Dërguar me email
në adresën e redaksisë
Kam mbetur tepër i kënaqur dhe i impresionuar nga kjo analizë e thellë e z.Viktor Malaj, nga konkluzionet, por më tepër nga këshillat që jepen në të dhe rruga që prezantohet për të kapërcyer problemet e vendit dhe prioritetet në zhvillimin e tij të gjithanshëm. Këshillat që jep për qeverisjen dhe prioritetet që duhet të ndjekë ajo, janë udhërrëfyese e më duken si tepër të drejta dhe inkurajuese.
Do më duhet ta rilexoj këtë artikull me laps në dorë, siç thuhet, e të kërkoj edhe të tjera prej të njëjtit autor që të mësoj prej tij se si duhen analizuar ato probleme dhe halle që ka populli ynë dhe këtë ua rekomandoj gjithë miqve e bashkatdhetarëve tanë, sidomos ata në gjirin e politikës dhe biznesit apo të intelektualëve dhe rretheve sociale të vendit.
Ndokush mund të keqinterpretojë këtë vlerësim që po i bëj unë këtij artikulli analizues e mësimdhënës si anim drejt pikëpamjeve të tij të majta, por prej tij kanë ç’të mësojnë vërtetë, si e majta ashtu edhe e djathta shqiptare, nëse mendojnë sinqerisht të japin qoftë edhe kontributin më të vogël në drejtimin dhe zhvillimin e gjithanshëm të vendit drejt demokracisë së vërtetë dhe një ekonomie kapitaliste rentabël, dhe nxjerrjes së shumicës dërrmuese të varfër shqiptare nga gjendja e mjeruar dhe prapambetja. Ajo “Shqipëria tjetër”, që thekson shpesh autori në artikullin e tij, duhet të jetë në zemrën e njerëzve që drejtojnë qoftë edhe në postin drejtues më të vogël, sepse ajo është Shqipëria e të ardhmes, e bukur dhe e fuqishme këtu në Ballkan. Ndryshe, një “Shqipëri ndryshe” do të ishte një alternativë e papranueshme si për popullin tonë, ashtu edhe për mbështetësit tanë, miqtë e aleatët e Shqipërisë në këto kohëra tepër të turbullta për paqen e stabilitetin në Ballkan e në gjithë botën. Shqiptarët e kanë në dorë këtë, por shqiptarët e ndershëm, që i kanë thënë tutje leverdisë dhe interesit personal e të familjeve të tyre në kryerjen e detyrave që u shtrohen në këtë rrugë të gjatë e të vështirë.
Falënderoj redaksinë e gazetës “DITA” për mundësinë që na dha të lexojmë një artikull e analizë politiko-sociale të këtij niveli.
