është të përshtatesh sërish. Por, këta të fundit sollën me vete një edukatë tjetër pune, disa prej tyre edhe profesionalizëm. Ka qenë e vështirë, që brenda një viti të dallojmë, por ka qenë edhe e thjeshtë. E duam artin dhe e sjellim atë me ato që shumëkush i quan “vjetërsira prej druri””, rrëfen ajo për Dita-n.


Entela i zbulon e para këta mjeshtër(re) dhe kur lexoj për ta më krijohet një ndjenjë ngrohtësie? Entela ështe virtuoze e përshkrimit, Pezana virtuoze e drurit? Hapjuni udhën këtyre shkrimeve sepse mësojnë shumë të tjerë cfare mund të bësh po të përpiqesh dhe të kesh pasione? Pasionet e medha bëjnë vepra të mëdha ka thënë një i mëncur? Ej, Entela? Na kënaqe me këtë Pezanën tërë ide e idealizëm? Do të shkruaja më gjaté por po më bërtet kafexhiu qé kërkon mbylljen e kafenesë? Ora 23.15 minuta. Nderime!
@@@ Entela me fjalë dhe Pezana me dru,kjo mund të quhet bashkësia e virtuozëve!!? Unë kështu them? @ Entela i zbulon e para këta mjeshtër(re) dhe kur lexoj për ta më krijohet një ndjenjë ngrohtësie? Entela ështe virtuoze e përshkrimit, Pezana virtuoze e drurit? Hapjuni udhën këtyre shkrimeve sepse mësojnë shumë të tjerë cfare mund të bësh po të përpiqesh dhe të kesh pasione? Pasionet e medha bëjnë vepra të mëdha ka thënë një i mëncur? Ej, Entela? Na kënaqe me këtë Pezanën tërë ide e idealizëm? Do të shkruaja më gjaté por po më bërtet kafexhiu qé kërkon mbylljen e kafenesë? Ora 23.15 minuta. Nderime!
Nuk po ju gjeje nr kam nje bar Kafe.nr eshte 0695666078