SHBA mendon se përparimi në luftën kundër korrupsionit zyrtar është i pamjaftueshëm. Gjatë një seminari me temë “Lufta Kundër Korrupsionit Gjyqësor dhe Politik”, mbajtur sot në Prokurorinë e Tiranës, ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, u shpreh se përparimi i pamjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit zyrtar dhe kulturën e pandëshkueshmërisë përbën pengesë për hyrjen në BE.
“Sa herë që ka një fjalim, qoftë nga Sekretarja e Shtetit Hilari Klinton apo nga Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, në çdo fjalim, do ketë një koment për korrupsionin zyrtar. Nuk është veç një frazë për të kaluar radhën; nuk është njësoj si të thuash ‘mirëmëngjes’ apo ‘faleminderit.’ Ka një arsye pse ajo frazë është aty. Dhe arsyeja është që pavarësisht përpjekjeve të mira, përpjekjeve më të mira nga shumë persona të përkushtuar në prokurori, gjyqësor, polici; ka shumë përpjekje individuale të përgëzueshme, të lavdërueshme, por, në përgjithësi, nga pikëpamja e Shteteve të Bashkuara, po bëhet përparim i pamjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit zyrtar dhe kulturën e pandëshkueshmërisë. Mendoj se ky faktor si çdo faktor tjetër përbën pengesë për hyrjen në BE dhe vërtet është i papranueshëm për një vend si Shqipëria që ka të drejtën legjitime të aspirojë të bëhet pjesë e BE-së”, tha Arvizu.