Kukësi e Teuta dominojnë në formacionin e javës

redaktor

Kukësi dhe Teuta janë skuadrat më të përfaqësuara në formacionin më të mirë të javës së 6-të të Superiores. Në 11-she me rreshtimin taktit 3-4-1-2 janë të përfshira 6 skuadra të kampionatit, gjë që tregon për ekuilibrin që ekziston këtë sezon.

Në portë vendin e titullarit në formacionin e javës e zë shkodrani Erlind Selimaj, që jo vetëm priti një penallti ndaj Elbasanit por evitoi çdo rrezik të kundërshtarit në portën e tij. Reparti i mbrojtjes prezantohet nga futbollistët e tre skuadrave të ndryshme. Besnik Krasniqi i Teutës me paraqitjen e tij dhe golin e shënuar ndaj Skënderbeut vendoset në të djathtë. Në qendër është Renato Malota, që ndaj Apolonisë bëri një paraqitje të mirë duke lënë në hije dyshen sulmuese të fierakëve Rajkovic-Canka. Në të majtë vendoset sërish mbrojtësi i Partizanit, Ardian Cuculi, që bëri një tjetër paraqitje të mirë në derbi.

Në mesfushë konkurrenca ka qenë e lartë, teksa në të djathtë është përzgjedhur mesfushori i Partizanit, Idriz Batha, dhe në të majtë Ardit Peposhi i Teutës.

Në qendër pas paraqitjeve në fushë janë Ervin Bulku i Tiranës dhe Besar Musolli i Kukësit që kompletojnë repartin e mesfushës. Përpara tyre dhe pas dyshes së sulmit vendoset Marko Cetkovic i Laçit, një nga futbollistët më të mirë në fushë në përballjen me Flamurtarin.

Dyshja e sulmit i takon golashënuesve me Pero Pejic të Kukësit dhe James të Laçit, që jo vetëm rezultuan deçiziv për skuadrat e tyre por krijuan volum të madh loje. Trajneri më i mirë i javës shpallet Hasan Lika i Teutës që udhëhoqi skuadrën në fitoren e pastër 2-0 ndaj kampionëve të Skënderbeut.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *