Janë zhvilluar dje në Vlorë homazhet në nderim të piktorit të mirënjohur vlonjat Hilmi Bani, i cili ndërroi jetë pas një aksidenti të ndodhur rreth një muaj më parë. Përveçse piktor i shquar vlonjat, Bani ishte dhe kryetari i lidhjes së artistëve të qytetit, si dhe kryetar i komitetit shqiptar të viktimave të kampit famëkeq të Mauthauzenit. Holli i teatrit “Petro Marko” ka pritur për të nderuar piktorin vlonjat me qindra artistë, autoritetet vendore, familjarë e qytetarët vlonjatë që ndër vite kanë vlerësuar punën e tij.
Në emër të kryeministrit Edi Rama, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për veprën e tij, ishte dhe këshilltari i kryeministrit, Fate Velaj. “Me Hilmi Banin kam pasur një bashkëpunim të gjatë. Në vitin 2005, ai, së bashku me disa të tjerë që kanë humbur të afërmit në kampin e shfarosjes në masë, në Mauthauzen, kërkuan një takim me mua dhe më shprehën shqetësimin e tyre që shoqata e tyre nuk është pranuar në komitetin internacional të Mauthauzenit e kështu, nuk përfaqësohet Shqipëria në përkujtimoret që zhvillohen çdo vit në 9 maj. Iu garantova angazhimin tim të plotë dhe, mbas disa bisedave dhe takimeve në Vjenë e në Mauthausen arrita të krijoja lidhjen e kështu, ata u pranuan në Komitetin Ndërkombëtar dhe, në çdo 9 maj, thirren të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore dhe vendosin kurorën me lule pranë monumentit shqiptar atje. Në Mauthausen është vrarë dhe xhaxhai im,” u shpreh Velaj pas ceremonisë mortore. Të pranishëm në ceremoninë mortore të piktorit Bani kanë qenë dhe Kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj, Kreu i Këshillit të Qarkut, Drejtoresha e Arsimit dhe personalitete të artit e kulturës.
