A do të ketë tifozë shqiptarë në sfidën eliminatore të 14 tetorit për Euro 2016 mes Serbisë dhe kombëtares kuqezi? Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet presidentit Armand Duka, vetëm pak ditë më parë bëri të ditur qëndrimin e saj, se dëshiron që fansat kuqezinj të udhëtojnë në Beograd. Sipas njoftimeve të fundit, 2000 tifozë shqiptarë kanë paralajmëruar se do të jenë në kryeqytetin serb më 14 tetor për të ndjekur sfidën mes dy kombëtareve dhe ky fakt ka frikësuar jo pak Federatën Serbe të Futbollit, që edhe një herë tjetër nëpërmjet një prej drejtuesve të saj theksoi se dëshiron që sfida e muajit të ardhshëm në stadiumin e Partizanit të Beogradit të luhet pa tifozë miq, pasi u trembet trazirave që mund të ndodhin në stadium me forcat e policisë, që mund ta kenë pamundur të parandalojnë kontaktet mes tifozerive.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Serbe të Futbollit, Zoran Lakovic në një prononcim për mediat serbe theksoi se shpreson që drejtuesit e federatës shqiptare të futbollit të mos bëjnë kërkesë në Uefa që fansat kuqezinj të udhëtojnë në Beograd. Në vijim Lakovic bëri të ditur se federata serbe, pasi ka biseduar me Uefa-n dhe ka kontaktuar me Ministrinë e Brendshme të vendit të saj, i ka propozuar Federatës Shqiptare të Futbollit që ndeshjet mes dy kombëtareve në Beograd dhe Elbasan të zhvillohen pa tifozë miq. “Gjithsesi tashmë topi është në dorë të Federatës Shqiptare të Futbollit, pasi Uefa nuk mund të bëjë asgjë për të parandaluar udhëtimin e tifozëve për të ndjekur një ndeshje të skuadrës së tyre në transfertë”, deklaroi në përfundim të intervistës Lakoviç.
