Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, kryesoi takimin e përbashkët të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Kartës SHBA-Adriatike dhe Kartës SHBA-Baltike.
Bushati theksoi domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal në funksion të përballimit të përbashkët të sfidave të sigurisë. Krahas vlerësimit të kontributeve të vendeve pjesëmarrëse në operacionet e drejtuara nga NATO, veçanërisht në Afganistan, Ministri Bushati theksoi edhe kontributin e rëndësishëm që Shqipëria, Kroacia dhe SHBA-të japin në mbështetje të aspiratave për anëtarësim Euro-Atlantik të Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Gjeorgjisë, si dhe rikonfirmoi kërkesën për anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në Kartën e Adriatikut.
Në takim morën pjesë Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare dhe vëzhguese të Kartës SHBA-Adriatike; Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Serbia dhe ato të Kartës SHBA-Baltike; Estonia, Letonia, Lituania dhe Gjeorgjia, si dhe Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euro-Aziatike, z. Hoyt. Yee, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Çështjet Politike dhe të Sigurisë të NATO-s, Ambasador T. Stamatopoulos. Me ftesë të palës shqiptare, në takim mori pjesë edhe Sllovenia. /E.k
