Përplasje brenda BE-së, në OKB

redaktor

Mbledhja e radhës e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, po përcjell opinionet, angazhimet dhe shqetësimet më kryesore të kombeve, përballë sfidave globale të paqes dhe sigurisë. Vëmendje tërheqin fokusimet e axhendave kombëtare në pikat më të nxehta, siç janë lufta ndaj terrorizmit, konflikti në Ukrainë, kriza e përhapjes së virusit Ebola, si edhe ndryshimet klimatike. Një panoramë tejet interesante shfaq axhenda e BE-së, teksa  ekspozohet në përplasje me prioritetet kombëtare të disa vendeve të rëndësishme anëtare. Ndonëse konflikti në Ukrainë merr një rëndësi tejet të veçantë në fjalën e kreut të Këshillit Europian Herman Van Rompuy, prioriteti dhe angazhimi kombëtar i Francës dhe Britanisë së Madhe shkon drejt luftës ndaj terrorizmit, duke anashkaluar Ukrainën. Nga ana tjetër Turqia, vend kandidat për në BE, kritikon Perëndimin për standarde të dyfishta në luftën ndaj terrorizmit, si edhe i kujton Europës të jetë më bujare me mikpritjen e refugjatëve, sidomos në raste krizash.

Për BE-në, shqetësimi kryesor i përcjellë gjatë fjalës së Presidentit të Këshillit të Europës Van Rompuy, ishte konflikti në Ukrainë dhe aneksimi ilegal i Krimesë nga Rusia. “Kërcënimi më i rëndë i sigurisë evropiane në dekada”…(…) Kur preken kufijtë preket paqja”, do të vlerësohej në fjalën e Rompuy, dhunimi i sovranitetit të Ukrainës dhe i integritetit të saj territorial. Ai do të theksonte gjithashtu, se ky akt, ishte një kërcënim, që shkonte përtej kufijve të kontinentit Europian, pasi kishte të bënte me refuzimin për përdorimin e forcës dhe mbi ruajtjen e sundimit të ligjit, që duhet të garantojë Organizata e Kombeve të Bashkuara. Në këndvështrimin e BE-së, miratimi i Rezolutës 68/262 mbi integritetin territorial të Ukrainës, dhe mesazhi që ajo përcillte, se thyerja e ligjit nuk do të tolerohet, kontribuon në ruajtjen e vlerave të Kartës së OKB-së. Van Rompuy theksoi gjithashtu se, BE ndërmori një sërë masash sanksionuese, politike, ekonomike dhe financiare në përgjigje të agresionit dhe dhunimit të ligjit ndërkombëtar, edhe pse këto masa do të dëmtonin edhe ekonominë e BE-së, por nuk u ngadalësuan, pasi vihej në diskutim stabiliteti i shtëpisë evropiane.

Por, ndërsa një vëmendje e rëndësishme kushtohej në fjalën, që përcillte opinionin dhe angazhimin e BE-së, përballë sfidave të paqes dhe sigurisë globale, vende të ndryshme anëtare të BE-së, si Franca apo Britania e Madhe, kishin një fokus ndjeshëm të ndryshëm.

Për Francën dhe Presidentin francez Fransua Holond, terrorizmi dhe lufta ndaj tij, do të ishin shqetësimi kryesor i përcjellë nëpërmjet fjalës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Teksa theksonte se, po shprehej me një emocion të veçantë, dhe duke përdorur në fjalimin e tij një stilistikë gjuhësore prekëse, ai do të përmendte ekzekutimin e pengjeve franceze nga grupet terroriste, duke i konsideruar këto akte si barbarizma, që prekin edhe kombe të tjerë përveç Francës. Ai theksoi angazhimin maksimal të Francës sa herë që ka një rrezik, duke konsideruar si rreziqe imediate, kërcënimin që ekziston në Irak dhe në Siri.

Por, teksa vëzhgon fjalimin e tij, nuk mund të kalojë pa u konstatuar forma dhe renditja që marrin kërcënimet globale. Pra, ndërsa lufta ndaj terrorizmit zinte hapësirën kryesore duke dominuar nëpërmjet një stilistike të veçantë, konflikti i Ukrainës renditej diku mes rrezikut të virusit të Ebolës dhe rrezikut klimatik, vetëm në një hapësirë të vogël paragrafi, ku theksi vihej mbi domosdoshmërinë e paqes në rajon.

Edhe për kryeministrin britanik David Kamerun, konflikti në Ukrainë rrëshqiste vetëm në një paragraf në fjalinë hyrëse dhe shqetësimi kryesor i axhendës britanike ngelet kërcënimi, që vjen nga terrorizmi, kryesisht në Irak dhe Siri. Një axhendë e cila përfshinte gjithashtu një plan kuadër veprimi të fokusuar në 4 fusha: Lufta dhe propaganda ndaj ideologjisë helmuese të Islamit ekstremist; bashkëpunimi ndërqeveritar; puna me partnerë në rajon që janë të përgatitur të jenë pjesë e zgjidhjes, potencialisht përfshirja e Iranit; si edhe luftë pa kompromis, duke përdorur gjithë mjetet në dispozicion, duke përfshirë edhe forcën ushtarake.

Fqinjët evropianë të Rusisë 

Por, për fqinjët perëndimorë të Rusisë si Estonia, Letonia apo Finlanda, shqetësimi kryesor i axhendës së tyre ngelet Rusia dhe aneksimi i Krimesë, duke u pozicionuar në të njëjtën linjë me axhendën e BE-së.

Presidenti i Estonisë, Tomas Hendrik Ilves do të vlerësonte në fjalën e tij se, ndryshimi i kufijve me forcë nën dhunimin e të gjithë ligjeve ndërkombëtare kërcënon jo vetëm stabilitetin e rajonit, por të vetë botës, duke kërkuar dënimin e këtyre akteve dhe duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar të mos e lërë Krimenë në këtë situatë, në të cilën ndodhet sot:

“Nuk mund të pranojmë konflikte të ngrira të krijuara për synime gjeopolitike …(…)… Zilja e alarmit ra 6 vite më parë në Gjeorgji, por pak u angazhuan për të dëgjuar zilen e zgjimit. Zhvillimet e fundit na detyrojnë të rikonsiderojmë seriozisht rolin e Kombeve të Bashkuara…(…).. Si mundet një prej qëllimeve thelbësore të OKB-së, paqja globale dhe siguria, të promovohet kur marrëveshje bazike ndërkombëtare injorohen, kufij shtetëror ndryshohen dhe territore aneksohen me forcë?”

Edhe për Finlandën, shqetësimi kryesor në të njëjtën linjë me prioritetet e BE-së, ngelet fqinji i saj Rusia. Presidenti finlandez, Sauli Niinisto, do të vlerësonte gjatë fjalës së tij, se vlerat themelore dhe rregullat e Kombeve të Bashkuara janë dhunuar dhe se një sistem ndërkombëtar i bazuar mbi rregullin, është parakusht për paqen dhe sigurinë, për të drejtat e njeriut dhe zhvillimin. Ai do të deklaronte gjithashtu se do të ishte një gabim dramatik të lejojmë rendin tonë të bazuar në ligj, të rrëshqasë drejt kaosit dhe ligjit të xhunglës.

Edhe për Presidentin e Letonisë, Andris Byrziny siguria globale dhe paqja po sfidohet nga forca, që duan të rishkruajnë historinë dhe rregullat e rendit ndërkombëtar. Për Letoninë, agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, ka sfiduar principet bazë të Kombeve të Bashkuara, duke çrrënjosur vetë themelin e sistemit ndërkombëtar, veprime të cilat mund të kualifikohen vetëm si një kërcënim i paqes dhe i sigurisë.

Teksa polarizime të ndryshme shfaqen gjatë fjalimeve në prioritetet e axhendave kombëtare të vendeve anëtare të BE-së, kjo nuk ndryshon aspak panoramën e një Europe e cila e ka të vështirë gjetjen e një kohezioni, sidomos në fushën e politikës së jashtme. Një sfidë sa institucionale por edhe morale, e cila parapret angazhimin e radhës të Përfaqësueses së Lartë të sapozgjedhur BE-së, Federica Mogherini drejt gjetjes së një kohezioni dhe koordinimi politik më efikas përballë sfidave rajonale dhe globale./im.ta/

 

 

 

Share This Article