Pas 14 muajsh Basha ia del të mbledhë Kuvendin e PD-së

redaktor

Demokratët pritet që të mbledhin sot Kuvendin Kombëtar që do të çimentojë pozitat e Lulzim Bashës, por njëkohësisht edhe të Sali Berishës. Siç bëhet e ditur zyrtarisht edhe nga PD-ja., Kuvendi do të mblidhet në orën 10:00.

Në mbledhjen e sotme pritet që të miratohen ndryshimet statutore të cilat do t’i sigurojnë Bashës drejtimin e PD-së dhe shmangien e rivalëve.

Prej kohësh nuk janë zhvilluar më zgjedhjet për strukturat e reja drejtuese. Por pas humbjes së zgjedhjeve të 2013-s kanë dal në pah dhe fraksionet brenda PD-së të cilat presin momentin për të dalë kundër kryetarit të ri.

Por janë pikërisht ndryshimet në statusit prej nga do zgjidhet dhe ekipi i ri i Bashës në funksionet drejtuese. Forumi më i lartë i Kuvendit do të votojë ndryshimet në statut, ku një pjesë e rëndësishme e këtyre amendimeve kanë të bëjnë me rolin dhe fuqinë që do t’i jepet kryetarit të Partisë Demokratike.

 

Fillimisht do të jetë Lulzim Basha ai që do të mbajë fjalën e hapjes, ndërsa do të flasin edhe 53 kryetarët e degëve të PD-së, deputetë, përfaqësues të shoqërisë civile pranë së djathtës dhe nga bota akademike. Ndërsa të dielën, 7500 delegatët e Kuvendit Kombëtar do të votojnë në një listë me 300 kandidatë për 150 anëtarët e Këshillit të ri Kombëtar, të cilët së bashku me ata që kooptohen automatikisht, e çojnë numrin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar në rreth 250 persona.

 

Ndryshimet statutore

 

Me propozim të kryetarit të Partisë Demokratike, për herë të parë do të zgjidhen në Këshillin Kombëtar të PD-së deputetët e kësaj force. Në këtë mënyrë, Lulzim Basha do të ketë apriori 44 vota në Këshillin Kombëtar të PD-së “pro” tij.

Edhe pse këto vota i garantojnë atij pushtet ndaj “grupeve armiqësore” brenda partisë, Basha do ta ketë të pamundur që të ruajë pavarësinë përballë Berishës. Është ish-kryetari i PD-së ai i cili përgatiti edhe listat e deputetëve për zgjedhjet e 2013-s. Grupi i punës, i ngritur në PD ka paraqitur si amendament propozimin që në nenin 36 “Këshilli Kombëtar”, pika 2, të propozohet që edhe deputetët të kooptohen njësoj siç janë kooptuar aktualisht 53 kryetarët e degëve.

 

Gjithashtu anëtarë të Këshillit do të jenë edhe kryetarët e bashkive qendër qarku dhe kryetarët e bashkive me më shumë se 40 mijë banorë. Ndryshime do të pësojë edhe zgjedhja e strukturave të tjera drejtuese të PD-së, siç është dhe kryesia.

Burime brenda selisë blu bëjnë të ditur se edhe numri i anëtarëve të kryesisë do të rritet, duke e argumentuar me rritjen e përfaqësimit. Ndryshe nga kryesia e vjetër, tashmë do të jenë edhe 8 anëtarë më shumë.

25 prej tyre do të zgjidhen nga Këshilli Kombëtar i PD-së, ndërsa pjesa tjetër do të jenë kryetarët dhe nënkryetarët e PD-së në komisionet parlamentare. Ndryshimet në statut parashikojnë edhe ngritjen e departamenteve, krerët e të cilëve do të propozohen nga kryetari i partisë dhe do të votohen nga Këshilli Kombëtar.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *