Një gardian burgu është kërcënuar për shkak të detyrës nga një i dënuar në mjediset prapa hekurave.
Ngjarja ka ndodhur në datën 16 shator 2014 në një nga burgjet e kryeqytetit kur i dënuari A.Sh. u konfrontua fizikisht me gardianin A.K., në mjediset e burgut.
Sipas dëshmitarëve që gjendeshin në vendin e ngjarjes, grindja erdhi për motive të dobëta dhe si pasojë e kontrollit të dhomave nga ana e grupit të kontrollit, pjesë e së cilës ishte dhe gardiani me iniciale A.K.
Sipas të dhënave nga burime zyrtare, dy ditë më parë gardiani A.K. kishte kryer detyrën duke ushtruar një kontroll të imtësishëm në disa qeli të godinës, mes të cilave edhe dhomën e të dënuarit A.Sh.
Sipas vetë të dëmtuarit A.K., i dënuari kishte bërë rezistencë ndaj kontrollit, duke ngritur pretendime të pabaza për moskryerje të tij.
Dy ditë pas kontrollit, gardiani është përballur gjatë veprimeve të ajrimit me të dënuarin, ku ky i fundit ka kërcënuar me jetë atë si dhe familjen e tij.
Situata është mbajtur nën kontroll me ndërhyrjen e menjëhershme të stafit të sigurisë së institucionit, duke e dërguar të dënuarin në dhomën e izolimit.
Në lidhje me ngjarjen u mbajt edhe raporti i shërbimit, duke e kaluar çështjen edhe për shqyrtim në komisionin e IEVP.
