Je adoleshent? Është koha të ikësh në… Amerikë

redaktor

Të lësh familjen dhe të shkosh të jetosh një vit në Amerikë…? Pse jo. Këtë gjë ka bërë edhe Elvana Qeli. Në moshën 16-vjeçare bëri valixhen gati dhe fluturoi drejt SHBA-ve duke e ndërruar familjen e saj me një familje të huaj dhe kjo, për nëntë muaj. Ajo ka parë dhe mësuar më shumë se çdo kishte bërë po të mos e kishte pasur këtë eksperiencë. 18-vjeçarja sapo ka fituar të drejtën shkollimit në fakultetin e Ekonomisë, por më shumë ka për të treguar për Amerikën se sa për gjithë pjesën tjetër të studimeve. Elvana, është sot mysafirja jonë, për të na rrëfyer vitin e saj të artë në Teksas. Do të mësojmë jetën e një adoleshenteje që jetoi dhe studioi në tokën e ëndrrave. Këtë që ka bërë Elvana, mund të bëjnë edhe shumë të tjerë. Pasi po të kërkosh, mundësi gjen. Ajo u drejtua tek Programi YES, i financuar nga Departamenti i Shtetit dhe i koordinuar në Shqipëri nga Këshillat Amerikanë. Ky program jep bursa për nxënës të shkollave të mesme të moshës 15-17 vjeç, të cilët kalojnë një vit akademik në Amerikë. Drejtoresha e Këshillave Amerikanë, Linda Meniku tregon se aplikimet për vitin e ardhshëm fillojnë në 11 tetor te universiteti “Marin Barleti” dhe në 13 tetor në një shkollë private në Fier.

Qeli, me origjinë nga Gjirokastra, por që prej vitesh jeton në Tiranë tregon se ka qenë gjithmonë një nxënëse e mirë. “Unë zgjodha Harry Fultzin duke qenë se më pëlqente biznesi. Prindërit e mi janë të dy ekonomistë dhe duke qenë se do trashëgoja profesionin e tyre, Fultzi më vinte shumë në ndihmë” – rrëfen Elvana në këtë bashkëbisedim me “Dita”-n. Por, është pikërisht kjo koha kur bëhen regjistrimet dhe aplikimet për të fituar një vit bursë për në SHBA. Elvana është njëra prej fatlumeve që e ka provuar këtë shans, ju mund të kapni shansin tuaj…

Elvana, 9 muaj në Amerikë… si ishte për ty të strehoheshe në një familje të huaj?

9 muaj në Amerikë ishte një eksperiencë e re dhe më e veçanta për mua deri tani. Kisha imagjinuar dhe ëndërruar shumë gjëra për veten time deri në moshën 16-vjeçare, ama kjo eksperiencë nuk më kishte shkuar kurrë në mendje. Të strehohesha në një familje të huaj për një vit të tërë nuk ishte aq e vështirë sa mund të duket. Unë në familjen time kalova shumë mirë. Bashkë me mua në të njëjtën familje jetonte edhe një studente gjermane që ishte edhe ajo studente shkëmbimi. Gjëja më e mirë në familjen qenë unë jetova ishte që ata u bënë si një familje e vërtetë për mua, ne kishim debate, kishim detyra në shtëpi, kishim dhe kohë që e kalonim me njeri-tjetrin duke u argëtuar, duke ndarë kuriozitete për vendet nga ne vinim.

Po si shkove deri atje?

Për programin e bursave unë dëgjova në shkollë, aty u bënë disa prezantime të shkurtra dhe mendova të konkurroj. U futa në konkurrim së bashku me studentët e tjerë dhe isha shumë e surprizuar kur më njoftuan se i kisha kaluar të gjitha fazat dhe isha një nga fituesit e programit. Më pas në zhvilluam një orientim para se të niseshim së bashku gjithë studentët e Ballkanit që kishin fituar këtë program. Hapi i fundit ishte nisja nga Shqipëria, ajo “Mirupafshim” me prindërit dhe të afërmit. Sapo mbërritëm në Washington DC aty u njohëm me të gjithë studentët e programit YES në të gjithë botën. Ato 3 ditë kaluan shumë shpejt dhe ne ishim gati të fluturonim drejt familjeve tona mikpritëse.

Nga Shqipëria dhe më pas drejt e në një familje të huaj, nuk duhet të ketë qenë e thjeshtë apo…?

Po, sigurisht që nuk është e thjeshtë, megjithatë studentët përgatiten mjaft mirë. Ata mësojnë zakonet e një familjeje amerikane, për shkollën dhe se si një adoleshent 16-vjeçar mund ta kalojë ditën ne Amerikë. Të njëjtën gjë bëjnë edhe familjet tona mikpritëse. Familjet mikpritëse janë gjithmonë shumë të afruara, shume të ngrohta. Ata tregohen mjaft te kujdesshëm edhe në mënyrën se si pyesin për ne, për vendin tonë, për kulturën dhe çdo gjë rreth shqiptarëve.

Diçka të veçantë nga qëndrimi atje? Në cilin qytet jetoje? Çfarë të pëlqeu me shumë nga qëndrimi atje?

Qëndrimi im atje ka qenë i mbushur plot me eksperienca të reja për mua. Unë isha e vendosur në shtetin e Texas, në një qytezë të quajtur Plains. Përveç familjes time mikpritëse shumë nga momentet e mia më të bukura kanë qenë në shkollë, më mësuesit dhe të gjithë shokët dhe shoqet e mia. Kam kujtime shumë të bukura nga radio show që unë drejtoja atje, nga të gjitha ndeshjet që shkolla zhvillonte me ekipet kundërshtare dhe në të gjithë i mbështesnim në çdo lojë; dhe gjithashtu mbrëmja e maturës në Amerikë ose ndryshe “prom” do të mbetet një nga kujtimet më të veçanta për mua.

Do të riktheheshe sërish në Amerikë?

Po, patjetër që do të kthehesha, por ndoshta kësaj radhe thjesht si vizitore.

Tani çfarë ke ndërmend të bësh, me çfarë po merresh?

Unë sapo kam mbaruar gjimnazin tek Instituti Harry Fultz dhe shumë shpejt do të filloj studimet e larta për financë tek Universiteti i Tiranës.

Si ka ndikuar Amerika tek ty?

Kjo eksperiencë ka ndikuar shumë pozitivisht te unë. Mund të them që kam mësuar t’i shikoj gjërat edhe me një sy tjetër, edhe nga një këndvështrim tjetër, jam bërë më mendje-hapur. Gjatë një viti larg familjes time unë jam bërë më e pavarur, kam mësuar si të menaxhoj kohën time dhe paratë e mia. Përveç të gjitha këtyre kam bërë miq nga e gjithë bota me të cilët ndaj eksperienca të ngjashme.

Personalisht nuk mendoj se është shumë e vështirë për një adoleshent të largohet. Periudha e adoleshencës është një moment sa delikat aq edhe i bukur. Mendoj që studentët duke qenë në periudhën e adoleshencës janë më të hapur drejt ndryshimeve po gjithashtu edhe mësojnë dhe përshtaten më shpejt në komunitetet që ata jetojnë për një vit.

Kishe probleme me përshtatjen?

Në shkollë të gjithë ishin shumë kuriozë të dinin sa më shumë për ty, sepse ata nuk kishin njohur kurrë një student nga Ballkani apo Evropa, dhe kjo të bënte “të famshëm” në shkollë. Mësuesit gjithashtu ishin kuriozë të dinin se çfarë ne studiojmë dhe metodën se si. Ata gjithashtu ishin të habitur se sa të përgatitur ne ishim.

Sa orë në ditët studioje dhe çfarë e bëje tjetër veç studimeve atje?

Nuk studioja shumë, kishte ditë që nuk më duhej të studioja fare. Në fillim të çdo viti shkolla i mundësonte çdo studenti një laptop dhe në këtë kompjuter ne bënim të gjitha detyrat që kishim dhe gjithashtu mësimi bëhej me anën e laptop-it. Librat ne i përdornim vetëm në orët e matematikës. Mënyra se si shpjegohej mësimi ishte mjaft e ndryshme nga metodologjia që përdoret në shkollat në Shqipëri dhe kjo mendoj se e bënte mësimin të dukej më i thjeshtë.

Cila është gjëja më e veçantë që ke bërë në atë vend apo momenti më i bukur?

Gjëja më e veçantë për mua ka qenë eksperienca në radio. Unë së bashku me një tjetër studente shkëmbimi që ishte në shkollën tonë, e cila ishte nga Taivani, na u dha mundësia të kishim emisionin tone në radio. Emisioni jonë quhej “Cultural Exchange” (Shkëmbim Kulturor). Disa nga momentet tona më të bukur në radio kanë qenë kur ne kemi festuar 8-Marsin në një lidhje me Skype me mamanë time ose kur kemi festuar Vitin e Ri Kinez me familjen e Jenniferit. Eksperiencën në radio e quaj të veçantë sepse nuk e kisha menduar ndonjëherë që mund ta bëja dhe tani, nuk mendoj se do e përsëris ndonjëherë.

Ju jeni shembulli më i mirë për të na treguar se përse një adoleshenti do t’i shërbente largimi për në Amerikë në këtë moshë?

Largimi për një vit në periudhën e adoleshencës tek unë ndikoi shumë. Ky vit më rriti. Gjatë një viti larg familjes unë bëra shok dhe shoqe nga e gjithë bota me kultura të ndryshme. Unë udhëtova dhe pashë vende të cilat nuk mendoja se do i vizitoja më parë. Fitova vetëbesim, u bëra më e pavarur, mësova të menaxhoj kohën dhe paratë e mia. Mësova të jetoj në një komunitet që se kisha dëgjuar më parë dhe të përshtatem me njerëz që mendojnë ndryshe nga unë. Eksperienca në Amerikë është shumë e vlefshme për mua edhe tani që jam kthyer dhe do të jetë shumë e vlefshme gjatë gjithë jetës time sepse mësova gjëra që do të më vlejnë.

 

Rruga që ndiqet për në SHBA

Kjo është rruga që ka ndjekur Elvana, rrugë të cilën mund ta ndjek çdo kush nga ju që është 15-17 vjeç. “Nëpërmjet programit YES si fillim, u paraqita tek Universiteti Marin Barleti, ku bëhej regjistrimi për të qenë pjesë e konkursit. Po atë ditë, pasi bëhej regjistrimi zhvillohej edhe faza e parë e konkurrimit. Konkursi përbehej nga tri faza. Faza e parë përbëhet nga një test shumë i shkurtër i gjuhës angleze. Më pas, faza e dytë e cila konsiston në hartimin e tri eseve dhe të një mini-TOELF, zhvillohet ditën e nesërme pas daljes së rezultateve të aplikantëve fitues. Për të vazhduar më tej me fazën e tretë të konkurrimit e cila në vetvete përbehet nga dy nënfaza, ku e para lidhet me hartimin e dy eseve dhe faza e dytë me një intervistë. Pasi kalova këto faza me sukses, pas disa muajsh m’u komunikua lajmi që isha një ndër finalistet e programit YES dhe në këtë mënyrë m’u dha mundësia për të shkuar në SHBA, për të jetuar në një familje mirëpritëse amerikane për një periudhë 10-mujore si dhe të ndiqja një shkollë të mesme”.

Share This Article
5 Comments
  • Kur del jashte me qellimin e mire perfiton shume vertet , thjeshtesia e paraqitjes se jashtme dhe e mendimit te kesaj vajze flet vet mesemiri si shembull per vajzat e djemte e rinj te brezit te sotem , i uroj suksese ne jete kesaj vajze dhe familjes qe nuk i shkon mundimi i rritjes e edukimit kot ..

  • Me besimin dhe kurajon qe te karakterizon e ke merituar eksperiencen qe ke perjetuar pergjate 9 muajve te qendrimit atje! Uroj te ndjekin shembullin, impenjimin dhe angazhimin tend!

    • Elio jo, Marin Barleti eshte thjesht nje universitet qe na ka lejuar te zhvillojme provimin prane ambjenteve te tyre pa asnje lloj detyrimi financiar. 🙂

  • Vajza ime eshte 16 vjeqare dhe eshte e lindur ne USA ajo nuk ka jetuar shume atje si eshte e mundur qe te aplikoj ne kete program ajo ka te gjitha 5 ne klasen e 10

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *