Migjeni shkëlqeu në yllësinë e letërsisë shqiptare në kohën e duhur dhe u shua parakohshëm kur, me siguri, do të kishte shpërthyer pa frikë e pa zor “Këngët e pakënduara” që na ka lënë peng. Ai, si çdo talent i fuqishëm, shpërtheu beftë dhe madhërishëm përmes vargjeve të lira. Të tillë prej rregullash të rrepta të vjershërimit klasik, dhe, mbi të gjitha, si shfrim i guximshëm i vullneteve të ndryshkura, që po gatiteshin të shkundnin prangat e mbrapshta me aspiratë një botë të re, një agim të ri e të lumtur kombëtar.
Merita e madhe e Migjenit është se në veprën e tij, përmbi pasqyrimin rrënqethës të realitetit të kohës, zotëroi më fort e më mjeshtërisht se te çdo bashkëkohës prirja paravajtëse, thirrja për shndërrim dhe preokupimi për zgjimin dhe veprimin popullor si faktor vendimtar zhvillimi. Kjo cilësi e bëri atë një fenomen të pashoq për sa i takon intensitetit, forcës shprehëse, kondensimit në vargje e në prozë të tragjizmit në një periudhë krize të thellë e të gjithanshme dhe shkallës së tepërt të ndjeshmërisë e të përfaqësimit të vuajtjes popullore, të brengës kombëtare, të vetëdijes e të aspiratës së pararojës shoqërore e politike të kohës.
Njëzëshëm dhe pothuajse njëkohshëm me shkrimtarët realistë e revolucionarë të realitetit ballkanik e më gjerë, Migjeni dha ndihmesë të shquar në procesin e shndërrimit të letërsisë në mision shoqëror, në instrument ndërgjegjësimi të lexuesve, në arenë përplasjesh të kundërthënieve më të mprehta të kohës, në britmë që përfaqëson bindjen e bashkëmenduesve, zgjon të fjeturit, gjallon të mefshtët, u jep besim e forcë të dobtëve dhe shpresë të pashpresëve.
Me fuqinë e fjalës së zjarrtë, me hovin lirik të një zemre të flaktë, me dhembjen që ther dëshpërimisht, por pa e humbur fillin e dashurisë për jetën dhe të besimit te “bijtë e shekullit të ri”, Migjeni u flet bashkëkohësve (na flet edhe neve) në gjuhën e atij që pashë më pashë i ka rënë ferrit, andaj nuk e pret shpëtim as prej “paçavrave që zunë myk në shekuj”, as prej “mëshirës së të pamëshirëve”, as prej shtetit, “mal që s’bëzan”, as, sidomos, prej “barkut shekullor gjithnjë të pangishëm”. Gatuar me adhurim të mbrujtur me dhimbje të thellë dhe shfaqur me tone tragjike, Migjeni – aspirues “luftash të reja” dhe “flijimesh” për fitore të së ardhmes, – përfshihet kritik, ironik dhe sarkastik në polemikë në rendin shoqëror e shtetëror, me ideologjinë sunduese të kohës dhe me kamuflime dredharake apolitizmi, sikundër edhe me “malin” që mbarset për të pjellë një mi.
Forca
Deri më sot nuk është ndërmarrë ndonjë studim krahasues i veprës së Migjenit në kontekstin polikrom të letërsisë shqiptare në vitet ’30 të shekullit të ’20-të, megjithëse vjershat, prozat poetike dhe tregimet e tij, siç u përmend, edhe në pikëpamje artistike, në shumë gjë, janë polemikë, disa herë e dallueshme me shfaqje tradicionalizmi “pleqsh” të mbetur në “shenjtërinë” e vet, sajuesish letërsie rozë, të mënjanuarish prej shqetësimeve të kohës, orvatjesh për kthim të skifterëve në pëllumba, obskurantësh dhe adhuruesish hyjnish të paqena, mëtuesish të një publicistike e letërsie gjasme apolitike apo dhe të prirë kah drejtimi parnasien, theksuar sidomos në vitet ’40.
I vetmi krahasim, por edhe ky i mangët, i është bërë veprës së Migjenit me krijimtarinë e letrarëve të “brezit të tridhjetës”, disa prej të cilëve (Qemal Stafa, Gjikë Kuqali, Kristaq Tutulani) ranë fli për fitoren mbi fashizmin, ndërsa të tjerë e vazhduan krijimtarinë edhe në epokën socialiste.
Nga ky krahasim ka dalë sheshit që Migjeni nga shkalla e talentit, forca e frymëzimit, syrit të mprehtë vëzhgues në thelbin e dukurive, e të qenit përfaqësues e zëdhënës i forcave përparimdashëse të kohës, nga tendenca e gjykimit, aftësia dhe mjeshtëria e pasqyrimit të konsideruar të tragjizmit të jetës shqiptare, po edhe nga aspiratat e një hovi të dëshirueshëm e të pritshëm të lëvizjes mendore për një agim të ri kombëtar, ka qëndruar përmbi të gjithë letrarët bashkëkohës dhe, pa e tepruar mund të thuhet që, pas Naim Frashërit, është guri i dytë kilometrik, shënues e përurues i një zhvillimi cilësisht të ri të letërsisë kombëtare.
Mund të duket se vënia pranë e pranë i emrit të Millosh Gjergj Nikollës dhe emrit të Naim Frashërit, në mos se nuk shkon, është paksa i çuditshëm. Mirëpo, në qoftë se hetohen vëmendshëm thelbi përmbajtës dhe shumë hollësi e gjykime që përmbahen në poezinë e prozat e Migjenit, nuk do të jetë e vështirë të vërehet se vepra e tij, sado që në të zotëron problematika shoqërore, vendin e ekzaltimeve romantike e zënë kritika therëse, denoncimi dhe revolta dhe forma, teknika e mjetet shprehës janë dukshëm të ndryshëm, prapë se prapë është po aq kombëtare, e përshkruar nga ndjenjat atdhetare të thekshme dhe të një humanizmi të thellë sa edhe vepra e rilindësit të madh.
Kombëtare janë burimet e frymëzimit, rrethanat dhe mjediset e pasqyruara, fizionomia e heroit lirik të poezisë dhe personazheve të prozës. Atdhetare gjer në palcë, thellësisht tronditëse e grishëse janë “dhimbja krenare”, dëshpërimi për gjendjen e mjeruar të popullit, dëshira për të mos mbetur më tej “thumb i ngulur në tru të njerëzisë” dhe për të mos na i përzhitur fytyrat shkëlqimi i qytetërimit të kombeve të tjerë. Të njëjtat janë bindja se Shqipëria nuk është aq e vogël sa i duket Zenelit në hartë, aspirata për t’u prirë idealesh të “shekullit të ri” dhe për të rroposur me “grusht të paligjshëm” “malin që s’bëzan” dhe qëndron sfinks ogurzi në rrugën e humanizmit shoqëror, të lirisë e të përparimit të kombit.
Shkurt: Kur poeti i vargjeve të lira u bën thirrje bashkëkohësve “për një agim të ri e të lum kombëtar” vetvetiu të shkon në mendje se agimi i parë për të ka qenë kurorëzimi i përpjekjeve e martirizimeve të Rilindjes Kombëtare me pavarësinë e Shqipërisë, përmbushjes e dëshirës së Naimit për të parë Shqipërinë zonjë. Kështu që, parë hollë-hollë, krijimtaria letrare e Migjenit është e të njëjtës vazhdë me atë të Rilindjes. Ndryshimi i thekshëm për shkak kushtesh, rrethanash e predispozitash të reja, është, se ndërsa Naimi ekzaltoi Atdheun, historinë kombëtare dhe virtytet e shqiptarit si stimuj ndërgjegjësimi e veprimi dhe e pa lirinë kombëtare si kushtin e domosdoshëm për jetësimin e idealeve humanitare, iluministe, demokratike e zhvillimore me syrin nga “dielli që lind nga perëndon”, Migjeni, me të njëjtat qëllime humanitare, përparuese e demokratike, përshtat rrethanash e gjendjesh të reja, kusht të domosdoshëm prosperiteti kombëtar pa shndërrimet e thella e të gjithanshme shoqërore e politike nën prizëm të një ideali të ri, njëmendësimi i të cilit devizën: Liri, Barazi, Vëllazëri do ta kthente nga iluzioni në realitet. Ai, në këtë këndvështrim, në sfondin e “poemës së njeriut”, konkretizuar ca më shumë në tregimet e veta, dhe të parandjenjës se kishte ardhur koha që edhe bijtë e shqipes t’ia ngrinin folenë vetvetes, siç kishin bërë e po bënin edhe kombe të tjerë, futi jo vetëm aspiratën e shndërrimeve të domosdoshme, po edhe këngën shpresëdhënëse të rinisë.
Shembulli
Nuk është rastësi, që në periudhën 1944 – 1990, në kohën e shndërrimeve ekonomike e shoqërore rrënjësore, të gatishmërisë për mbrojtjen e Atdheut, të përforcimit të nismave për shtrim e zgjidhje të çështjeve mbarëkombëtare dhe të hyrjes së Shqipërisë denjësisht në rrjedhat e zhvillimeve përparimtare të epokës, letërsia shqiptare përbashkoi në cilësi të re traditën naimiane e migjeniane për përfitimin e tipareve kombëtare, popullore, realiste e socialiste. Në atë kohë, Llazar Siliqi, pavarësisht përputhjes së mëtimeve me vlerat, vëllimin me poezi të zgjedhur do ta titullonte: “Kangët nuk mbeten kurrë të pakëndueme”, duke evokuar kështu titullin e një vjershe të Migjenit dhe besimin e tij me ardhë koha kur “kangët e pakëndueme” do të shpërthenin lirshëm.
Sidomos në vitet ’60, Migjeni u bë i adhuruari i poetëve të rinj, të cilët, të përfshirë me entuziazëm në ofensivën e përgjithshme kundër prapambetjes së trashëguar, traditash e forcash frenuese e kundërshtuese të emancipimit e të përparimit shoqëror, rimorën shumë prej frymës që përshkon vargjet e lira, prozat portike dhe tregimet e këtij autori të mbetur udhërrëfyes brezash.
Në këtë “rimarrje” nuk pati përsëritje, por, si në pikëpamje ideore, edhe në pikëpamje artistike, shikojmë vazhdim në rrethana të reja të së njëjtës rrugë përparuese e revolucionarizuese, çliruese si të mendimit shoqëror ngjizur në vepra letrare, edhe të formave e mjeteve procedues e shprehës si të poezisë që vazhdoi të qëndronte në pararojë, edhe të prozës.
Prandaj, ndonëse Milloshi qe ndarë nga jeta vite më parë, Migjeni, pa e tepruar mund të thuhet se vazhdoi të jetë kontribues i shquar i sukseseve të reja të letërsisë sonë kombëtare. Kjo është vlera më e madhe e një shkrimtari, sikurse e çdo intelektuali. Është treguesi më i mirë i jetëgjatësisë së veprës së tij dhe, njëkohësisht, nderi më i madh që mund t’i bëhet një krijuesi, shtatoren e të cilit koha e ngre në piedestal.
Pas kthesës historike nga socializmi drejt kapitalizmit (kapitalizëm i thënçin), në kohën kur kërkohej liri e demokraci dhe mbillej kaos e rrënim, barbaria mori rrugët dhe nisi zhvleftësimi dhe humbja dora-dorës, e virtyteve e vlerave kombëtare e komunitare, Migjeni u thirr përsëri në skenë si një autor i pamohueshëm, ndonëse vepra e tij, e mbrojtur dhe e evokuar prej krijuesish e studiuesish të të njëjtit kah ideoartistik, u bënë përpjekje, në kundërsens paradoksal, të përdorej për synime të mbrapshta në asgjë të përbashkëta me frymën që i përshkon dhe jashtë çdo konteksti ideor e historik. Se nuk mund të pritej gjë më qesharake e mjerane sa të dëgjoje të recituar prej ndonjë aktoreje vargjet revolucionare të Migjenit për qëllime të kundërta me patosin që ato përmbanin e përcillnin.
Por, ngjau dhe e kundërta: Një Askush nxitoi e guxoi ta zbriste poetin e madh nga piedestali me gjoja arsyetime, që u shëmbëllenin të pëgërave të liliputëve, kundër Guliverit. Një tjetër adhurues” idhujsh pa krena”, iu vërsul viganit me anatema të përçudshme “etërish dinakë” , meqenëse Migjeni ishte i prirë të besonte se njerëzit po ndërtonin Kullën e Babelit dhe nga maja e majave të saj do të pyesnin: “Perëndi, ku je?!”.
Më finoke është orvatja e dikujt tjetër, i cili, pa mundur të mohojë apo të anatemojë poetin, rreh ta përfshijë dhe ta interpretojë veprën e tij nën prizëm filozofie reaksionare, nisur prej ndonjë ndikimi krejt anësor e të diskutueshëm prej Niçes, kur dihet se, sado të ketë pranuar Migjeni “Antikrishtin” dhe të ketë duartrokitur deklaratën: “Zoti vdiq!”, tërësia dhe drejtimi kryesor i veprës së tij, nuk kanë gjurmë niçeane.
“Trajtat e Migjenit”, që një fanatisti i duket se po hedh shtat tanimë diku prej oqeanesh, në një interpretim më përkues me tërësinë e me thelbin e veprës së poetit, janë me gjasë figurim marrazi të njeriut, i cili, teksa vëren se kontradiktat janë në shpërthim dhe popullit i ka ardhur shpirti në buzë, nuk po del kush të ndezë pishtarin e kushtrimit për shkatërrim e ndërtim njëherësh. Se ç’përngjasim mund të gjendet “filozofikisht” në mes kësaj aspirate dhe idealit prapavajtës skllavopronar të Niçes – vajtues mbi gërmadha të perandorisë romake, – vetëm çuditrillues të sotëm mund të sajojnë për të bërë të mundur të pamundurën: T’ia marrin shpirtin veprës së Migjenit dhe ta paraqesin nën dritë përçudnie.
Edhe kaq do të mjaftonte për të treguar se kanë ardhur kohë, në të cilat, siç ka marrë lumi shumë vlera materiale e shpirtërore të trashëguara, po bëhen orvatje ngulmuese për të hequr prej panteonit kombëtar Naimin e Migjenin, duke i lënë sa për sy e faqe në tekstet shkollorë të letërsisë. Naimin, sepse na u dashka të shpallet “folklorik” patriotizmi i tij i flaktë dhe të zëvendësohet pamendërisht prej teorizimesh e prirjesh kozmopolite zvarranike. Migjenin, ngaqë në veprën e tij rendi i sotëm shikon shembëlltyrën e vetvetes, populli – mjerimin e nëpërkëmbjen, idealistët – një ëndërr të ndritur që do jetësuar.
Por nuk është ky thelbi i problemit, as shkaku i rëndësishëm që na shtyn të mendojmë se na mungon Migjeni, mbasi nuk mund të gjymtohet, nuk mund të shtrembërohet e të errësohet aq mendjelehtësisht vepra e tij dhe as të shkulet nga mendja e nga zemra e popullit aspirata që frymëzoi atë.
Mungesa
Thelbi i problemit është, se në fillimshekullin e ri, ndërsa krijimtaria letrare po vërshon vrullshëm në poezi e në prozë dhe janë qindra ata që hedhin në treg libra gjithfarësh, rrallë e për rrallë mund të gjesh nëpër faqe romanesh a në vjersha diçka aq rrënqethëse e aq frymëzuese sa ç’gjendet ngulitur mirë në ndërgjegjen kombëtare prej veprës së Migjenit. Jo se mungojnë vlerat, siç po shikojmë të deklarohet prej nihilistësh, skeptikësh e narcistësh. Janë dhjetëra poetët e prozatorët, të cilët, pas shushatjes shkaktuar prej përmbysjes, krizës së besimit dhe humbjes së perspektivës, e kanë marrë veten dhe kanë krijuar vepra me cilësi të dukshme ideore e artistike dhe që, përtej konsideratash të njëkohshme ideologjike, i kanë shërbyer zhvillimit e përtëritjes së letërsisë kombëtare, përmes vërshimit në të, të mendimit të lirë, zgjerimit të horizontit tematik, prurjes në letërsi të atmosferës së kohës, portretizimeve të bashkëkohësve dhe të formave e teknikave të reja të pasqyrimit të realitetit, sidomos të botës së brendshme të personazheve të vetë autorëve, disa herë, edhe të qëndrimeve kritike ndaj proceseve të zhvillimeve bashkëkohore e të tipave negativë të dalë në sipërfaqe ligatine shoqërore e politike.
Pa krahasim talenti e mjeshtërie dhe pa anashkalim të ndikimeve që ushtrojnë mbi letërsinë kushtet dhe rrethanat e reja historike apo ngulmim në stereotipe artistike me mendësi konservatore, nga njëra anë do pranuar, se ashtu siç nuk mund të përsëriten njëjtësisht rrethanat dhe modelet e zhvillimeve e të të menduarit, po ashtu janë të papërsëritshme dukuritë dhe personalitetet krijuese. Pra, sado ta dëshironim, në letërsinë e sotme vështirë të mendohet se ka për të lindur një tjetër Migjen, me po ato prirje dhe me ato reflektime për realitetin dhe perspektivën. Kurse parë ndryshe, në kuptim më të gjerë, përtëritja e traditës migjeniane, jo vetëm është e domosdoshme, por, sipas të gjitha gjasave, ka për të qenë e pashmangshme, siç është i domosdoshëm çlirimi i shoqërisë së sotme prej ngërçit përmes luftës së të kundërtave dhe kapërcimit të antagonizmave, siç ka për të qenë e pashmangshme rendja e njerëzimit drejt një shoqërie, në të cilën nga ëndërr do të kthehet në zhgjendër deviza humaniste e internacionaliste e iluministëve: Liri, Barazi, Vëllazëri!
Na mungon Migjeni, do të thotë se na mungojnë ata shkrimtarë ose si tip shkrimtari që, sikurse Migjeni në kohën e vet, do të arrinin atë kulm krijimtarie, në të cilën do të gjente shprehjen më të lartë e të vijëzuar të ndërgjegjes artistike përbashkësia e shpirtit të poetit me shpirtin e popullit, ndërthurja thellësisht e vetëdijshme e realitetit, e përpjesëtimeve sa individuale që edhe kombëtare, e reales me ato ideale që e shpien jetën përpara, e nxjerrin vetësinë prej guaskës së individualizmit dhe u japin krijimeve letrare forcë ndikuese, jo si nanuritje apo si flladitje vetëkënaqësie, po si shqetësim, si nxitje dhe si frymëzim përkushtimi për t’u përfshirë gjetkë në “luftra të reja e me fitue”.
Ky tip shkrimtari, me gjithë përpjekjet që bëhen për arritjet që po vërehen, ende na mungon, sepse na mungon burrëria për t’u përballur, siç u përball Migjeni, me realitetin e ashpër të kohës, me krizën e thellë shoqërore e të vlerave morale, me pafytyrësinë e politikave demagogjike, që premtojnë parajsën por shtrojnë me asfalt rrugën për në ferr, me tamtame gaforresh që rendin së prapthi drejt obskurantizmit, në psherëtima e kujë fatalistësh apo dhe me arratisje “zall më zall” letrarësh e publicistësh kërkues alibish për fshehjen e tragjizmit të epokës e të sistemit dhe për të larguar vëmendjen prej shkaqeve të vërteta të kriminalizimit të shoqërisë dhe shkallmimit të vlerave morale të familjes e të njeriut.
Na mungon Migjeni, sepse është e lehtë të hedhësh krahëve pelerinën e “poetit kombëtar” apo të të shpallim “nder i kombit” edhe pa bërë gjë për Shqipërinë, por është e vështirë, shumë vështirë të mbash mbi shpinë “peshën e kryqit” dhe ta përshkosh burrërisht kalvarin e vuajtjeve në emër të të mjerëve e të kombit të nëpërkëmbur, siç bëri Migjeni, duke e ngjyer penën në detin djersë – vuajtje dhe gjak të jetës së popullit, duke vënë gishtin në plagët e mahisura të kohës, duke rrëmuar për të nxjerrë rrënjët e së keqes dhe duke ngritur akuzë ndaj sistemit, shtyllave mbrojtëse të tij, përfaqësuesve dhe llakuesve të çnjerëzisë.
Për më tepër: Vrapimi drejt lirisë (lirisë së vërtetë ose iluzive) nuk përligj shmangien prej padrejtësisë shoqërore, ndërsa thyerja e tabuve të dikurshme nuk duhet e nuk mund të jetë shkak për t’u dhënë pas filozofish abstrakte, pas një erotike gjer në kufij pornografie, sikurse pas sajimesh moderniste ngritur mbi parafabrikate dhe mbi dogmatikë të re propagande regresive, duke përjashtuar nga letërsia problematikën e nxehtë e të mprehtë shoqërore, personazhet tragjikë, komikë e tragjikomikë të jetës së sotme, në të cilën “derrat e kënaqur” ndodh që të na paraqiten dhe me maskën e “Sokratit të vuajtun”, batakçinjtë të hiqen e të shpallen heronj dhe sharlatanët të na lenë përshtypjen e mendimtarëve, që nuk i zë gjumi për hallet e popullit, ndërsa në të vërtetë, vrasin mendjen si e si të zhvatin duke mashtruar njerëzinë dhe duke abuzuar e sharë njëri-tjetrin.
Migjeni na mungon jo vetëm si mendim, si shpirt e si aspiratë, po edhe si mjeshtër i gjetjes dhe sendërtimit të formave të përshtatshme për të thënë më shumë në pak vargje dhe në proza të shkurtra e shumë të shkurtra, duke përdorur si rrallëkush tjetër metaforën, kontrastet e forta, dilemat, fjalën e zjarrtë dhe përshkrimin e ngjeshur realist ekspresionist, satirën e fuqishme dhe sarkazmën therëse, hiperbolën e groteskun, hollësinë domethënëse e përgjithësimin emocionues dhe mbi të gjitha, ironinë e hidhur, në të cilën ka ngjeshur dhimbjen me përqeshjen, padurimin me epërsinë morale mbi të gjithëfuqishmit e kohës.
Nuk është se nuk gjen shembuj të tillë edhe në letërsinë e sotme dhe se mungojnë talentet e mjeshtrat e fjalës. Por, në një kohë kur realiteti me tragjizmin, tragji-komizmin, paradokset dhe absurditetet po tejkalon çdo fantazi shkrimtarësh të mëparshëm, kur rrethanat janë det me tallaze e perspektivat të mjegullta e të zymta, të ecësh në rrugën e Migjenit e të shkrimtarëve të tjerë realistë, që u vunë gjoksin problemeve tronditëse të kohës së tyre, nuk është aq e lehtë sa ç’mund të pandehet.
Për të ecur me sukses në rrugën e shkrimtarëve misionarë shoqërorë, duhet përveç talentit dhe zotërimit të mjeshtërisë së fjalës artistike, burrëria për ta thënë hapur dhe pa ekuivoke e konformizëm mendimin dhe për t’i dhënë dorë shoqërisë pasqyrën për të parë vetveten lakuriq. I kërkohet shpengim prej censurës së tregut, e cila në vend të orientojë, çorienton si përmbushëse oreksesh të parallinjve dhe të atyre që kanë interes të trullosin lexuesit me eksitantë cilësish të dyshimta e t’u japin vlerë të pamerituar mediokritetit, vulgaritetit e banalitetit, lektisjeve erotike, përfytyrimeve të kllapishme e fantazmagorike, arratisjeve në sfera spekulimesh pseudofilozofike apo ngujimesh në subjektivizëm të skajshëm individualistësh e egoistësh, të cilët rrihen të zënë vendin e heroit tipik të kohës.
Sidoqoftë, megjithëse është e vështirë të bëhen parashikime, gjatë 25-vjetëve të fundit ka rrjedhur shumë ujë, ka qenë e mundur të bëhen shumë reflektime, është fituar një përvojë e mjaftueshme që jep dorë për t’u vënë pikat mbi i dhe po formohet dora-dorës një brez i ri shkrimtarësh, të cilët kanë për të dalë nga kullat e ngujimit dhe, patjetër, kanë për të sjellë në letërsi një vizion të ri për jetën dhe për artin, do të përballen me problemet shqetësuese të kohës dhe, duke portretizuar bashkëmoshatarët, do të hedhin dritë në antagonizmat e kohës dhe do të kërkojnë zgjidhje për të dalë prej ngërçeve që u janë imponuar. Kështu, në mos një Migjen, patjetër do të vijë një brez shkrimtarësh që ka për të ndjekur rrugën e autorit të “Poemës së mjerimit”.
Kjo bindje mbështetet në faktin se tridhjetëvjeçarët e sotëm, përveç kujtimesh të prindërve, nuk kanë asnjë kompleks që t’i lidhë me të shkuarën, por kanë përballë një realitet të ngjashëm me atë që përshkruhet në veprat e Migjenit, çka do të thotë se po ndeshen me të njëjtat probleme vetjake e shoqërore ngritur në fuqi të dytë. Prandaj, domosdo, do të kenë dhe të njëjtat reagime kritike e të njëjtat aspirata njëmendësimi të rendit shoqëror e politik sa më njerëzor.
Nga brezat e këtyre shkrimtarëve të shekullit të ri, për të njëjtat arsye, kanë për të dalë edhe heronjtë e rinj të mendimit e të veprimit, të cilët, sikurse Migjeni, përmbi vuajtjet e privacionet vetjake, po jo të shkëputur prej tyre, do të bëjnë të vetat e do t’i skalitin në vepra e figura letrare vuajtjet e popullit, brengosjen e brezit të ri, braktisjen në mëshirë të fatit të të moshuarve, tragjizmin që me vërshëllima “gjarpinjsh të gjakut” po shkallmojnë familjen shqiptare dhe po e shndërrojnë sërish në ujk njeriun për njeriun, në një kohë kur krerët e politikës, shtetarët, të babëziturit dhe vrasësit, kërleshur si komedianë në mes tyre, qeshen me popullin për ta grabitur, për ta telikosur dhe për ta përçarë me qëllim sundimi sa më të lehtë e mospërfillës.
Për sa i takon ndërgjegjësimit, mishërimit të një ideali të ri dhe projektimit të rrugës nëpërmjet të cilës ky ideal ka për t’u jetësuar, brezi i ri i shkrimtarëve, sikurse të gjithë të rinjtë, nuk janë aq të pandjeshëm dhe aq të paditur aq sa të presin këshilla. Si për të gjithë brezat e mëparshëm përparimtarë e liridashës, shkollë e madhe dhe libër i hapur edhe për këta ka për të qenë jeta. Një jetë që të detyron të shtrëngosh dhëmbët e të mbledhësh grushtin, po edhe të gazmosh duke thirrur tok me Migjenin:
Qeshu, rini, qeshu! Bota është e jote!

nese mundni ju lutem botoni poezine Shume po shendrit ky diell
Razi Brahimi vazhdon t’ merresh me Migjenin, po pak mâ t’ zbutun se dikur karakterin revolucionar per krijimin ” e njeriut t’ ri qe shkruejshe dikur. Nuk ta ka mbajt b… n’ letersin e realizmit soc. me u thânë krijuesve qe zbukurojshin realitetin qe te pasqyronin mungesat e medha te ushqimeve, te ” krijimit te njeriut te ri” si kafshë pa fe, pa perspektivë, po kolektivizim i mendjeve, shplarje e trurit etj. Shkrimi juaj per Migjenin qe dhimbjet e veta te pasherueshme ia percjell shoqnisë me lypsa, me inçest te ” Studenti më shtëpi” me prostituta malcore qe shesin vedin me shit qymyrin, etj. Je konformist i pandreqshem, se nuk ke shpreh asnjë mendim pozitiv se si duhet te ishte letersia e ” realizmit” socialist ku gjithka e ndryshkun shndriste, fundin e herojve t’ lumtun’ etj. pjesë te nje letersie uniforme me ato rregullat e ngurta te partishmenise komuniste, te pershkimit si nji fill i kuq t’ ideve t’ partise e t’ sh Never krejt letersinetj.etj.
Flej e vdis i qetë, se ke ” kritikue” me lajle e lule vprat e Sh. Musarajt, Ll. Siliqit, te D. Agollit, S. Spasse etj.