Fshehën pasurinë, 2 kryekomunarë në gjyq

redaktor

Vetëm një ditë pasi dërgoi në Gjykatën e Lartë dhe mori të pandehur 3 deputetët për goditje për shkak të detyrës dhe ndërtim pa leje, organi i akuzës çon për gjykim edhe 2 dosjet e kryekomunarëve të Ruzhdies dhe Kaçinarit, për akuzën fshehje e pasurisë.

Dy të zgjedhurit vendorë Petrit Bardhi (Petro Doda) në Lezhë dhe Pajtim Gllava në Fier, akuzohen se nuk kanë deklaruar pasurinë e tyre dhe ILDKP dyshoi për fshehjen e milionave dhe pronave të patundshme, duke i denoncuar penalisht. Pas më shumë se tre muaj hetime, dosjet u depozituan dje në Gjykatat e Rretheve.

Burime zyrtare thanë se komunarët janë të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “refuzim për deklarim të interesave private…”.
“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë dërgoi për gjykim kërkesën ndaj Petrit Bardhi, me funksion kryetar i Komunës Kaçinar, i akuzuar për veprën penale të “refuzimit për deklarim…të interesave private” (pasurisë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i parë i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin zyrtar të organit të akuzës.

Për të njëjtën vepër penale, Prokuroria e Rrethit Fier ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj kryetarit të komunës Ruzhdie, Pajtim Gllava. “Hetimi për këta zyrtarë lokalë ka nisur pas kallëzimeve të dorëzuara nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), dorëzuar në muajin Qershor 2014”, bëri me dije prokuroria.

Nga hetimi ka rezultuar se dy zyrtarët, në kundërshtim me ligjin, nuk kanë dorëzuar në afat deklaratën e interesave private të pasurisë, brenda datës 31 mars 2014, sipas procedurave standarde të përcaktuara në ligj.

Po ashtu, dy kryekomunarët nuk e kanë dorëzuar deklaratën e pasurisë edhe pasi u është komunikuar zyrtarisht masa administrative “gjobë”, për vonesë në deklarim.

Me dyshime të forta për milionat e fshehura, ILDKP depozitoi denoncim në prokurori dhe kjo e fundit konkludoi se komunarët janë të dyshuar se kanë konsumuar veprën e mosdeklarimit dhe të fshehjes së pasurisë.

Ende nuk publikohen shifrat financiare dhe pasuritë e patundshme, që pritet të bëhen të ditura gjatë procesit gjyqësor. Kryekomunari Pajtim Gllava drejton prej dy mandatesh komunën Ruzhdie, një bastion i djathtë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *