Letër e nënshkruar
Preng Pjetri, Zejmen, Lezhë
Sivjet Shqipëria përkujton 70-vjetorin e çlirimit nga nazi-fashistët dhe okupatorët. Edhe pse na ndajnë më pak se dy muaj nga ky jubile aq i lavdishëm, akoma s’është ndjerë atmosfera e përgatitjeve për këtë eveniment aq të rëndësishëm e historik. Historia jonë ashtu si e tërë popujve anë e mbanë globit ka autobiografinë dhe lavdinë e saj me përmasa gjigante tërësisht të pamohueshme. Duhet pranuar botërisht se në Shqipëri, këtu e shtatëdhjetë vjet është deformuar sipas interesave të politikanëve dhe klaneve të tyre. Historishkruesit, të ndikuar dhe të diktuar nga tutorët e tyre politikë e kanë shkruar historinë e popullit të tyre tamam si të ishte një testament feudali. Prandaj lypset një orë e më parë që fatet e dinjitetit tonë, të Shqipërisë, t’i marrin në dorë studiuesit, akademikët tanë që s’mungojnë në numër e kapacitete. Ju të nderuar historianë pasqyrojeni historinë tonë shumë shekullore të lavdishme realisht e pa ndikime politike e as fetare. Atë histori që nga koha e Skënderbeut e deri në ditët e sotme që është absolutisht në çdo qelizë e politizuar. Të nderuar historianë, bëhuni avokatë të pakompromentuar të dinjitetit të kombit tuaj, të atdheut tonë aq të nëpërkëmbur sa nga pushtuesit, sa nga çarqe shoviniste që kurrë s’e kanë pranuar realitetin e lavdishëm shqiptar. Historia do të flasë edhe për ju nesër.
