Në Qytetin Studenti mbizotëron qetësia. Ende nuk ka nisur të dëgjohet vrulli i takave që vrapojnë për në shkollë. Pranë drejtorisë së QS-së, hyjnë e dalin njerëz me letra në duar, apo edhe prindër që kërkojnë të informohen mbi mënyrën se si mund të strehojnë fëmijën e tyre në godinat që gjenden aty. Shifra 450 mijë (të vjetra) lekë në vit u duket lirë, në krahasim me vlerën e qirasë që mund të gjejnë në kryeqytet. Katër ditë përpara se të nisin regjistrimet e studentëve të rinj, por edhe atyre të “vjetër” në shkuam për të takuar drejtoreshën, Anila Shehu. Në një bisedë për “Ditën” ajo na informoi për kushtet aktuale dhe pagesën që duhet të bëjë çdo student që të akomodohet në qytetin e rinisë së përjetshme, siç quhej dikur, por edhe sot!
Zonja Anila, si ka qenë kjo periudhë për ju dhe kur kanë filluar përgatitjet për këtë vit të ri akademik?
Periudha e verës është periudha me më shumë punë në Qytetin Studenti. Të gjithë punonjësit impenjohen maksimalisht për të bërë më të mirën e mundshme për të pritur studentët.
Sa pritet të jetë numri i studentëve që do të akomodohen këtë vit?
Ne presim që rreth 6 000 studentë të akomodohen në konvikte. Këtu kapaciteti total i 26 konvikteve është po kaq, gjashtë mijë, ku dy mijë studentë priten që të jenë të viteve të para. Në çdo konvikt janë të afishuara listat emërore të studentëve që rikthehen për vit të dytë, të tretë, të katërt e në vazhdim. Me afishimin e këtyre listave automatikisht kanë dalë dhe vendet bosh që i kemi menaxhuar dhe i kemi ndarë sipas fakulteteve. Çdo fakultet ka godinën e tij.

Si do të bëhen regjistrimet?
Procedura e regjistrimit nuk ka ndryshime thelbësore, thjesht, studenti duhet të ketë me vete dokumentacionin e kërkuar ditën e regjistrimit. Është studenti që zgjedh studentët e tjerë më të cilët dëshiron të ndajë dhomën. Ne do të jemi të kujdesshëm të plotësojmë të gjitha kërkesat e tyre me aq sa kemi mundësi.
Procedura është e njëjtë, si për ata që vijnë për herë të parë në QS, edhe për studentët e viteve të dyta apo të treta?
Procedura e regjistrimit është e njëjtë, ka vetëm një detaj që dhomat për vitet e para përzgjidhen nga komisionet e vendosura për këtë qellim, ku çdo gjë është transparente dhe vetë studenti merr pjesë në përzgjedhjen e grupit shoqëror me të cilët dëshiron të qëndrojë.
Sa do të jetë tarifa e akomodimit?
Tarifa nuk ka ndryshuar, është e njëjtë në vlerë me vitin e kaluar, 45 000 lekë të reja në vit për çdo studentë. Kemi bërë një plan ndërhyrje për çdo konvikt. Të them të vërtetën këtë vit nuk janë bërë investime. Megjithatë ne jemi duke bashkëpunuar dhe duke kërkuar që të kemi një partneritet publik e privat që të arrijmë në rikonstruksionin e disa konvikteve këtu në Qytetin Studenti.
U tha në fund të vitit akademik se ju do të lëviznit në rrethe të ndryshme të vendit për një fushatë informuese ndaj studentëve, u realizua kjo?
Po, gjatë gjithë periudhës se verës ne kemi zhvilluar një fushatë informuese në të gjithë rrethet e Shqipërisë, me fletë-plasoje, poster, për procedurën e regjistrimit, tarifën, dokumentacionin përkatës.
Zonja Anila, ju keni më pak se një vit që keni marrë këtë detyrë, si kanë qenë këto muaj, cilat kanë qenë vështirësitë tuaja dhe çfarë keni ndryshuar gjatë kësaj kohë në Qytetin Studenti?
Vështirësitë kanë qenë të shumta, kur përpara një studenti nuk ke përgjigjen e duhur për kërkesën që ai ka, si dhe detyrimet e mëdha financiare të prapambetura që ka ky institucion. Jam munduar të përfshijë vetë studentët në vendimmarrje duke ngritur përfaqësinë studentore e cila është një strukture që ndihmon shumë në punën tonë, për t’i ardhur në ndihmë dhe për të plotësuar kërkesat e tyre. Jemi munduar të bëjmë më të mirën e mundshme në përmirësimin e kushteve, por mbetet shumë punë për t’u bërë.
Regjistrimi
“Vetëm për studentët e viteve të para është e nevojshme, paraqitja fizike e tyre pranë ambienteve të Qytetit Studenti. Regjistrimet nisnin në datën 1 tetor, datë kur nisin edhe regjistrimet në fakultetet përkatëse” thekson drejtoresha Anila Shehu. Studentet e viteve të para të cilët do të qëndrojnë në godinat e Qytetit Studenti, në momentin e regjistrimit në fakultetet fituese, pajisen me vërtetimin i cili u jep edhe mundësinë për regjistrim në konvikte. Sipas saj, për studentët e viteve të dyta, të treta dhe të katërta këtë vit është ndjekur një procedurë e re. Në momentin që këta studentë do të paraqiten pranë bankës dhe do të bëjnë pagesën, aty do të informohen edhe për godinën në të cilën janë të akomoduar dhe numrin e dhomës. Kjo do të thotë që në ditën që ata paraqiten pranë konvikteve do të pajisen me çelësin e dhomës.
Informimi
Drejtoria e Qytetit Studenti gjatë verës në të gjitha rrethet e vendit ka zhvilluar një fushatë të gjerë informimi për të rinjtë duke u sqaruar mbi procedurat e regjistrimit në konvikte. “Këtë vit në sollëm një risi në informimin e studentëve. Të rinjtë kanë marrë informacionin në rrethet e tyre se si do të kryejnë regjistrimin. Pra, studentët e viteve të dyta, të treta dhe më lart do të mësojnë në momentin e kryerjes së pagesës mbi dhomën në të cilën do të akomodohen”, tha Shehu.
Godina e të dashuruarve
Një godinë vetëm për çifte? Kushedi sa breza studentësh e kanë ëndërruar. Dy vite me parë Qyteti Studenti erdhi me një risi, ku u mundësua çelja e një godine për të dashuruarit. Pagesa për këto dhoma shkonte në 22 mijë lekë në muaj, ndërsa studentët mund të garantojnë qëndrimin dyshe në dhomë, me komoditetin e nevojshëm, duke përshirë këtu tualetin dhe të gjitha pajisjet hidro-sanitare. Djemtë dhe vajzat do të jetonin bashkë, por kundrejt një pagese dhe me një procedurë që e bën këtë jetesë më se normale. Kur pyetëm se çfarë kishte ndodhur gjatë këtyre dy viteve në “godinën e të dashuruarve” nuk është se morëm atë përgjigje që prisnim. Ata që kishin kërkuar të qëndronin atje ishin shumë pak, kjo edhe për shkak të çmimit të kripur që i ka vendosur Drejtoria e QS-ës. Zgjidhjes me “korruptim” të kujdestarëve të godinave për të kaluar një natë më të dashurin apo të dashurën, iu shtua një alternativë që kushton 240 mijë lekë (të vjetra) në muaj, gjithsesi janë shumë për dikë që bën jetë reale studenti. Ndoshta kjo ka qenë edhe arsye që ajo godinë gjatë këtyre dy viteve nuk u popullua e gjitha.

Kjo intervistë që. Entela i ka mare drejtoreshës së Q S sqaron shumë gjera qe disa studentë protestues i kishin te paqarta? Bravo Entela,e dini mirë cila temë duhet kapur? Jeni gjahtare e zonja,e kuptoni menjëhere dhe me shumë intuitë ku flenë lepujt? Nderime!