Intervistë me Drejtorin e Fondacionit Vodafone Albania, Albi Greva
Ashtu siç e keni bërë të ditur tashmë nëpër rrjetet sociale, kjo nismë e juaja është një kauzë e Maratonës së Amsterdamit, ku ju do merrni pjesë. Është kjo kauzë, motivi kryesor që iu shtyu të merrni pjesë në këtë maratonë?
Pjesëmarrja në maratonë është një kërshëri më e hershme, sikurse është pjesëmarrja në sport. Por projekti për të ndihmuar fëmijët e lindur me HIV/AIDS është një arsye më shumë për të zgjedhur këtë pjesëmarrje, sigurisht është një inkurajim më shumë për t’ia dalë kësaj sfide. Unë jam një vrapues i rregullt amator, por kjo është maratona ime e parë e plotë (42KM).
Kauza e Maratonës së Amsterdamit ka në qendër mbledhjen e sa më shumë fondeve për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve që lindin dhe jetojnë me HIV/AIDS. Keni njohur një fëmijë të tillë që ka shërbyer si shtysa kryesore për pjesëmarrjen në maratonën në fjalë apo thjesht është një nismë që u shtohet nismave të tjera të ndërmarra nga ju?
Po është e vërtetë, pjesëmarrësit e kësaj maratone janë ftuar të përfshihen në fushatën e ngritjes së fondeve për këtë kauzë. Kam patur rastin të njoh prindër që kanë fëmijë të lindur me HIV/AIDS, ku shkaku kryesor është papërgjegjshmëria e njërit nga prindërit ose e sistemit shëndetësor të vendit ku jeton ajo familje në atë moment. Sikurse edhe nga ç’kam njohur personalisht, besoj se çdo rast përbën një histori rrëqethëse më vete. Sigurisht, kjo eksperiencë më ndihmon të bëj maksimumin tim për këtë kauzë.
Sa mbështeten fëmijët e lindur me HIV, në vendin tonë krahasuar me vendet e tjera?
Mbështetja konsiston vetëm me medikamentet që ndihmojnë mbajtjen e ekuilibrit të imunitetit. Por ndërkohë, duke qenë fëmijë që jetojnë me HIV është shumë lehtë që të preken nga viroza apo infeksione, apo sëmundje të tjera që në fakt e rrisin shumë edhe nevojën për mbështetje. Ana tjetër shumë e papërmendur, është kultura sociale e shoqërisë për trajtimin e rasteve dhe izolimi social i personave me HIV e veçanërisht fëmijëve.
Keni vendosur 19 kuti nëpër lokale dhe restorante të ndryshme, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Lezhë, Korçë, Vlorë. Pse 19 kuti, ka ndonjë simbolikë të caktuar?
Jo domosdoshmërish. E vetmja simbolikë që do e lidhja me të është data 19 tetor – dita kur zhvillohet Maratona e Amsterdamit 2014. Duhet të them që në fillim se kutitë më janë besuar nga KQZ, që i falënderoj për mbështetjen. Në Tiranë janë vendosur 12 kuti: 9 janë restorante të njohura, 2 kuti janë në ambientet e zyrave të Vodafone Albania, ku kolegët e mi ishin tepër të gatshëm për të mbështetur iniciativën me kontributin e tyre, si dhe është edhe një kuti lëvizëse që ka një program qëndrimi një ditor në disa institucione apo organizata partnere. Por kjo është vetëm një prej mundësive që vendosa për të ndarë nismën me miq e bashkëqytetarë. Ndërkohë kam hapur një numër llogarie bankare, si dhe ka dhe një profil në një faqe të dedikuar interneti (JustGiving.com) që lejon transferta të çdo lloj sasie kontributi.
Ashtu siç jeni shprehur, qëllimi është të arrihet të mblidhet një fond prej 2000 euro. Dimë që jeni shumë afër mbledhjes së kësaj shume. Vlen për tu përmendur që ju do të kontribuoni aq sa do jetë vlera maksimale e dhuruar deri në fund. Mund të na thoni se sa është maksimalja deri tani?
Kur një miku im që drejton një biznes e dëgjoi nismën, më tha: “shiko, a më lejon të të financoj unë, dhe as mos u lodh me gjithë këtë fushatë?”. Qesha….Qëllimi dytësor i nismës është të ndihmojmë t’i ofrojmë qytetarëve të kenë mundësi të kontribuojnë për njerëzit në nevojë, të mendojnë edhe për atë që s’ka shumë ndihmë dhe ka aq shumë për të bërë. Ndaj dhe i thashë mikut tim: faleminderit, po dua që këtë kontribut të ketë sa me shumë kontribuues me një modeste, që të gjithë së bashku të bëjmë mirë për fëmijët. Sot që flasim, me një llogaritje të përafërt, shuma ka kaluar 2000 euro…pra nisma ka kaluar pritshmëritë.
Fondacioni Vodafone Albania, me në krye ju, ka dhënë vazhdimisht një kontribut të madh në kauza të rëndësishme, qoftë në fatkeqësi natyrore apo cështje sociale. Cila është kauza që ju do rendisnit si më të rëndësishmen ku ka kontribuar ky fondacion?
Ne 6 vitet e aktivitetit ka aq shumë për të përmendur, e për tu ndjerë krenar. Është puna e një skuadre të tërë. Ka më shumë 166 projekte anembanë Shqipërisë, në male, fshatra e qytete, aty ku nevojat e njerëzve janë akute. Por po përmend një nga më të fundit: realizimin e një mbrëmje speciale me pjesëmarrjen e 35 bizneseve dhe personaliteteve të titulluar “Ta ndjejmë botën përmes zërit”, një mbrëmje bamirësie në errësirë të plotë per ngritjen e fondeve për personat me probleme në shikim, me qëllim që të përdoren për realizmin e një programi/software që u lejon përfituesve të lexojnë programet e kompjuterit në gjuhën shqipe. Eventi pati sukses të plotë. Sigurisht falë edhe ndjeshmërisë së divës Inva Mula, dhe të mirënjohurve baritonit Gëzim Mushketa, e mezzo Sopranos Vikena Kamenica, pianistëve Merita Rexha e Robert Radoja, si dhe lojës së mrekullueshme të disa artistëve të verbër. Mbrëmja arriti të sigurojë kontributin e afro 70 mijë EURO. Tani jemi në fazën e zbatimit, dhe për pak muaj do kemi atë çfare dikur ishte një ëndërr për personat e verbër.
Në fund, cili është mesazhi juaj për shqiptarët, lidhur me këtë nismë të ndërmarrë së fundmi?
Kultura e marrjes me sport është pasuri e paçmueshme, të bën të jetosh shëndetshëm. Përpiquni ta jetoni këtë pasuri. Ky është i pari mesazh! E së dyti, përpiquni të bëni mirë për njerëzit që ju rrethojnë. Nuk ka rëndësi sa dhe çfarë, por dedikojuni dhe ndihmoni. Do ndiheni mirë!
