Gianni de Biasi e cilëson si sfidën më të rëndësishme përballjen me Danimarkën të shtunën e 11 tetorit në orën 20:45. 58-vjeçari që drejton Përfaqësuesen Shqiptare kërkoi që në fillim të konferencës për shtyp të evitohen pyetjet për ndeshjen me Serbinë, pasi sfida që do të zhvillohet në “Elbasan Arena” është shumë jetike për ecurinë e kuqezinjve. “Të shtunën do të luajmë në një stadium të ri dhe ndaj Danimarkës, një kundërshtar shumë i fortë fizikisht dhe teknikisht. Ata janë një ekip i mirë pasi luajnë së bashku prej disa vitesh. Në transfertë janë të rrezikshëm, pësojnë pak gola dhe edicionin e kaluar kanë fituar plot tre ndeshje jashtë shtëpisë. Nëse mbajmë mendjen tek rezultati në Portugali atëherë nuk do të arrijmë asgjë. Ndaj Portugalisë kemi bërë shumë gabime dhe disa gjëra të mira. E rëndësishme në këtë moment është të mësojmë nga gabimet që kemi bërë. Edhe nëse do të mundeshim në Portugali asgjë nuk do të ndryshonte për ne. Kemi dhe 7 ndeshje të vështira dhe nëse nuk qëndrojmë me këmbë në tokë nuk do të arrijmë asgjë”.
Në një duel të tillë është e rëndësishme të mos dalësh pa pikë. Ndaj Danimarkës luhet për fitore por edhe një barazim do të ishte i kënaqshëm për këdo. De Biasi shprehet se ekipi luan me një objektiv të vetëm duke analizuar më pas dhe situatën tek kuqezinjtë.
“Nuk luaj kurrë për barazim. Përgatitemi për të fituar ndeshjen kjo dhe për respekt ndaj tifozëve apo medias. Më pas në varësi se si do të shkojë loja edhe mund të kënaqemi barazimin. Kjo nuk është një ndeshje e lehtë pasi janë ekip i mirë. Ne duhet të luajmë me kujdes dhe zgjuarsi. Në përgjithësi thuhet se ekipi që fiton nuk ndryshon por ka kaluar një muaj nga ndeshja me Portugalinë dhe ne kemi rikthime të rëndësishme në skuadër. Do i vlerësojmë të gjithë në stërvitje dhe më pas do vendosim. Mund të them që në krahasim me eliminatoret e botërorit ekipi do të pësojë më pak ndryshime nga ndeshja në ndeshje, pasi kemi dhe shumë alternativa”.
Lista e lojtarëve të grumbulluar;
Portierë: Berisha, Shehi, A. Hoxha
Mbrojtës: Cana, Hysaj, Lenjani, Xhaka, Curri, Rrahmani, Lila, Mavraj, Agolli
Mesfushorë: Kaçe, Meha, Abrashi, Bulku, Kukeli, Vila, Rama, Shala, Roshi
Sulmues: Balaj, Gashi, Cikalleshi, Salihi, Vajushi, Kapllani
