Policia e Vlorës ka mundur të vërë dje në pranga njërin prej personave të dyshuar, që grabitën të armatosur qendrën tregtare në qytetin e Fierit, më datë 2 qershor 2014. Burime zyrtare bënë me dije se në bashkëpunim mes dy policive, arrestuan 25-vjeçarin Çelnik Kapaj, banues në lagjen “8 Shkurti” në Fier dhe që fshihej në qytetin bregdetar. Kapaj ishte i shpallur në kërkim menjëherë pas identifikimit nëpërmjet kamerave të sigurisë. Ai dyshohet se në bashkëpunim me një person të dytë, nën kërcënimin e armëve, kanë grabitur Qendrën Tregtare Fier, nga ku kanë marrë rreth 3 milionë lekë të reja. Arrestimi i tij u krye gjatë kontrollit të ushtruar në një lokal në rrugën “Gjergj Arianiti” në Vlorë, pas informacioneve për të dyshuarin në fjalë.
Grabitësi i qendrës
“Në vijimësi të operacionit të koduar “TRANSPARENCA 2”, nga Strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe personave që mbajnë armë pa leje, mbi bazën e informacione të marra në rrugë operative janë ushtruar kontrolle të ndryshme në qytet në automjete që qarkullonin me xhama të errët, lokale, dhe pika bastesh sportive”, njoftoi policia vendore për këtë aksion të befasishëm.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara është bërë e mundur që të kapen 4 persona të shpallur në kërkim, midis tyre edhe nga qytete të ndryshme të vendit, si dhe të kapen dhe bllokohen 8 automjete luksoze, të cilat kishin mangësi në dokumentacion, ose lëviznin me xhama të errët, më konkretisht: Në këtë grup bën pjesë edhe Çelnik Kapaj, i kërkuari për “vjedhje me armë dhe me dhunë”, e kryer në bashkëpunim. “Policia e Fierit e dyshon se më datë 2 qershor të këtij viti, nën kërcënimin e armës kanë grabitur Qendrën Tregtare Fier”, saktësoi policia e qytetit bregdetar.
