Spektakël i Barcelonës, Messi arrin në 401 gola

redaktor

Pas barazimit me Malagan, mediat katalanase nxituan të kritikonin Barcelonën për lojën e mefshët me andaluzianët duke dalë madje me titujt: “Nëse nuk godet portën nuk fiton”. Tre ditë më pas, blaugranat e ekzagjerojnë, në goditje drejt portës, por dhe në gola, aq sa me gjashtë golat e shënuar u duk sikur e kthyen në tabelë qitjeje rrjetën e Granadas. Messi, Neymar dhe Rakitic konkretizuan spektaklin e vendasve duke konfirmuar se në këtë sezon do të jenë ata të tre boshti i lojës së ekipit të Enriques. Neymar normalisht duhet të ishte ylli i mbrëmjes me tregolëshin e tij, por fati i keq i brazilianit është se paraqitjen më të mirë sezonale e dhuroi në ditën kur Messi shënoi golin e 400 në karrierë. Argjentinasi, më pas shënoi dhe golin e tij të 401-të duke treguar se ai nuk ka kohë për të festuar rekordet, pasi vihet menjëherë në ndjekje të të tjerëve. Rezultati tenistik 6-0 ishte sigurisht një shfaqe e pastër futbolli nga ana e Barcelonës, e të mendosh që ndeshja kishte nisur me një gafë të Munir përpara portës. Por mesa duket kjo ishte vetëm nxehja, pasi në fund të pjesës së parë tabela elektronike e “Camp Nou” shënonte rezultatin 3-0 për Barcën, pas finalizimit të Rakiticit dhe dy golave të Neymarit. Në pjesën e dytë u ngjit në katedër Mesi me golin e 4-0 përpara se Neymar të shënonte dhe të pestin i shërbyer pikërisht nga këmbët e “magjistarit” argjentinas. Meqenëse për rivalitet nga ana e kundërshtarit tani nuk mund të flihej më, Barca mendoi t’i bënte tenistike shifrat duke realizuar dhe të 6-in me Mesin, që vulosi rezultatin final ashtu si dhe kreun vetmitar të blaugranave.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *