Pak bukë, pak taksë, pak hekur

anazapta

Shqipëria ka mbaruar çdo rezervë të mundshme për t’u përdorur në rast krize. Borxhi publik ka kaluar çdo kufi të pranueshëm. Rritja ekonomike është ulur ndjeshëm dhe të ardhurat nga taksat gjithashtu kanë rënë.  Që nga viti 2008, të ardhurat nga taksat kanë ndjekur prirjet për poshtë me rreth 1.5 pikë përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe çdo parashikim i qeverisë ka dalë që ishtë tepër optimist dhe larg realitetit. Situata është përkeqësuar veçanërisht nga reformat e vazhdueshme të taksimit që e kanë bërë atë të ngatërrueshëm si dhe ulja e taksës së korporatave në 2007-ën e cila shkaktoi ulje të ndjeshme të të ardhurave por jo hyrje investimesh të huaja duke minuar strategjinë për rritje të ministrisë së financave. Nga ana tjetër, korporatat kanë preferuar t’ua paguajnë pronarëve të tyre këtë rritje fitimi në vend që ta riinvestonin duke mos ndihmuar në një papunësi në rritje përkeqësuar nga kthimi i shumë emigrantëve që humbën vendet e punës në fqinjët evropianë të prekur nga kriza.  Shqipëria ka humbur 8 vende në klasifikimin e Bankës Botërore “Të bësh biznes” ndër të tjera edhe sepse sipas raportit sistemi taksave është subjektiv dhe arbitrar. Skenari megjithëse i zymtë, nuk është pa zgjidhje.

 

Problem ngelet ende Tarifa e Vlerës së Shtuar.  Jo të gjithë e dinë që 20% e çmimit që ne si qytetarë të thjeshtë paguajmë për çdo produkt i shkon shtetit ndërkohë që bizneset e mëdha, bankat, shfrytëzuesit e pasurive natyrore etj. paguajnë vetëm 10% taksë të fitimit të tyre. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kohë që mundohet të na e mbushë mendjen ta rrisim taksën e korporatave. Si të mos mjaftonte, shuma që nuk kemi mbledhur dot në taksa shpjegohet nga uljet e TVSH-së mbi mallra apo shërbime të caktuara, pra një humbje neto e pashoqëruar me rritje në PBB. Studimet e FMN-së tregojnë se investimet jo vetëm që nuk do bien por do rriten n.q.s. këtë rritje taksash ne e justifikojmë me forcim të shtetit ligjor, ulje të arbitratetit dhe heqjen e taksave ineficiente dhe të paqarta vendore që nuk bazohen në ligj. Bizneset do ishin gati të paguanin më tepër taksë mbi fitimin në këmbim të një klime të bëri biznes më pozitive. E njëjta situatë është dhe në taksën e ulët mbi shitblerjen e pronave e cila favorizon pronarët e mëdhenj. I vetmi avantazh i taksës së ulët është ulja e ekonomisë në të zezë që gjithsesi do ishte më e lehtë të korrigjohej me luftën kundër korrupsionit te tatimorët.

 

Teoria dhe praktika janë plot me shembuj ku taksa e sheshtë funksionon mirë si Qipro apo Taivan por dhe ku funksionon keq si Irlanda, Greqia dhe…Shqipëria. Për fat të keq, pavarësisht në sa letra Harvardi mbështetet, ka raste ku teoria ekonomike nuk gjen zbatim konkret. Në Shqipëri, taksa e sheshtë nuk ka funksionuar dhe ky është një fakt i mbështetur nga numrat të cilët tregojnë qartë që në buxhet kjo taksë ka krijuar një “vrimë”. Deri më tani, “vrimat” janë mbushur me të ardhurat e krijuara nga privatizimet dhe grantet. Përveç privatizimeve të Albpetrolit , pronave të ushtrisë dhe hidrocentraleve, qeveria është detyruar të marrë edhe masa të tjera ekstreme si marrveshja e detit me Greqinë (burime gazi?), shfrytëzimet private të pasurive muzeale apo ngushtimi i rrethimit të pallatit të brigadave. Kjo është një rrugë pa krye dhe që tani ministria e financave është detyruar të marrë masa të tjera, ku mbase më kryesorja është ulja e shpenzimeve të kapitalit. Tashmë janë hapur ose do hapen shumë shpejt “vrima” të tjera si importet e detyrueshme të energjisë, fushata elektorale apo pagesa e faturave ende të pashlyera që qeveria mbart ndaj subjekteve të ndryshme. Frika është se tani që s’na ka mbetur më asgjë për të privatizuar (Spitali Ushtarak?), qeveria do vazhdojë ta shpërndajë barrën në mënyrë të barabartë mes të pasurve, të varfërve dhe shumë të varfërve nëpërmjet borxhit publik, në vend që t’i detyrojë të pasurit të paguajnë pak më shumë (s’po themi shumë më shumë se në fund të fundit mbetet një qeveri e djathtë po të kujtojmë që LSI-ja s’para përzihet me kështu tema të vështira) siç ndodh në çdo vend demokratik veçanërisht kur ekspertë ndërkombëtarë dhe vetë Institucioni i Statistikave të kryeministrit sugjeron që kjo do përmirësonte ekonominë në vend.  Borxhin, meqë ra fjala, Shqipëria zyrtarisht-jo-në-krizë e paguan me afro të njëjtin interes sa Spanja-në-kulm-të-krizës ndaj ai një ditë në vend që të mbulojë vrimat do bëhet vetë i tillë dhe do na përpijë dhe ne brenda.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *