Cesc Fabregas insiston mbi faktin se nuk ndjen asnjë lloj pendese për rikthimin e tij te Barcelona në verën e vitit 2011. 27-vjeçari i cili si futbollist ka dalë pikërisht nga akademia e Barçës, La Masia, nga 2011 deri në përfundim të sezonit 2013-2014 mbajti sërish veshur fanellën e klubit blaugrana pas tetë viteve të suksesshme në radhët e Arsenalit.
Në një prononcim për mediat Fabregas aktualisht një lojtar i Chelseait theksoi se edhe pse te Barcelona ai nuk kaloi momentin më të mirë të mundshëm, kurrë nuk është penduar për zgjedhjen që ndërmori në vitin 2011. Në atë periudhë drejtuesit e klubit katalanas i paguan Arsenalit 29 milionë Euro për të bërë të mundur rikthimin e mesfushorit në Camp Nou.
“Ëndrra ime ishte të luaja një ditë për skuadrën e parë të Barcelonës dha jam i lumtur që e bëra të mundur diçka të tillë. Nuk më intereson aspak nëse gjërat shkuan mirë apo keq për mua në Camp Nou, dhe aq më tepër ato se çfarë thoshin njerëzit pasi unë u largova më shumë sesa i kënaqur nga Barcelona. Në periudhën që isha pjesë e klubit katalanas fitova disa trofe, luajta përkrah shokëve të mi më të mirë, dhe mbi të gjitha në Barcelonë njoha gruan time. Atje kalova momente jo edhe aq shumë pozitive në aspektin futbollistik por pavarësisht gjithçkaje unë e konsideroj veten një njeri me fat. Barcelonën e konsideroj si shtëpinë time dhe nuk jam ndjerë keq as në momentin kur një pjesë e tifozëve më kanë vërshëllyer”, tha Fabregas.
Në vijim të intervistës, Fabregas i pyetur për raportin që ka patur me ish trajnerin e Barcelonës, Pep Guardiola dha një përgjigje shumë të shkurtër duke mos e përmendur aspak emrin e teknikut aktual të Bayernit. “Ajo që mund të them është se në Camp Nou kalova tre vite të lumtura të karrierës sime dhe jam shumë i kënaqur me ato që arrita”. Gjithsesi edhe pse tani është pjesë e Chelsea-it dhe drejtohet nga një tjetër i madh si Jose Mourinho me të cilin ka rigjetur edhe formën e tij optimale, 27-vjeçari spanjoll nuk ngurroi të thurte elozhe si për portugezin ashtu edhe për Guardiolën. “Sigurisht që më pëlqejnë.
Mourinho dhe Guardiola janë dy trajnerë të ndryshëm por me një synim të përbashkët fitoren. Kam një respekt të madh si për portugezin ashtu edhe për spanjollin”.
