“Kruja, Burreli, Shijaku?! Jo! ‘Rruzhdi (Bizhuta) Arena’”

redaktor

“Kopenhageni, Amsterdami, Stokholmi? Jo! ELBASAN ARENA” ishte ky mesazhi në Twiter i pak ditëve më parë nga ana e kryeministrit Rama, një patetizëm krejt i panevjshëm, që vetë ai, në një tjetër pozicion do e kishte ironizuar. Rama është ndër ata njerëz që jo vetëm ka parë dynja me sy, por që i sëmbon fort diferenca e llahtarshme që ka vendi i tij me botën përreth, të afërtën apo të largëtën. Ai me plot të drejtë mund t`i gëzohet një stadiumi të rikonstruktuar, si dhe shumë shqiptarë të tjerë, por pa e çuar punën tek krahasimet, se më pas aty degjeneron muhabeti. Po sigurisht që nuk është as Kopenhageni, as Amsterdami e as Stokholmi! Mjafton një oxhak i tmerrshëm në sfond, lartuar anës një godine, relike e ish-Shqipërisë Socialiste, për të përcjellë mesazhin virtual se stadiumi patjetër që duhet t`i përkasë një vendi të lodhur; siç jemi ne pra. Në mos oxhaku, është dhe një gërdallë i tipit “pallat firme” që lartohet në njërin krah të stadiumit, që nëse ndodh prej ndonjë shqipoje banor të atyshëm, të hidhen plehrat nga dritarja, ato përfundojnë direkt në zonë të rreptësisë; e nëse ngjashëm ndodh që ndonjë amviseje t`i shpëtojë nga dora ndonjë kapëse rrobash gjatë nderjes, e ajo, kapsja, fill e në pistë, me rrezikun për t`u trajtuar nga arbitrat si send i hedhur nga tifozeria. E këto vetëm në Shqipëri mund të ndodhin. Nga gjithë ajo çfarë ofron ‘Elbasan Arena’ (nuk do quhet më ‘Rruzhdi Bizhuta’?!), është cilësia e fushës ajo që do vlerësuar. Nëse ai “tapet” i jeshiltë do mbetet gjithnjë i tillë, pa pellgje uji, gunga apo rrjepje, vetëm atëherë do ia vlente mesazhi i sipërcituar kryeministror. Për çfarë u arrit të bëhet në pak muaj me atë stadium, bazuar në realitetin e pa karamelosur të gjërave, mesazhi duhej të ishte: “Kruja, Burreli, Shijaku?! Jo! ‘Rruzhdi (Bizhuta) Arena’”

Share This Article
2 Comments
  • Mos e ekzagjetoj ky shkruesi me hedhjet ne fush se jan per barsaleta. Ne Elbasanin kemi nuk kemi Oslon dhe elbasanasit kemi jo norvegjezet. Per nje shtet te vogel e te lodhur ai stadium ishte sukses.

  • Stadium shum i bukur dhe duhet te pershendetet nga çdo shqiptar qeveria Rama qe mbas 25 vjetesh ky vend po bën diçka te bukur edhe per futbollin , por duhet shtuar edhe kto vargje ..
    Ti ne koder dhe une ne koder ,
    boll i bukur veç pak i vogel.
    Mos te rrimë me koder ne koder ,
    por hajde shpejt ta pefundojm ne Shkoder … .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *