Ajo nuk e kishte menduar asnjëherë këtë famë, por ja që nga një veprim i pamenduar emri yt mund të njihet e të qarkullojë në vende që as në ëndërr nuk i ke parë. Kjo ka ndodhur me këngëtaren shqiptare, Enca Haxhia. Kohët e fundit ajo ka çmendur Lindjen e Mesme, duke bërë për vete me qindra mijëra fansa që nga Arabia Saudite e deri në vende të çuditshme si Kirgistani apo edhe në Irakun e luftës. Ishte thjesht një moment! Në kohën që punonte për këngën e saj të re me titull “A po t’pëlqen”, Enca regjistron me telefonin e saj një video 10-sekondëshe dhe e shpërndan në Instagram, pa e ditur se ajo do të bënte të çmendeshin ndjekësit (kryesisht të huaj) në rrjetet sociale. Do të ishte pikërisht fraza “Ups a a a po t’pëlqen”, pjesë nga refreni i këngës, e cila s’kishte nisur ende të xhirohej, që do të nxiste gjithçka.
E pyetur për këtë sukses të menjëhershëm, këngëtarja tha: “E hodha videon në Instagram dhe të nesërmen e gjeta me 10 mijë likes (pëlqime)”. Edhe vetë s’u ka besuar syve në momentet e para, kur pa sesi po shtohej numri i njerëzve që i bënin video duke i kënduar këngën dhe e nxirrnin në Instagram, e të mendosh që bëhej fjalë thjesht për një promo 10-sekondëshe, sepse klipi dhe kënga në ato momente nuk kishin dalë.
Në këtë mënyrë, përmes hashtag-eve të njerëzve, ajo filloi të zbulohej në gjithë botën dhe refreni i këngës “Ups a a a po t’pëlqen” u kthye si një parodi në rrjetet sociale.
E kështu i gjithë rrugëtimi drejt famës filloi nga Zvicra, nga një shqiptar i Zvicrës që e bëri të famshëm te vendasit atje, për t’u miksuar më pas nga një DJ, duke u kthyer në komedi që do të shpërndahej më vonë në gjithë botën. E gjithë kjo ndodhi brenda pak ditësh.
Edhe pse punën për këngën e kishte nisur që në dhjetor të vitit të kaluar me ZzapnChriss, asaj iu desh një punë e madhe dhe disa versione për të arritur tek finali që është ky tani. “Normalisht që pritshmëritë i ka çdo artist e producent dhe ne sigurisht që donim që kënga të bëhej super hit në Shqipëri, por parashikimet tona u tejkaluan” – pohon këngëtarja.
Menjëherë pas daljes, kënga mori 200 mijë shikime për 24 orë. Në shumë site europiane shkarkimi i këngës ka qenë free (falas). Brenda muajit bëri 50-60 milionë shkarkime. Ka qenë në Top 100 në rang ndërkombëtar me shkarkime, dhe tashmë është edhe në aplikacionin Shazzam. Ngjan si një çmenduri, por brenda dy muajsh videoja e saj ka arritur 5,917,744 shikime.
Aktualisht kënga renditet e para në klasifikimet në shtete si Arabi Saudite apo Kuvajt, duke lënë pas në renditje këngë të famshme si “Wiggle Wiggle” apo këngëtare si Sia, si dhe në Top 20 në shumë shtete veçanërisht Azerbajxhan, Turqi dhe sidomos në Irak, ku siç thotë këngëtarja “ka bërë namin”.
Pra bëhet fjalë për vendet e Lindjes së Mesme dhe me shumicë islame, të cilat preferojnë femrat e bëshme e me forma të kolme dhe mesa duket bukuria tipike mesdhetare e Encës dhe format e adhurueshme kanë qenë një tjetër çelës suksesi.
Sigurisht një punë e madhe është dashur edhe për realizimin e videoklipit dhe Enca është përpjekur t’i qëndrojë vetë “punës në kokë” për të nxjerrë një klip plot me ngjyra, kontraste dhe me disa elemente retro-weird-pop, ndërsa ka pasur edhe ndihmën e stilistit Niko Komani për veshjet.
Sot Enca Haxhia ka mbi 256 mijë ndjekës në Instagram: Shqiptarë e më së shumti të huaj.
Megjithatë, ky sukses i menjëhershëm e ka gjetur të papërgatitur edhe vetë këngëtaren 18-vjeçare, pasi siç thotë edhe vetë “fatkeqësia ime është se unë nuk kam menaxher”. Tashmë këngëtarja shpreson të nënshkruajë një kontratë me një shtëpi diskografike ndërkombëtare, duke mos harruar ftesat në rritje për koncerte në Dubai dhe në shumë vende apo nga shumë njerëz që ndoshta as nuk ia kanë idenë ku është Shqipëria. Tashmë këngën e saj e këndojnë njerëz edhe nga Meksika, Gjermania, New Yorku etj. Enca Haxhia tregon më shumë në këtë bisedë për “Dita”-n.
Enca, “A po t’pëlqen”, kënga më e klikuar e verës që sapo lamë pas. Çfarë emocioni është që ndonëse e re, arrite të mundësh këngëtarë që kanë vite në skenë? Si ia ke dalë?
Suksesi nuk ka qenë i rastësishëm, sepse për këtë këngë dhe klipin së bashku kemi punuar për gjashtë muaj rresht dhe një staf i gjerë njerëzish që ka punuar me shumë impenjim për këtë projekt, jemi lodhur, kemi pasur pengesa gjatë rrugës. Të paktën na u vërtetua që pas asaj pune shumë të lodhshme u shpërblyem dhe pati shumë sukses, e natyrisht që jam krenare për këtë.
Këto kohë jeni shumë e kërkuar nëpër koncerte, keni dikë që merret me agjendën tuaj?
Nuk është një person i vetëm që merret me menaxhimin, por një staf i tërë, disa persona që merren me pjesë të ndryshme, me imazhin, me koncertet, etj. Jam në menaxhim me shqiptarë e të huaj dhe uroj që të kemi akoma më shumë suksese së bashku.
Në sytë e publikut duket një sukses i arritur në kohë të shkurtër, për ju si ka qenë?
Normalisht që jam duke u mësuar çdo ditë edhe më shumë me suksesin. Megjithatë, nuk është se erdhi gjithçka e papritur, por ka qenë një ngritje graduale. Unë jam ngjitur në skenë në moshë shumë të vogël, që 9 vjeç, dhe kam dy vite në tregun muzikor. Kam publikuar disa këngë, të cilat sa vinte edhe bëheshin më të pëlqyera. Ishin hapa të ngadaltë derisa erdha këtu.
Me çfarë projektesh të tjera po punon tani?
Në ditët që vijnë, do të vijë versioni në anglisht i këngës “A po t’pëlqen” një dhuratë për të gjithë fansat e mi të huaj, të cilët po e presin me padurim. Më tej do të jem e ftuar në një bashkëpunim me një reper nga Kosova, që është një projekt shumë i mirë dhe kemi pritshmëri të mëdha edhe ndaj kësaj kënge. Më tej, ndoshta në tetor do të publikohet edhe “single” im i ri, për të cilin gjithashtu kemi punuar shumë fort, pasi dëshirojmë që të ruajmë të njëjtin standard, ndoshta edhe më të lartë se ai i këngës “A po t’pëlqen”.
Tregu ndërkombëtar duket se është bërë synim i yti?
Tregu ndërkombëtar është një dëshirë dhe ëndërr e çdo këngëtari, jo vetëm në Shqipëri. “A po t’pëlqen” ishte një hap shumë i mirë drejt tregut ndërkombëtar. Kam marrë disa oferta nga disa “labes” (shtëpi produksioni) andej, me intervista, koncerte, e të tjerë. Me disa prej tyre aktualisht jam duke u marrë, veçanërisht me intervistat, në Arabi, Kurdistan, Turqi, Europë. Kam disa projekte, megjithatë jam pak larg për të folur që tani.
“Ja si e mposhta Tunën dhe Elvanën”
Quhet Ruensa Haxhiaj, por të gjithë e njohim si Enca… Ndonëse është një nga këngëtaret e reja të skenës shqiptare, 18 vjeçarja ishte surpriza verës që lamë pas. Kënga e saj më e fundit me titull “A po t’pëlqen” ka thyer të gjitha rekordet e dëgjueshmërisë dhe të klikimeve në Youtube, me plot 5,917,744 shikime, që nga koha e publikimit, duke lënë pas projektin e përbashkët të Getoar Selimit dhe Tunës, të cilët janë plot 200 mijë klikime më pak. Enca, e ka filluar karrierën e saj në moshë shumë të vogël, duke konkurruar nëpër festivale fëmijësh dhe talent show. Kjo ishte dhe koha ku ajo filloi të evidentohej për talentin e saj në këngë e interpretim dhe bukurinë e saj gjithashtu. Daljet e saj të para në skenë kanë qenë në moshën 9-vjeçare, në spektakle si “Zërat e Rinj”, “Një këngë për ty”, “Promofestival”, etj. Suksesi që në hapat e parë e nxitën edhe më shumë pasionin dhe dashurinë e saj për muzikën, derisa në vitin 2012 këngëtarja publikoi “single” e saj të parë me titull “The Best Of”, një këngë e stilit R&B dhe me një tekst që fliste pikërisht për dashurinë ndaj muzikës. Këngëtarja vijoi me publikimin e këngëve të njëpasnjëshme, të cilat pak e nga pak po arrinin që të bëheshin gjithmonë e më të pëlqyera. E ëmbël, energjike dhe me sinqeritetin e saj prej adoleshenteje, Enca arriti që të krijonte një imazh të veçantë tek publiku, i cili nuk e kurseu mbështetjen për këngëtaren e re dhe të talentuar. Duke ecur në hapa të sigurt, karriera e saj mori vrull.
Në shkurt të vitit 2013 ajo u prezantua në “Top Fest” me baladën e saj të parë të stilit pop/rock të titulluar “Dua Të Jesh Ti” . Kjo u rendit në top 10 këngët më të suksesshme dhe të preferuara për publikun, duke e shndërruar Encën në një ndër këngëtaret më të dashura e të pëlqyera të momentit. Nuk vonoi shumë dhe këngëtarja publikoi klipin e saj të tretë në radhë “Jepe Tash”. Kënga u shndërrua menjëherë në Hit, dhe u pasua nga të tjera suksese. Një ndër ta ishte edhe bashkëpunimi i saj me Noizyn për këngën “Ata nuk e dinë”.


Hallall !
Hallall qumshi nones.
Tashme lindja mesme sdo shkoje me
me dhi po do i bi me dore duke pare encen
Po nxore shale e cica behesh kengetare e preferuar e arabeve te uritur per p……..
Ja edhe nje milionere i shtohet shqiptareve.