A është Kukësi i varur nga Pero Pejiç? Është kjo pyetja që shtrohet në kampin verilindor, duke u bazuar te statistikat e 6 sfidave të para të kampionatit. Sa herë që sulmuesi kroat shënon, nënkampionët e Shqipërisë arrijnë të fitojnë, dhe kur zëvendësohet apo mungon, formacioni i Artim Shaqirit humbet. Këto të dhëna janë të pakundërshtueshme, por vetë Pejic bën modestin. “Nuk mendoj se Kukësi fiton vetëm kur luaj unë. Ne jemi një skuadër me 11 lojtarë, megjithatë e vërteta është se kur unë luaj, ne fitojmë. Golat që kam shënuar nuk janë për veten time, por për të gjithë skuadrën. E rëndësishme është që ne të fitojmë, pastaj nëse shënon Pejiç apo dikush tjetër, kjo kalon në plan të dytë. Ne nuk ishim në një situatë të mirë, sepse vinim pas dy humbjeve, ndaj fitorja me Apoloninë ishte shumë e rëndësishme”, tha kroati në një prononcim për “Supersport”.
Duke analizuar garën në këtë fillim sezoni, Pejiç parashikon në kampionat me shumë rivalitetit deri në javën e fundit të sezonit. “Ky kampionat është shumë i fortë, ka shumë skuadra të mira që pretendojnë, si Tirana, Skënderbeu, Partizani e Flamurtari, pa harruar edhe Kukësin, që ndahen me vetëm një pikë nga njëri-tjetri. Të gjitha këto ekipe kanë organikë cilësorë dhe pretendojnë për titullin kampion. Mendoj se gara do të jetë interesante deri në javën e fundit. Skënderbeu, Vlora e Tirana, këto do të jenë rivalet më të forta të Kukësit”, thekson gjiganti i sulmit. Përsa u përket objektivave personale, Pejiç nuk ngurron të thotë se dëshiron të fitojë gjithçka me Kukësin. “Sigurisht që synoj të shpallem sërish golashënuesi më i mirë i Superiores. Unë jam sulmues dhe kam për detyrë të shënoj sa më shumë gola. Kjo është shumë e rëndësishme për mua dhe për skuadrën. Besoj se do ta fitoj kampionatin edhe me Kukësin”, përfundoi sulmuesi i Kukësit.
