Letër e nënshkruar,
nga Gjin Musa
Në këto 24 vite “demokraci” populli shqiptar është mësuar me eksperimente të çdo lloji.
Politika ka qenë gjithmonë ajo që ka mbajtur peng të drejtën ligjore, ka dhunuar çdo organ
të pavarur. Zanafilla për fatin e keq fillon që në kohën kur Sali Berisha bëhet president i vendit, dhe të thuash se e bëri nga paeksperienca, është gabim fatal. Berisha është ideatori i dhunimit të pavarësisë së drejtësisë në Shqipëri, tërësisht e qëllimshme. Ai vinte nga shkolla e komunizmit, një njeri diktatorial, i betuar për të mbrojtur marksizëm-leninizmin, po kaq i betuar për të dhunuar PD-në dhe demokracinë e sapo lindur. Marrja nën kontroll e të gjitha pushteteve nga ish-presidenti Berisha, solli ngjarjet e dhunshme të 97-ës dhe të 98-ës. Në pushtet kthehet Partia Socialiste, e cila përballet me një gjendje kaotike, po e paaftë për të bërë drejtësinë! Kështu u gjet kompromisi i korrupsionit mes të palëve.
Përsëri Shqipëria pa një qeveri që do të bëjë shtet. Rikthimi i Berishës në pushtet u prit me cinizëm nga ndërkombëtarët, shqiptarët i besuan premtimeve bombastike, sllogani se do qeverisim me “duar të pastra” lufta pa kompromis ndaj “korrupsionit” e mashtruan elektoratin tashmë të zhgënjyer edhe nga qeverisja e së majtës.
Berisha kishte ndryshuar vetëm fjalorin, po veset ishin ato të Berishes president, marrja e të gjitha pushteteve nën kontroll. Ngjarjet e Gërdecit dha ajo e 21 Janarit nuk e trondisin Berishën dhe kastën korruptive që e rrethonte. Drejtësia dhe prokuroria ishin nën kontrollin berishian, çdo vrasje mafioze me prapavijë politike mbyllej në kasafortën e krimit-shtet. Humbja fatale e PD-së dhe ardhja në pushtet e të majtës ishin të mirëpritura nga ndërkombëtarët dhe nga vetë votuesit shqiptar. Opozita e sotme është ndër më të shëmtuarat që ka njohur jeta politike në këto 24 vjet, një opozitë që drejtohet nga një Lulzim Basha i lidhur me krimin korruptiv dhe është autori i vrasjeve të 21 Janarit. Basha u emërua në krye të PD-së po nga një i inkriminuar si Berisha, prandaj opozita shqiptare është tërësisht e çoroditur dhe drejt një shpërbërje të pashmangshme. Sot mazhoranca duhet të luftojë me çdo çmim që Shqipëria të ketë një prokurori dhe një gjyqësor të denjë për të bërë drejtësi. Çdo vonesë është me pasoja.
