Rusia ia doli !

redaktor

Precedenti i rrezikshëm që druhej se mos ndodhte, po merr formë gradualisht. Rusia po ndërhyn me një logjikë imponuese, në marrëdhëniet e BE-së, me vendet e treta. Pas arritjes së objektivit për uljen në tavolinën e negocimeve, të trekëndëshit diplomatik Bruksel-Kiev-Moskë, në 12 shtator dhe finalizimit të synimit të saj, për shtyrjen e zbatimit në terren të Marrëveshjes mbi Tregtinë, për në vitin 2016, Moska po riimponohet fuqishëm. Kësaj radhe ajo kërkon, mandat ligjor për ndryshimin e tekstit të Marrëveshjes BE-Ukrainë.

Megjithëse në kushte aspak optimale, BE po jep shenja se të paktën, do të përpiqet t’i rezistojë këtij presioni politik, por a do të arrijë Ukraina të refuzojë presionin e lartë, që vjen nga Rusia ?!

Marrëveshja tregtare e nënshkruar mes BE-së dhe Ukrainës, vjen nën kuadrin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Asocimit, e cila u ratifikua paralelisht, pak kohë më parë, nga të dy parlamentet përkatëse. Por, presionet e larta të Moskës zyrtare ndaj Kievit, arritën të mundësonin uljen në tavolinën negociuese të treshes diplomatike, Bruksel-Kiev-Moskë. Negociatat arritën në një kompromis për shtyrje të zbatimit të Kapitullit IV të Marrëveshjes mbi Tregtinë, kapitull i cili prek ndjeshëm, sipas Moskës, interesat e saj ekonomike në rajon. Konkretisht bëhet fjalë për krijimin e një zone të lirë tregtie për një periudhë tranzitore prej 10 vitesh, mes Kievit dhe BE-së. Heqje të tarifave doganore si edhe shtrëngesave të tjera tregtare, që përfshin hapësira e import-eksportit dhe një sërë lehtësirash mes tyre.

Por, ndonëse Moska arriti objektivin e saj për shtyrje të zbatimit në terren, të Marrëveshjes mbi Tregtinë, ambiciet e saj nuk po ndalen. Presioni politik po shkon drejt një imponimi, për ndryshim të përmbajtjes së tekstit të nënshkruar mes BE-së dhe Kievit. E drejta për këtë ndërhyrje ligjore, sipas Moskës zyrtare, buron nga ligjshmëria, që krijoi tavolina e negocimit në 12 shtator, mes tre palëve mbi shtyrjen e zbatimit të Marrëveshjes. Një imponim, i cili ka shkaktuar acarimin e Brukselit, teksa burime të ndryshme konfirmojnë, se do të ketë një reagim politik nga Këshilli dhe Komisioni, i cili do të specifikojë karakterin dypalësh të Marrëveshjes së Asocimit BE-Ukrainë dhe pamundësinë për ndërhyrje nga palët e treta. Por, a nuk përmbante një karakter thellësisht dypalësh edhe marrëveshja në të cilën Moska ia doli me sukses të ndërhyjë dhe të vendosë prioritet e saj në axhendën BE-Ukrainë?!

Teksa pritet një reagim politik nga BE*, përballë imponimit të diplomacisë ruse për një mandat ligjor për të krijuar ndryshimet e duhura në tekstin tashmë të nënshkruar, presioni moskovit nuk po ndalet. Moska nëpërmjet deklaratave të saj përballë BE-së, kërcënon indirekt Ukrainën, se do të “ndryshojë regjimin preferencial në importet e saj”. Presion, i cili arriti të ulë palët në tavolinën e negocimeve dhe të pranojnë kërkesat e Moskës zyrtare. A do të stepet sërish politika e Kievit nga presionet e rënda të Rusisë, teksa BE është gjithashtu e pozicionuar në një situatë aspak të favorshme përballë saj?

Opsionet duket se, po shfaqen qartazi pro diplomacisë imponuese të Moskës. Faktorët që çuan në uljen e trekëndëshit diplomatik në tavolinën negociuese në 12 shtator, duke bërë të mundur shtyrjen e zbatimit të Marrëveshjes, janë ende aty, prezent. Afrimi i dimrit në portat evropiane, nuk është aspak inkurajues, teksa shtetet të ndryshme kërkojnë siguri mbi rrjedhjen e ujit të ngrohtë në rubinetet e tyre. Nga ana tjetër vende të ndryshme anëtare të BE-së gjithashtu nuk kanë të njëjtën linjë prioritetesh në fushën e politikës së tyre të jashtme. Konflikti i Ukrainës për disa vende të rëndësishme anëtare të BE-së, siç edhe fjalimet e fundit në OKB e konfirmuan, e rendisnin këtë çështje si jo prioritare. Dëshira e shprehur e Berlinit, gjithashtu shkon pro opsionit të gjetjes së një marrëveshje për ruajtjen e ekuilibrave rajonalë dhe krijimin e një hapësire integruese ekonomike në rajon. Pra, që Kievi të mos ndjehet i detyruar të zgjedhë mes BE-së dhe Rusisë, por të afrohet ekonomikisht me BE-në, duke ruajtur paralelisht marrëdhëniet tradicionale me Rusinë. A do të vazhdohet sërish në këtë linjë preference politike, për gjetjen e një qetësie dhe sigurie afatgjatë në rajon?

Sigurisht që ky është një nga opsionet e mundura, teksa vëzhgohet edhe një tentativë për mundësi tërheqje të BE-së, ndaj sanksioneve të fundit ekonomike të vendosura përballë Rusisë. Me kërkesë të Bullgarisë, Sllovakisë dhe Hungarisë ambasadorët e BE-së, në mbledhjen e radhës në Bruksel, do të vendosin mbi rishikimin apo tërheqjen e mundshme të sanksioneve të fundit të vendosura kundër Rusisë. Një proces gjithsesi, jo kaq i thjeshtë në parim, teksa kërkohet unanimitet, ndërkohë që njihet vota kundër e disa vendeve të shprehur qartë kundër heqjes së tyre, siç janë vendet baltike.

Por, ndërsa trekëndëshi diplomatik Moskë-Bruksel-Kiev, mund të riulet sërish për negocime në gjetjen e kompromisit të radhës, pro plotësimit të interesave rusë, a ekziston ndonjë risk mbi acarimin dhe tensionimin e opinionit publik në Kiev ? Marrëveshja e 12 shtatorit, konfirmoi revoltën si nga zërat përfaqësues të shoqërisë civile, por edhe të disa segmenteve politike, duke akuzuar elitën politike për tradhti të interesave kombëtare. Teksa kjo Marrëveshje u konsiderua si triumf  i gjeopolitikës së Putinit, një tjetër marrëveshje e kryer nga klasa politike, po në këtë kuadër, sigurisht që rrit shanset për një tensionim të situatës së brendshme dhe ndoshta edhe për një projektim mbi rikthimin e “politikës” së Mejdanit. /im.ta/

 

* Në deklaratën e përbashkët të Komisionit dhe Këshillit e sapo publikuar, në paragrafin 3 theksohet karakteri dypalësh i Marrëveshjes së Asocimit BE-Ukrainë dhe se, ndryshimet apo adaptimet në të mund të bëhen vetëm me kërkesën e njërës palë dhe miratimin e palës tjetër dhe në paragrafin 5, theksohet gjithashtu rëndësia për përgatitjet e duhura, në lidhje me aplikimin e Kapitullit IV të Tregtisë, sipas kuadrit kohor tashmë të përcaktuar.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Share This Article