Djegia e fshatit Borovë dhe vrasja e l07 prej banorëve të tij, mbushën sivjet 71 vjetorin e tyre. Si në përvjetorët e kaluar, u bë ceremonia përkujtimore, e cila u pasqyrua edhe në televizor e në shtyp. Natyrisht me dhimbje e nderim për të rënët dhe me dënim të shprehur e të nënkuptuar të vrasësve. Mirëpo sivjet pati edhe një shkrim mjaft ndryshe nga të zakonshmit, me autor historianin ushtarak dr.Marenglen Kasmi, botuar në gazetën “Panorama” datë 13 Korrik 2014. Shkrimin autori thotë se e ka shkruar me bazë dokumentet e reparteve luftarake gjermane, të cilëve “priret t’u besojë” për arsye të skrupulozitetit që kanë këta lloj dokumentesh. Kështu dhe mbasi shkruan se “Masakrën e Borovës e bëri Vermahti” (ushtria gjermane), përcjell mendimin: “Megjithatë mund të themi se kjo masakër nuk është zbardhur plotësisht deri më sot. Asaj i mungojnë përshkrimi i plotë dhe gjithëpërfshirës i ngjarjeve, arsyeja e ardhjes së gjermanëve në Shqipëri dhe ç’ka është më e rëndësishmja, si u bë e mundur të kryhej një masakër e tillë?” Dhe menjëherë apologjetizmi i tij për të justifikuar vrasësit, e tautologjizmi për të shkruar gjëra të kota, merr rrugë.
Kështu, shkruhet se më i pari plotësim që i duhet bërë Masakrës së Borovës është të sjellësh të shkruar “Kronologjinë e ngjarjeve”, dhe fillon e bën të ditur se: “Divizioni I Alpin për të cilin është shkruar se bëri masakrën e Borovës, me komandant Gjeneral-leitnant Valter Stetner ndodhej në Malin e Zi i ardhur nga fronti rus, për t’u freskuar e për të plotësuar humbjet që kishte pësuar atje”. Kur këto i realizoi, “mori urdhër të marshonte drejt Greqisë” dhe me që ushtarët e tij ishin alpinistë që “kur e donte nevoja ecnin edhe 65 km në ditë, ai eci më këmbë deri në Shkup, pastaj vazhdoi me automjete deri në qytetin Kozan të Greqisë”.
Këtu kronologjia pasurohet me disa të dhëna të tjera. E para është se “me të nisur marshimin” që shënuam, ”divizioni mori dhe urdhrin që të futej në organikën e Grupit të Forcave Tokësore E që ndodhej në Greqi, me komandant gjeneral-kolonelin Alexander Lohn”. E dyta, se komandantit Stetner i lindi detyra të ndodhej sa më parë në Janinë dhe problemi se rruga Kozan-Janinë ishte “e ngushtë, me disa ura të prishura nga partizanët grekë dhe duhej kaluar qafa Mecovo” në malin Pind. Kështu komandanti vendosi të vente atje “nëpërmjet tokës shqiptare, me rrugën Kapshticë, Korçë, Ersekë, Leskovik, Janinë”. Dhe me që duhej të gjendej sa më shpejt në Janinë, komandanti vendosi “…të niste për atje njerin nga regjimentet e tij, me qëllim që të zinte aerodromet e Janinës për të organizuar mbrojtjen ndaj parashutistëve aleatë” (anglo-amerikanët). Regjiment të cilin komandanti Stetner e shoqëroi vetëm deri në Bilisht. Por edhe me dy shtesa të reja: “Divizioni do të vinte i tëri në Janinë pas tri javësh”, dhe “do të vendosej në Janinë e do të futej në organikën e Grup-armatës E, me detyrë mbrojtjen nga një zbarkim i mundshëm i pushtuesve aleatë, mbasi të krihte (pastronte) nga partizanët grekë Malësitë e Pindit”.
Të gjitha këto, pa i qartësuar me ç’urdhër e duke bërë parësore jo parashutistët, apo zbarkimin e ushtrive të aleatëve anglo-amerikanë, që në Korrik të vitit 1943 përfaqësonte gjendjen reale, por krehjen e malësisë së Pindit nga partizanët grekë. Njëherësh edhe vetë kjo krehje do të fillonte me një ngadalësi të pabesueshme, sepse “komandanti vendosi që divizioni të arrinte në Janinë vetëm pas tri javësh”.
Por le t’i lëmë mënjanë këto dhe të shohim ç’plotësime e gjithëpërfshirje dekaron z.Kasmi për Masakrën e Borovës. Në artikull shkruhet se në Regjimentin që komandanti Stetner nisi siç shënuam,”bënin pjesë dhe disa forca të grupit zbulues dhe pesë kompani alpinësh nga një batalion i një regjimenti tjetër, me komandant majorin Renhod Klebe”. Batalion për të cilin autori shkruan se “kish qenë deri në Kaukaz dhe kish bërë raprezalje”, sepse “ushtarët e tij ishin të motivuar me urrejtje raciste e antisemite” dhe ishin “dy kompani të këtij batalioni që u kthyhen nga beteja në Barmash e organizuan Masakrën e Borovës…”.
Këtu e kështu mbaron plotësimi se kush e paska bërë atë gjëmë. Me mohim edhe të sa historiani shkruan në fillim, se atë e bëri Vermahti gjerman, se e bëri Divizioni Alpin, siç shkruajnë historianët shqiptarë, dhe as vetë regjimenti që komandant Stetner nisi për në Janinë. Hollë-hollë as gjithë batalioni që shënuam, por një apo dy kompani të këtij batalioni…
Plotësim ky, i bërë me një çplotësim që s’ka të sharë dhe paçka se borovarët nuk ishin as racë e ulët e as hebrenj?!
Njëherësh në artikullin në fjalë shkruhet se bërjen e masakrës e ndikoi edhe hartimi i një urdhri nga Grupi E, te i cili ndër të tjera thuhej se “gjatë pastrimit të territoreve të rrezikuara nga banditët (partizanët), duhet të merren masa shumë të mprehta. Gjithë vendbanimet që mund të shërbejnë si vendstrehim të banditëve duhet të shkatërrohen. Nëse burrat vendës janë të përfshirë në luftime ose mbështesin banditët, duhet të ekzekutohen në vend. Në të kundërtën ata duhet të merren si robër lufte…”. Paçka se te burrat e Borovës nuk u vërtetua asgjë e tillë, se në Borovë u vranë dhe gratë e fëmijët e djepit, kafshët e shpendët shtëpiake…(?!).
Me përafërsi, në historinë e LANÇ-it përshkruhet ashpërsia e betejës, por jo saktësimet e tjera. Kështu me nëntitull “Masakra e Borovës”, artikullshkruesi vazhdon: “Më 6 Korrik rreth orës 15.15 (jo si në historinë e LANÇ- ku jepet ora 13.30) forca të regjimentit, konkretisht kompanitë 11,12, 13… kolona ra në Barmash në një pritë të ngritur nga batalioni partizan Tomorri”. Dhe pastaj me nëntitull të madh vazhdohet: “Masakra u provokua nga partizanët” dhe poshtë tij se “gjermanët humbën 4 ushtarë (jo si në historinë e LANÇ: Partizanët vranë 100 gjermanë) me shtesë dhe përgjithësimin se “tashmë raprezaljet ishin bëë strategji”.
Të dhëna këto që ngjallin mjaft pyetje e diskutime, por dora-dorës mendoj se duhen sjellë të shkruara disa citime nga dokumentet e komandave ushtarake italiane dhe pushtetarëve të kohës, përmbajtja e të cilëve nuk ka interesa dhe arsye të jetë jo e saktë ose e manipuluar. Në një dokument arkivor që shkruhet në librin “Borova flet”, lexohet: “Gjenerali Stetner kishte lajmëruar se më 6 Korrik do të vinte shumë herët në Korçë e do të takonte komandantin e divizionit italian Arrezzo për bashkëpunim e ndihmë; dhe vetura e tij u nis me shpejtësi në ballë të kolonës së divizionit”. Në një njoftim të një oficeri gjerman nga fronti i luftimit thuhet: “Pararoja e repartit u ndesh me armikun në zonën jugore të fshatit Barmash”. Vetë gjenerali Stetner ka njoftuar eprorët se… “prej datës 7 Korrik batalioni i Barmashit qëndron në vend” dhe më 9 Korrik se “është i mundur bashkëpunimi i italianëve edhe nga drejtimi i jugut dhe perëndimit”. (AQP bobina 315/65)
Pra edhe në mos ishte divizion forca ushtarake që bëri raprezaljen mbi Borovë, divizion u pa e u quajt dhe raprezalja me plot të drejtë atij i atribuohet e mbetet; kështu dhe qenia apo mosqenia fizikisht i pranishëm e komandantit të divizionit Stetner. Ja disa dokumentime e të dhëna të tjera:
Komandanti i rrethit Ersekë me shkresën 11/7/1943 ka njoftuar komandën e Qarkut Korçë se: “Divizioni Alpin gjerman më 6 të këtij muaji u nis për në Leskovik, kur (trupat e tij) arritën në grykat e katundit Barmash janë atakue prej çetave komuniste…”. Kështu e njofton edhe qarku Ministrinë, e kështu e përcjellin edhe përjetuesit e drejtpërdrejtë e gojëdhëna në përgjithësi.
Borovari Petro Andrea – tregtar në Ersekë, por me banim në Borovë, shkruan në kujtimet e tij se e fillimisht e pa autokolonën në rrugëtim dhe ajo ishte shumë e madhe. Kur autokolona arriti në Ersekë pushtetarët vendorë njoftuan tregtarët: “Po vjen një ushtri e madhe gjermane, urdhëroheni t’i mbani hapur dyqanet e t’u jepni ushtarëve gjithçka që të kërkojnë. Ata i kanë paratë në monedhën dinar e ju do ta pranoni me kursin 1 lekë – dy dinarë…”. Gojëdhëna ka thënë: Ushtria e ardhur ishte aq e madhe sa autokolonës nuk i dukej fundi. Ajo arriti në Ersekë nga ora 9 dhe qëndroi atje rreth 1 orë, sepse i ishte prishur një tank e duhej ndrequr. Gjat kësaj kohe komandanti i saj vajti e takoi komandantin e ushtrisë italiane në Kolonjë. Edhe borovari tjetër tregtar në Ersekë, Agameno Lazi, që u nis me biçikletë për të lajmëruar bashkëfshatarët në Borovë, u tha burrave dhe një këshilltari: Po vjen një ushtri gjermane shumë e madhe, mos duhen lajmëruar banorët të largohen?!…
Për mënyrën e lëvizjes së divizionit, pas ndalesës në Ersekë, Petro Andrea shkruan, “kur dëgjova ndezje motorësh, dola dhe mbajta nën vrojtim makinat që u nisën deri sa ato dolën matanë Borovës. Ahere u gëzova (se nuk do të pësonin gjë Borova e familjarët e tij)”. Banorët në Borovë, Kolë Raspopi e Ilo Proko deklaronin: “Kur dëgjuam zhurmë të madhe makinash u shqetësuam dhe dolëm në një breg për të parë. Pamë një veturë të shoqëruar nga dy motoçikleta dhe pas tyre numëruam 17 automjete. Ato qëndruan dhe si bënë një kontroll në shtëpinë e Thoma Aleksit, vazhduan rugëtimin…”. Nëna Thomaidha Kodra dhe vajza e saj Margaritë tregonin: “Makinat që erdhën të parat në Borovë, qëndruan në mes të fshatit dhe 3 ushtarë u sulën drej majës së kodrës. Ata erdhën në shtëpinë tonë duke hapur portën e derën me shqelma. Pastaj na vunë neve automatikët në gjoks dhe na pyetnin: Partizan, partizan? Dhe ne përgjigjeshim, “no, no partizan”. Kontrolluan me të njëjtën mënyrë dhomat e dollapët dhe ikën…
Kështu ishin kontrolluar dhe disa shtëpi të tjera.
Këshilltari Sarandi Meçi deklaronte se “lajmin që solli Agamenua e bashkëfjalosëm të 4-5 burrat që u ndodhën te dyqani në qendër të fshatit dhe u mendua të mos i lajmëronim banorët të largoheshin nga fshati, sepse kështu shtohej sebepi për ta djegur…”.
Të thëna të drejtpërdrejta nga përjetuesit e raprezaljes e gojëdhëna, ka edhe për kur e si filloi raprezalja dhe si u bë ajo. Dhe këto përbëjnë zgjidhjen e nyjës që krijohet nga artikulli në fjalë me përcjelljen e mendimit se masakrën e bënë dy kompani që u kthyen nga prita. (Një shkrues tjetër i pakujdesshëm ka shkruar se u kthye gjithë pararoja, pavarësisht se në atë rrugë të ngushtë ishte e vështirë të kthehej mbrapsht edhe një kafshë e ngarkuar, jo më makina me topa pas e tanke).
Mirëpo në të njëjtin artikull shkruhet se prita filloi në orën l5.15 dhe zgjati 3 orë. Kështu del që raprezalja në Borovë të ketë filluar diku rreth orëve 7 e 8 të mbrëmjes së 6 Korrikut. Ky është një shpjegim te i cili s’ka asnjë grimcë të vërtetë sepse, tymi i djegies së Borovës është parë nga gjithë fshatrat e Kolonjës e më gjerë, dhe ka qenë mesditë. Njëherësh dihet gjerësisht tek ne se gjermanët me t’u ngrysur stacionoheshin diku, siguronin veten e nuk lëviznin. Gjendje që është vërtetuar edhe në rastin e Borovës e do të argumentohet. Dhe më në fund, sipas këtij shkrimi duhet pranuar, në mënyrë deri të palogjiktë, se kështu del që dy kompanitë në fjalë, kanë braktisur shokët në betejë e u kthyen për të djegur Borovën…
Sa shënuam, e vërtetojnë dhe të dhënat e shumë përjetuesve të raprezaljes, por po sjellim vetëm disa prej tyre. Borovari Thoma Meçi, me garancinë se e ka parë më mirë gjithë sa ndodhi sepse ishte duke punuar në lartësinë Labanik, ka dëshmuar: “Isha duke punuar në Labanik. Pashë të vinte një autokolonë dhe ndoqa me sy kontrollet që bëri e deri sa ajo doli nga Borova. Atëhere iu ktheva punës e vazhdova të punoj, deri kur më buçiti një zhurmë shumë e madhe automjetesh. Atëherë pashë të vinin drejt Borovës aq shumë makina, tanke e topa sa u habita dhe fillova t’i numëroja, por numërimi më doli i pamundur. Ndenja në gjendje habie deri kur dëgjova shkrehjen e armëve e pashë të digjeshin shtëpi. Mendova të vija e të sillja këtu dy thasë me miell që i mbanim gati për ndonjë rast të tillë, por nuk e bëra këtë…”
Kolë Raspopi e Ilo Prokua thoshin se dolën përsëri te bregu dhe u ndjenë aq shumë të shqetësuar, “sa filluam të rrihnim mendime se ç’do të ndodhte e ç’do të bënim… Në këtë çast pamë të dilte në Stradok njëra nga motoçikletat që kishin shkuar më parë. Ai motoçiklist me të takuar autokolonën, qëndroi dhe seç i tha një komandanti që zbriti e takoi. Ky komandant dha një urdhër, shkroi e nguli buzë xhadesë një tabelë-urdhër dhe ushtarët zbritën nga makinat e filluan të shkrehnin armë. Ne u tmerruam dhe vrapuam të fshiheshim bashkë me familjarët në pjesët më të sigurta të banesave, Fshehje të kota sepse ushtarët digjnin edhe banesat”. (Përfundimisht Kola mundi të largohej nga shtëpia, kurse Ilua e familjarët e tij u bënë pre e vrasësve).
Si këto ka dhe të tjera thënie nga borovarët, e disa prej tyre janë shkruar në librin “Borova Flet”. Ajo që duhet theksuar në këtë rast është se të gjithë borovarët e shpëtuar thoshin se djegiet e vrasjet filluan në vakt dreke ose vetëm pak pas saj. Ndërsa që gjermanët nuk vepronin natën, po sjellim të shkruar disa nga shumë vërtetime. Njeri është se nga dreka deri në mbrëmjen e ditës së parë, gjermanët nuk mundën të digjnin të gjitha ndërtesat e Borovës. Sepse duke llogaritur që çdo shtëpi kishte deri tri ndërtesa shtesë (atë të gatimit e furrën e bukës, të zahiresë së bagëtive për dimër e shumica edhe ahure të veçantë), atyre u duhej të digjnin mbi 300 ngrehina. Kështu dogjën vetëm dy lagjet më të afërta dhe lanë për ditën tjetër lagjen e tretë Pashkallarë. Të tjera janë: Dy familjet, shtëpitë e të cilave shpëtuan pa u djegur e banorët pa u vrarë, sepse prindërit e tyre duke qenë nëpunës, ishin regjistruar detyrimisht në Partinë Fashiste dhe këtë ua dëshmuan vrasësve, u larguan nga fshati pikërisht natën e 6 korrikut. Kështu dhe Ilo Prokua që u qëllua e mbeti i shtrirë pa ndjenja, kur u vranë banorët e familjes së tij, sepse natën pasardhëse erdhi në vete e u largua. Kështu u largua atë natë edhe Vasil Konini i cili ra me të bashkë-pushkatuarit e shumtë te oborri i priftit, por pa u prekur nga predhat e automatikut.
Një e pavërtetë tjetër dhe absurditet i madh te artikulli i z.Kasmi qëndron në cilësimin e pritës “Provokim”, ndjekur me disa përfolje keqdashëse për historianët shqiptarë dhe spekullim me shifrat e gjermanëve të vrarë. Për këtë të fundit shkruhet se u vranë vetëm 4 gjermanë e jo 100, siç është shkruar në Historinë e Luftës tonë kundër këtyre pushtuesve.
Që provokimet me përmbajtje dëmtimin e popullit ishin jo vetëm të huaja por edhe jashtë natyrës së kësaj lufte, vërtetohet me faktin se luftrat nacionalçlirimtare kishin për kusht përcaktimor të brendshëm mbrojtjen e popullit. Sepse ato mund të ndërmerreshin e të kishin sukses vetëm duke u bërë e qenë me të vërtetë popullore. Kështu ishte kusht përcaktimor dhe mos-shndërrimi i tyre në luftra civile dhe kusht i jashtëm që ato duhej detyrimisht të ishin kundër agresorëve.
Kështu ka ndodhur në të vërtetë raprezalja e Borovës.
Por edhe kështu asaj i mungojnë disa çaste të veçanta por mjaft themelore. Njëri prej tyre është se raprezalja e Borovës aq sa nuk mund të shihet si e rastit apo aksidentale, nuk është e tillë dhe brenda vetë normave të fundit të vëna nga vetë Hitleri dhe gjendja e Gjermanisë.
Në historitë e shteteve nazi-fashiste bëhet fjalë për raprezalje të egër ndaj bashkëkombësve komunistë e më gjerë; për raprezalje anti hebreje e racore, për raprezalje në të gjithë vendet që ata pushtonin e veçanërisht ndaj popujve sovjetikë etj. Por ka edhe disa çaste të ndryshuara. Kështu personaliteti gjerman Von Papen ka shkruar në kujtimet e tij se: “…Kur u pa që lufta e partizanëve sovjetikë na detyroi të mbanim në prapavijë aq ushtarë sa kishim edhe në front, sepse ata shkatërronin urat e ne duhej të vinim të paktën një togë ushtarësh roje në çdo urë; sepse ata çmontonin shinat e hekurudhave e ne na u desh të vinim roje të paktën në çdo kilometër etj., vetë Hitleri hodhi poshtë motivimin e bërë ushtarëve gjermanë se poujt sovjetikë janë racë e ulët, intelektualët e tyre të pazotë etj., me rezultat vrasjen e tyre pa asnjë hezitim, duke u lënë atyre të vetmen alternativë jete daljen partizan…. Ai shkroi e firmosi vetë një letër e cila iu dha çdo ushtari gjerman, me përmbajtje të kundërt nga motivimi i mëparshëm. Por kjo tashmë ishte shumë vonë…
E dyta. Duke qenë raprezalja më shumë politike se ushtarake (sepse ushtria mund të mbrohet edhe me mënyra thjesht ushtarake), ajo nuk është zbatuar kudo e në të njëjtën masë në çdo vend ku kanë shkelur trupat gjermane. Edhe në raprezaljen më të ashpër të Lidiçes në Çekosllovaki, (me shkak se atje u vra me atentat një Rajhard Hajdrih, zëvendësi i Himlerit), u vranë gjithë meshkujt dhe vetëm 52 gra. Gratë e tjera dhe fëmijët nuk u vranë…Në qytezën greke Kalavrita ku u vranë ushtarë gjermanë, u pushkatuan gjithashtu vetëm meshkujt, por edhe ata vetëm mbi 12 vjeç, kurse gratë e fëmijët u mbyllën në shkollë e nuk u vranë… Ndërsa në Borovë, pa u vrarë asnjë ushtar gjerman e pa u gjetur atje asnjë partizan dhe duke qenë prita l5 kilometra larg, u vranë të gjithë banorët që nuk mundën t’u shpëtonin syve të ushtarëve, përfshi dhe foshnjet e djepit?!
E treta qëndron në mospërputhjen e Masakrës së Borovës edhe me vetë gjendjen e ndryshuar të Gjermanisë dhe drejtuesve të saj, në vitin 1943. Personaliteti tjetër gjerman Albert Speer, arkitekti personal i Hitlerit dhe Ministër i Armatimeve, ka shkruar në kujtimet e tij se gjendja ekonomike dhe prodhimi i armatimeve veçanërisht, ishin me mungesë të ndjeshme fuqie punëtore. “I kërkuam punëtorë Francës, por nuk na dha. Kurse miqtë tanë po bënin llogari si të mos pësonin fatin e Gjermanisë. Edhe më keq ishte gjendja me metalet shumë të nevojshme si kromi, pa të cilin nuk mund të funksionojë asnjë industri moderne ushtarake. Dhe në këtë kohë ne kishim gjendje vetëm 21.000 ton krom, kur konsumi ditor ishte 3571 ton. Kromi sillej nga Turqia e për këtë ne duhej të ishim të pranishëm në Ballkan”.
Njëherësh vetë Hitleri kishte pasur ndryshime të mëdha përjetimesh dhe gjendjesh. Ai ishte tepër i lodhur, kish pagjumësi, lidhur me gjendjen në Ukrainë kishte çekuilibrime, përgjithësisht ishte jo enthuziast e nuk donte të dëgjonte ndodhi të këqija.
Ballafaquar me këto gjendje, bërjen e raprezaljes në Borovë dhe shkallën mizore të saj që shkon deri në vrasjen e fëmijëve të djepit. nuk ka arsye që t’i justifikojë e mendje që t’i kundërshtojë. Mungesa e këtyre pamjeve të gjendjes është pjesë edhe e artikullit “gjithëpërfshirës” të Masakrës së Borovës. Sepse sipas dokumenteve që përmend artikullshkruesi në fjalë, kjo raprezalje justifikohet me nevojën për të pasur divizioni rrugën të hapur për furnizime, me pranim të ndërsjelltë se këtë rrugë ja pengokërkshin gratë e fëmijët e Borovës (?!)…
Kështu ngjan të jetë më e plotë e më gjithëpërfshirëse Masakra e Borovës. E megjithëkëtë prapë diçka mbetet pa u zbardhur. Këtë e tregon paqartësia e informimeve që komandantët gjermanë morën në Korçë e sidomos në Kolonjë. Borovarët e mbetur gjallë dhe pasardhësit e tyre përjetojnë dhe shprehin një pikëpyetje të madhe. Atë ua përcjell fakti që gjermanët e Korrikut 1943 vepruan me një diferencim aq të hollësishëm sa nuk mund të ishte kurrsesi dijeni e tyre. Ky diferencim qëndron në djegien e vrasjen me synim shuarjen e plotë të Borovës, e cila është 15 kilometra larg pritës së Barmashit dhe djegien me përzgjedhje vetëm të disa shtëpive e vrasjen vetëm të 6 banorëve në fshatin Barmash. Ndërsa në fshatin Radanj dogjën banesat, por arrestuan e vranë diku matanë Leskovikut 4 aktivistë të njohur të Luftës Nacionalçlirimtare. Njëkohësisht te borovarët është dhe ruhet mendimi se këto hollësi nuk mund t’i njihnin as komandantët italianë, tashmë prej muajsh të ngujuar mbylltas në Ersekë. Kështu, në informacionin e dhënë komandantit gjerman në Ersekë borovarët dyshojnë për praninë atje dhe të ndonjë kolonjari me qëndrim të kundërt politik me atë të nacionalçlirimtarëve.
Sa shënuam ka pak gjasë të mungojë në dokumentet gjermane të llojit që përmend z. Kasmi dhe nëse është kështu, është në nderin e tij t’i bëjë publike. Sikurse mund të mos mungojnë dhe në dokumentat përkatëse të dy komandave italiane që përmendëm, dhe është nder e mund te jetë akt lehtësonjës për ato dhe vendin e tyre, prania e këtyre komandave në raprezaljen e shumë shëmtuar të Borovës.
Atëherë qartësohet plotësisht Masakra e Borovës. Lidhur me numrin e gjermanëve të vrarë në pritën e Barmashit po shtoj këto plotësime:
Shkrimi se u vranë vetëm 4 gjermanë rrëzohet nga numërimi që u ka bërë atyre një borovar i fshehur pranë rrugës për t’i shpëtuar vrasjes. Ai thosh se ka parë e numëruar të transportoheshin 6 të vrarë dhe në Ersekë ishin po kaq varre gjermanësh. Ndërkohë është shkruar se ishin dhe 18 të plagosur. Njëherësh në të dhënat të pushtetarëve vendorë shkruhet se: “Më datën 7 Korrik afër fshatit Shalës kishin mbetur të vrarë dhe 2 gjermanë të tjerë dhe 8 të plagosur”. Në librin “Borova Flet” shkruhet se “vetëm disa ditë pas ngjarjes së Barmashit, në Ersekë erdhi një lajm i kobshëm… më datën 13 të këtij muaji ora 7 e mëngjezi. Ndërmjet fshatrave Shalës e Barmash afër 20 km larg Ersekës, çeta partizane ka takuar 11 gjermanë që shoqëronin një top për në Janinë dhe vrau 9 gjermanë e plagosi 1 prej tyre”. Dhe në Historinë e Luftës Antifashiste, f. 413 shkruhet: “Pas Leskovikut, ku hynë më 8 Korrik, gjermanët duhej të ndërtonin urën mbi Vjosë që ish e shkatërruar, dhe vendosën patrulla sigurimi e filluan punën. Njëra nga këto patrulla e përbërë nga 10 veta, u asgjësua nga çeta e Rrëzës dhe gjermanët për hakmarrje dogjën fshatrat Perat, Vllahopisoder e Biovizhdë”.
Pra edhe numri i të vrarëve – 60 që shkruhet në këtë histori -, duke përfshirë dhe të plagosurit arrin në 54 vetë.

Boroven e dogji ”kamja ”.
Ushtria gjermane ka pas urdher ushtarak qe, nese i vritet jashte luftimit, pra jo ne beteje 1-ushtar ai hakmerrej duke vrare 10-banore e, nese u vritej pabesisht, jo n’ beteje nje ushtarak i larte, hakmerreshin duke vrare 100- banorë. Une s’e di te verteten e diegjes e vrasejes se 107 borovareve, po di te them se ne Barbullush te Shkodres ku ushtria gjermane po bente fushim ne rrugen drejte Malit te Zi, nje fshatar, mashtroi 1-oficer se gjoja do te shkonin per te gjuajtur ne kenete, por barbullushasi e vrau per t’i marre rrobat dhe armet. Gjermanet rreshtuane krejte nje lagjje “Pasterpat” te fshatit per t’i pushkatuar si hakmerrje. U pushkatuan shume, rreth 30- fshatare, po nderhyrja e priftit, Dom Zef Gila, qe ka lene shnime me shkrim per kete “masaker” , beri qe ata (gjermanet) te mos realizojne vrasjen e 100- vetave. Prifti fajesoi komandantin gjerman qe eshte larguar nga tufa si puna e dhise qe e ha ujku.
Pallavrat e deshmoreve e luftes me gjermane u ka perenduar koha. Te shkruhet historia ashtu si ka ndodhur e jo me vrasje gjermanesh me llastik si te filmi “Furtuna”.